COVID/ Merkel: Ndihma ndaj bizneseve nuk mund të zgjasë përgjithmonë

5 Dhjetor 2020, 17:24| Përditesimi: 5 Dhjetor 2020, 18:01

  • Share

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19, po godet jo vetëm shëndetin e njerëzve por edhe ekonomitë. Në diskutimin për projekt-buxhetin e vitit 2021 Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se ndihma aktuale që shteti po jep ndaj bizneseve që janë prekur nga pandemia, nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

 “Qeveria federale, shtetet dhe këshillat duhet të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive që të tejkalojmë pandeminë dhe pasojat e saja në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Merkel.

Të martën, Bundestagu gjerman pritet të debatojë për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe qeveria gjermane planifikon që të marrë hua edhe 180 miliardë euro vitin e ardhshëm.

Merkel theksoi se më 2021, shteti mund të shpenzojë shuma të mëdha parash, të cilat i ka kursyer viteve të fundit. Kancelarja paralajmëroi se për të ndihmuar qytetarët vitin e ardhshëm mund të ketë edhe shkurtime të taksave për qytetarët.

Në përpjekje për të vënë nën kontroll valën e re të infeksioneve që ka përfshirë vendin, deri në Janar do të jenë në fuqi kufizimet e pjesshme. Megjithatë Merkel theksoi se shpreson që virusi gradualisht do të zhduket pasi të nisë vaksinimi në masë.

“Pas pothuajse nëntë muajsh me pandemi, ne tani po e shohim dritën në fund të tunelit”, tha kancelarja gjermane.

Gjermania ka regjistruar 23 mijë raste të reja me koronavirus sipas institutit Robert Koch  dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve në Gjermani  ka arritur në 1.1 milion.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?