Kultura

“Merging Bodies”, filmi i Adrian Pacit, premierë në Tiranë! Videoja, fituese e çmimit të parë në Roterdam

15 Shkurt, 12:08| Përditesimi: 15 Shkurt, 15:34

  • Share

Në njëqindvjetorin e veprimtarisë së tij, Grupi Laminazione Sottile në Itali ngarkoi Adrian Pacin të krijonte një vepër të re, e cila të kishte si subjekt kompaninë dhe prodhimet e saj. Pas një rrugëtimi njohjeje të kompanisë dhe mekanizmave të saj të brendshëm, artisti krijoi videon “Merging Bodies”, e cila ka si subjekt real transformimin, jo vetëm të lëndës së parë në “produkt”, por edhe shndërrimin e punës në “personin” që e ushtron atë.

Ideja e merging (shkrirje, përzierje në anglisht), në këtë rast ka të bëjë me shkrirjen e të gjithë këtyre elementeve në një sipërfaqe të re. Një sipërfaqe që nuk është më vetëm sipërfaqja reflektuese e laminateve, por një sipërfaqe e aftë ta transportojë spektatorin brenda thellësisë së vet. Njësoj sikur ajo sipërfaqe reflektuese të ishte e aftë të krijonte një hapësirë "tjetër", brenda së cilës nuk jemi dot fizikisht, por të cilën mund ta banojmë përmes vështrimit tonë. Një hapësirë që mund ta përkufizojmë si një heterotopi të memorjes Foucault-iane.

Videoja është shfaqur premierë edhe në Shqipëri pas prezantimit në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Napoli, në Gallerie d’Italia në Torino. Ajo ka pasur premierën në Festivalin e Rotterdamit, ku fitoi edhe çmimin si filmi i shkurtër më i mirë.

“Është puna ime e fundit në video. Është një punë, e cila është krijuar në një fabrikë alumini në Caserta të Italisë, që tenon të observojë dhe të reflektojë procest e transformimit të materies, se si ajo takon fabrikën, se si takon makineritë, se si takon trupat e punëtorëve dhe gjithë këta trupa bashkë ndërthuren me njëri-tjetrin dhe krijojnë atë që pastaj është ky film.”, - thotë për "Report TV",  Adrian Paci.

Filmi vëzhgon në mënyrë të vëmendshme gjithë këtë mpleksje trupash dhe fabrikën, që është ambienti i punës, ku ritmet e punës fizike të njerëzve që janë aty takohen vazhdimisht me këtë ritëm të makinerisë së fabrikës që punon 24 orë pa u ndalur, për të transformuar këtë materie që është alumini e që kalon në gjithë proceset: nga e lëngshme në të ngurtë deri në produktin final, që janë fletët e holla të aluminit. Paci vëzhgon kështu në mënyrë të imtë, një ambient të pavendosur në reflektorët e vëmendjes mediatike. 

“Më interesonte dimensioni fizik i punës. Patjetër ka një vëmendje edhe karshi dimensionit njerëzor e pikërisht ideja për ta parë fabrikën, jo thjesht si ambient të dedikuar vetëm për realizimin e produktit final, por si një objekt ku ngërthehet materia, ngërthehet edhe forca, sa njerëzore aq edhe mekanike, ashtu si dhe energjia e brendshme e materies.”, - shpjegon artisti. 

Paci, një nga artistët më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare, që prej vitesh jeton në Itali, bën me dije se ndërkohë ka filluar punën për një projekt të ri artistik.

“Jam piktor nga background-i dhe pas kësaj aventure me filmin jam futur në studio dhe po merrem me një seri pikturash dhe po përgatis një ekspozitë që do të jetë në Romë në maj.”, - rrëfen ai.

Shfaqja e “Merging Bodies” në Tiranë u bë e mundur nga Instituti Italian i Kulturës si pjesë e “Annotazioni Video” kuruar nga Stefano Romano. Ky program synon të bëjë bashkë në skenën kulturore artistë italianë dhe shqiptarë, duke forcuar edhe më tej lidhjen mes dy vendeve.

B.G/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?