Politikë

Merja e PL: Shumë shkolla pa tualete, ministrja bën propagandë me ‘kabinete inteligjente’! Arsimi s’ka nevojë për show e makiazh, por për reforma!

11 Qershor, 11:30| Përditesimi: 11 Qershor, 14:11

  • Share

Partia e Lirisë ka akuzuar sot Ministrinë e Arsimit për propagandë dhe shou mediatik me “kabinete inteligjente”, teksa sipas këtij subjekti arsimi është i rrënuar, ku shumë shkolla nuk kanë as tualete.

Në mungesë të kryetarit Ilir Meta, që ndodhet i paraburgosur prej 21 tetorit 2024, në konferencë për mediat doli Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Arla Merja, e cila renditi problematikat e sistemit arsimit, për të cilin theksoi se “ka nevojë për reforma të thella”.

Deklarata e plotë e Arla Merja:

“Të nderuar qytetarë! Jemi në periudhën e provimeve të maturës.

Mijëra maturantë përballen me provime që shpesh nuk matin dijen reale por stresin dhe pabarazinë, prindërit janë të shqetësuar, mësuesit të lodhur e të lënë në harresë, dhe nxënësit të pambrojtur në një sistem që nuk ka më as busull, as drejtim.

Në vend që të fokusohet te përmirësimi rrënjësor i cilësisë së mësimdhënies, te rritja e meritokracisë apo te investimi serioz në formimin profesional të të rinjve, Ministrja e Arsimit ka zgjedhur sërish rrugën më të lehtë, propagandën.

Dhe këtë herë, ajo na flet për “kabinete inteligjente”. A thua se teknologjia mund të fshijë mungesën e librave, mungesën e mësuesve të përgatitur dhe zbrazjen dramatike të bankave të shkollës. Po si mund të flasim për “kabinete inteligjente” në një sistem që nuk ka zgjidhur ende problemet më elementare?

Si mund të flasim për teknologji të avancuar, kur shumë shkolla në Shqipëri nuk kanë as tualete funksionale, as ngrohje gjatë dimrit, as ujë të rrjedhshëm apo libra të mjaftueshëm për nxënësit?

A nuk është cinike që flasim për laboratorë virtualë, kur mësuesit vetë shpesh nuk marrin trajnime reale dhe paguhen nën nivelin minimal të dinjitetit?

Të dhënat janë alarmante, çdo vit numri i nxënësve në shkolla bie ndjeshëm. Jo sepse popullsia po zvogëlohet natyrshëm, por sepse rinia po largohet. Po largohet sepse nuk beson më në një sistem që nuk i ofron shpresë, që nuk i jep as dije, as një profesion për ta përdorur në një treg të mirëpaguar.

Ndërkohë që klasat zbrazen, Ministria bën foto me projeksione digjitale dhe pretendon se po modernizon shkollën shqiptare.

E vërteta është se arsimi ynë nuk ka nevojë për makijazh. Ka nevojë për ndërhyrje serioze, për reforma të thella, për një riorientim të plotë të prioriteteve. Duhet të investohet te mësuesi, te nxënësi dhe te përmbajtja e dijes, jo te fasadat dixhitale pa thelb që i shërbejnë vetem propagandës politike.

Prandaj, në vend të shfaqjeve me “kabinete inteligjente”, i bëjmë thirrje Ministres së Arsimit dhe gjithë qeverisë, zbrisni në tokë. Shkoni në shkolla, jo për kamera, por për të parë realitetin. Flisni me nxënësit, dëgjoni mësuesit, dhe sillni politika që nisin nga nevojat reale, jo nga ambiciet për tituj lajmesh boshe.

Arsimi është themeli i çdo shoqërie. Kur ai rrënohet, shoqëria rrezikon të shembet. Dhe sot, Shqipëria po e ndjen këtë kërcënim më shumë se kurrë. Arsimi në Shqipëri nuk ka nevojë për shoë mediatik. Ka nevojë për dinjitet, për dije të vërtetë dhe për politika që vendosin nxënësin dhe mësuesin në qendër.

Por rilindja nuk është e interesuar ta bëj këtë gjë, pasi e di që qytetari i mirë edukuar është gardian i demokracisë, i zbatimit të ligjit dhe i drejtësisë sociale, koncepte që kjo qeveri i ka shkatërruar në themel”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?