I pari, në foto, është gjyqtari amerikan Frank Caprio, i njohur për vendosjen e drejtësisë në raport me njerëzoren. Ai u bë gjykatësi më i dashur për publikun dhe kur u nda nga jetë në moshën 88 vjeçare, u përcoll me nderime të mëdha.
I dyti është gjykatësi shqiptar Astrit Kalaja. Ai u vra në sallën e gjyqit, kur sapo kishte lexuar vendimin, i cili ndalon nxjerrjen jashtë të 31 familjeve të pastreha, që ishin strehuar në dhomat e një ish konvikti ushtarakësh në kohën e komunizmit, për të cilin autori i vrasjes, kerkonte pronesine, prej vitesh ne gjyqe.
Nuk po i hy çështjes, as si u bë pronar i një prone publike autori i krimit, as si dhe pse kane te drejte 31 familjeve që e kane zaptuar ate. Por me siguri mund të themi se vendimi i gjykatësit Kalaja, vetëm i blerë nuk ka qenë. Pasi familjet që jetojnë në dhoma konvikti, padyshim që nuk e kanë patur këtë mundësi.
Por, ajo që është edhe më e trishtë se vetë vrasja, është mbështetja masive që shumë njerëz i dhanë vrasësit. Një histeri kolektive “të lumtë dora”, “Mirë ia bëri”, “heroi i drejtësisë”, “paç dorën e mbarë”, “të vrasim edhe politikanët, ministrat, deputetët”, “të gjithë janë hajdutë…”. Kështu kanë reaguar edhe kur dëshpërimisht ndonjë familjar pacienti të vdekur ka dhunuar mjekun.
E di që njerëzit janë të etur për drejtësi! E di që shpesh paguajnë për të marrë atë që u takon, apo nuk e marrin drejtësinë për shkak se dikush tjetër e blen atë.
E di që janë të mbytur nga korrupsioni!
Janë të dëshpëruar se në këtë vend nuk do të jetojnë dot kurrë pa paguar rryshfet për të marrë shërbimet që u takojnë.
Po, jo të gjithë janë të ligj në këtë vend. Jo të gjithë janë hajdutë e maskarenj.
Dhe, mbi të gjitha, a nuk ka rrugë më të mirë e më të drejta sesa pushka?
Ju të gjithë që mbështesni vrasjen e gjykatësit apo dhunimin e mjekut, përse nuk bëheni bashkë, do të vij edhe unë që nuk e mbështes vrasësin, dhe të protestojmë para gjykatës apo spitalit, kundër korrupsionit?
Ju që kërkoni vrasjen e ministrave se janë të korruptuar, përse nuk votoni kundër qeverisë, për ta shkarkuar nga detyra?
Ju që kërkoni vrasjen e deputetëve, përse nuk votuat për të zgjedhur njerëz me të mirë se këta që janë në parlament?
Pushka më e mirë për të vrarë korrupsionin është vota njerëz, është reagimi qytetar, është ngritja e zërit dhe grushtit!
Komente
