Arla Merja, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL

Politikë

Merja e PL: Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, tender 465 mijë euro për mobilim të zyrës! SPAK ta hetojë Ristanin, vjedhje klasike

7 Qershor, 11:15| Përditesimi: 7 Qershor, 11:18

  • Share

Partia e Lirisë denoncoi sot kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani për shpërdorim të fondeve të buxhetit për mobilim të zyrës, teksa apeloi ndaj SPAK-ut që të niste hetimet për rastin, që e konsideroi edhe “vjedhje klasike me tender”.

Deklarata u bë sot (7 qershor) nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirise, Arla Merja.

Ajo theksoi se kryetarja e komanduar e Bashkisë ka firmosur ‘një tender marramendës prej 465 mijë eurosh’, për mobilimin e zyrave të bashkisë zyra që sipas saj, “janë jo vetëm funksionale, por të pajisura tashmë me çdo nevojë logjistike’.

“I bëjmë thirrje SPAK, të nisë hetimet pa vonesë mbi këtë tender dhe të shohë këtë rast si pjesë të një zinxhiri të gjatë abuzimesh në Bashkinë e Tiranës”, shprehet Merja mes të tjerash.

PL e cilëson këtë një akt korruptiv të pastër dhe që duhet hetuar, teksa për Ristanin shprehet se “po dekoron zyrën e vetë si mbretëreshë kalimtare, pa votë dhe pa përgjegjësi”.

Deklarata e plotë Sekretares për Mardheniet me Publikun në PL, Arla Merja:

“Në një akt që flet qartë për mungesë totale përgjegjësie dhe respekti ndaj qytetarëve të Tiranës, kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, ka firmosur një tender marramendës prej 465 mijë eurosh për mobilimin e zyrave të bashkisë zyra që janë jo vetëm funksionale, por të pajisura tashmë me çdo nevojë logjistike.

Kjo nuk është më vetëm arrogancë, por krim institucional: në vend që të ndalet vjedhja e pandalshme që karakterizoi epokën Veliaj, e komanduar nga Edi Rama, zonja Ristani vazhdon të shpërdorojë fondet publike si të ishin buxheti i shtëpisë së saj personale.

Në një kohë kur çerdhet dhe kopshtet kanë mungesë ngrohjeje e mësuesish të kualifikuar, qindra familje në periferi vuajnë për ujë të pijshëm dhe rrugë të asfaltuara, qytetarët paguajnë taksa të larta por marrin shërbime minimale, kryetarja e komanduar vendos të shpenzojë gjysmë milioni euro për kolltuqe, tavolina, kasaforta dhe orendi të luksit të lartë.

Dhe për çfarë? Për të dekoruar zyrën e vet, si “mbretëreshë kalimtare”, pa votë dhe pa përgjegjësi!

Kjo është vjedhje klasike me tender, ku fondet e qytetarëve kanalizohen në kompani të afërta me pushtetin, për qëllime personale apo për të mbushur arkën e korrupsionit politik.

Ne i kërkojmë Anuela Ristanit të japë menjëherë llogari publike për këtë tender dhe të publikojë, arsyetimin teknik për nevojën e mobilimit të ri, listën e objekteve të porositura dhe kostot përkatëse, emrin e subjektit fitues dhe lidhjet e tij me pushtetin.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje SPAK, të nisë hetimet pa vonesë mbi këtë tender dhe të shohë këtë rast si pjesë të një zinxhiri të gjatë abuzimesh në Bashkinë e Tiranës.

Ky nuk është vetëm një shpenzim i pajustifikueshëm është një fyerje ndaj çdo qytetari që paguan taksa me shpresën se ato do përkthehen në shërbime, jo në poltrona të rehatshme për zyrtarë që nuk kanë dalë asnjëherë para votës së popullit. Bashkia e Tiranës është kthyer në një bankë private të korrupsionit. Dhe qytetarët nuk duhet të heshtin.

Është koha që çdo tender i tillë të ndëshkohet me ligj dhe çdo zyrtar që shpërdoron fondet publike të largohet nga zyra me turp”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?