Arla Merja

Politikë

Merja e PL: Shqipëria po braktiset, duhet zgjim kombëtar! Grupmosha 20-24 vjeç, është tkurrur me 48% në një dekadë

8 Korrik, 13:09| Përditesimi: 8 Korrik, 13:12

  • Share

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja tha sot  gjatë një deklarate për shtyo se Shqipëria po braktiset.

Sipas Merja “brenda pak vitesh kemi humbur qindra-mijëra qytetarë të moshës aktive, që përbëjnë forcën e punës dhe shtyllën kurrizore të zhvillimit të vendit”.

Sipas saj gjatë një dekade grupmosha 20-24 vjeç, është tkurrur me 48%.

Deklarata e plotë e Arla Merja:

Shqipëria po zbrazet! Dhe askush nuk mashtrohet më nga karnavalet e lodhura politike të Edi Ramës!

Jemi përballë një realiteti dramatik dhe të frikshëm: Shqipëria po braktiset nga vetë shqiptarët! Brenda pak vitesh kemi humbur qindra mijëra qytetarë të moshës aktive, që përbëjnë forcën e punës dhe shtyllën kurrizore të zhvillimit të vendit.

Midis viteve 2023 dhe 2024, popullsia në moshë pune ra nga 1,8 mln në 1,5 mln, një ulje drastike prej mbi 320 mijë vetësh në vetëm një vit!

Në vitin 2025, numri zbriti edhe më tej në 444 mijë më pak krahasuar me vitin 2012, që kishte numrin më të lartë të regjistruar.

Më shqetësuesja? Grupmosha 20-24 vjeç, shpresa e çdo kombi, është tkurrur me 48% në vetëm një dekadë (2015–2025).

Kjo nuk është thjesht statistikë është alarm kombëtar, është sinjali i shuarjes së Shqipërisë nga brenda.

Shqipëria mban lindshmërinë më të ulët në Ballkan, një tregues dramatik i mungesës së shpresës. Mosha mesatare rritet vazhdimisht, duke bërë që shoqëria të plaket para kohe dhe të rrezikohet vitaliteti i kombit. Shqipëria po shkon drejt një statusi ku shqiptarët janë minorancë në vendin e tyre, përballë flukseve të fuqisë punëtore të pakualifikuar që importohet nga Azia.

Shqipëria sot rrezikon të mos jetë më atdheu i shqiptarëve, por toka e filipinasve, nepalezëve, indianëve dhe bangladeshasve, ndërsa shqiptarët katandisen në pakicë në vendin e vet!

Po çfarë bën qeveria përballë këtij realiteti tragjik?

Shfaqje. Karnavale. Spektakël bosh.

Dhe një ushtri gazetarësh të paguar e të verbër që analizojnë “spektaklin”, komentojnë shkarkime drejtoresh, heqje tendash apo sa groteske janë vetë daljet e Edi Ramës. Asnjëri nuk guxon të flasë për shpopullimin, për inceneratorët që nuk ekzistojnë, për McGonigalin, për 11 majin e turpshëm që po ekspozohet çdo ditë me zë e figurë.

Ata mund të heshtin, të manipulojnë e të legenosen nëpër ekrane, por e vërteta nuk fshihet.

E vërteta është që vendi po boshatiset.

E vërteta është që shqiptarët po ikin.

E vërteta është që kjo qeveri po shkatërron Shqipërinë dhe askush nuk mashtrohet më nga teatrin politik i Edi Ramës!

Koha për ndërgjegjësim është tani, përpara se të jetë tepër vonë!

Sepse Shqipëria nuk është tokë pa zot!

Ky vend i përket shqiptarëve, dhe nuk do të lejojmë që fati i tij të shkruhet nga karnavalet politike dhe mashtruesit me kravatë. Duhet zgjim kombëtar, vizion i ri dhe politikë që vendos popullin në qendër.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?