FORMULA 1 - Mercedes prezantoi pamjen e makinës W15 për sezonin e ri dhe tifozët e skuadrës gjermane u befasuan menjëherë për mirë nga ngjyra. Mercedesi i është rikthyer ngjyrës së tij të veçantë argjendi në vend të së zezës.
Skuderia britanike ndryshoi ngjyrën nga e argjendtë në të zezë në vitin 2020 si shenjë mbështetjeje për fushatën “Black Lives Matter” dhe në vitin 2022 u kthyen sërish në “shigjeta të argjendta”.
Vitin e kaluar ata konkurruan përsëri në makina të zeza dhe shefi i ekipit Toto Wolff e shpjegoi këtë me faktin se e zeza është më e lehtë se argjendi dhe në Formula 1 çdo gram është i rëndësishëm.
Paçka se shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton do e ketë sezonin e fundit me Mercedes, pasi nga 2025 do jetë pjesë e Ferrarit, britaniku ka thënë se nuk mendon asgjë tjetër vetëm për të fituar në sezonin e ri që nis më 3 mars në Bahrein.
"Është e qartë se ka qenë emocionale, është shumë e pabesueshme të jesh këtu. Kam ardhur në vitin 2013, 11 vite me ekipin, ky është fillimi i të 12-it vit për mua. Është një privilegj të punosh me njerëzit, për të parë punën që po bëjnë gjatë dimrit. Nuk kam asgjë tjëtër në mendje veç misionit të njëjtë për të fituar”, tha Hamilton.