Superliga shqiptare e futbollit rikthehet më 10-11 janar me ndeshjet e para për vitin 2025. Pas pak më shumë se gjysmës së sezonit klubet janë pa aktivitet zyrtar dhe në përgatitje të pjesës së mbetur të sezonit, ndërsa drejtuesit po mendojnë për merkaton.
Në orët e fundit janë disa zyrtarizime në Superligë dhe disa negociata në hyrje.
Dinamo
Klubi i Dinamos ka gjetur akordin dhe pritet të zyrtarizojë mesfushorin Fjoart Jonuzi. Kuksiani vetëm pak ditë më parë u largua nga Tirana, aty ku ishte 'shtylla' e ekipit. Lojtari është paraqitur këtë të martë pranë zyrave të klubit dhe do jetë i Dinamos për 2.5 vite.
Fjoart Jonuzi
Egnatia
Kampionët në fuqi të Egnatias kanë rikthyer në ekip fantazistin Fernando. Pas një aventure 6 mujore në Azerbajxhan, mesfushori brazilian Fernando Medeiros rikthehet tek rrogozhinasit, skuadër me të cilën spikati sezonin e kaluar. Klubi njoftoi se ka arritur akordin me lojtarin, deri në përfundim të sezonit futbollistik 2027.
Presidenti Demrozi dhe Fernando Medeiros
AF Elbasani
AF Elbasani ka zyrtarizuar dy afrime, një mbrojtës dhe një mesfushor.
Klubi verdheblu zyrtarizoi afrimin e mesfushorit nigerian Ibrahim Abass. 27-vjeçari së fundmi ka qenë i aktivizuar në Azerbajxhan me skuadrën e Zirës, ndërsa më herët ka luajtur edhe në Portugali me Paccos Ferreira dhe Arouca.
Ibrahim Abass
Edhe Sigitias Olberkis është zyrtarisht mbrojtës i skuadrës verdheblu. 27-vjeçari ka një karrierë të pasur dhe më herët ka luajtur në Bjellorusi, Letoni, Irlandë dhe Estoni. Sezonin e fundit Olberkis ka qenë pjesë e FA Siauliai në Lituani.
Sigitias Olberkis
Laçi
Klubi kurbinas njofton se ka siguruar shërbimet e mesfushorit nga Kosova, Alban Shabani. 24-vjeçari ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Laçin dhe nga dita e sotme është në dispozicion të trajnerit Moreiro.