Strategu i fushatës elektorale të Partisë Demokratike të Berishës u largua në SHBA, pasi mori pjesë në çeljen e fushatës. Edhe pse Berisha u premtoi demokratëve që “u është bërë gjaku ujë” nga SHBA, se ai do rrinte deri në fund të fushatës – madje edhe pse Flamuri premtoi se ai do rrinte deri në dhjetor, edhe pas fushatës – ai erdhi, pa dhe iku.
Në vend të rekomandimeve, LaCivita i futi vetë nja tre fjalime 30 sekondëshe si kontribut personal dhe nuk la më gjurmë në fushatë. Bashkë me të është zhdukur edhe Paul Manaforti, lobisti real i Berishës, që ka tërhequr LaCivitën në këtë fushatë – njeri i akuzuar dhe dënuar në SHBA si lidhje e Putinit me fushatën e Donald Trump-it më 2016, për të cilën u dënua me 7 vite e gjysmë burg.
Nuk është pagesa arsyeja e largimit. Edhe pse janë të shtrenjtë, Berisha ka më shumë para se ata për t’i paguar. E ka pak të vështirë t’i justifikojë me bankë, por Manaforti gjen plot lidhje ruse ku mund t’i transferojë. Nuk është se nuk ka përvojë PD në këtë drejtim.
Ajo që e ka larguar LaCivitën nga fushata, duket se janë sondazhet e pashpresa për Berishën dhe pamundësia për të implementuar idetë e veta në një fushatë primitive, të dominuar nga demenca e Berishës dhe perlat e Klevisit, Flamurit dhe Vrenozit, që po shkëlqejnë në garën e budallallëkut, të cilat paraqiten si ide të LaCivitës.
Ikja e tij pa zhurmë e bujë, ndryshe nga sa u shfaq kur u prezantua në shkurt, është thjesht humbja e parë e fortë e Berishës në armën më të fortë që ai u përpoq të përdorte në këtë fushatë: duke e paraqitur atë si të dërguar të presidentit Trump. Madje këtë armë ja dogji vetë LaCivita, duke e përgënjeshtruar dhe duke theksuar qartë se nuk përfaqëson qeverinë amerikane dhe nuk lobon për heqjen e “non grata”-s së Berishës.
Berisha e shtyu shkurtin me prezantimin e LaCivitës, marsin me gënjeshtrën që do ikë në SHBA, prillin me gënjeshtrën se do t’i vijë një ftesë nga OKB që të shkelë në SHBA pa iu hequr “non grata” dhe majin, siç pritet, duke thënë që “më vodhën votat”.
Për këtë axhendë nuk është e nevojshme të paguajë çdo ditë punën e LaCivitës, se këto dështime i ka në xhep.
Justifikimi i Berishës se me LaCivitën është çdo ditë online dhe e udhëzon, është edhe më i rëndë, pasi fushata e Berishës – siç duket qartë – është një tërheqje zvarrë pas Edi Ramës, dhe nuk ka asnjë shans që LaCivita të sugjerojë një strategji të tillë.
Kjo tregon që ose ky nuk e konsulton fare LaCivitën si bëhet fushata, ose ajo që mendojmë të gjithë: ai i ka fikur telefonin dhe e hap më 11 maj për ta pyetur “si doli fushata?” dhe “kur do më paguani?”
Nuk është se po të rrinte këtu LaCivita do përmbyste situatën, por si një njeri që i shijojnë dhe paratë, dhe fitorja, nuk mund t’i japë CV-së së tij një humbje kaq dëshpëruese – siç e theksoi edhe kolegu i tij në fushatën e Trump-it, McLaughlin, sondazhisti që parashikoi fitoren e Trump-it më 2016 dhe 2024. Thjesht, LaCivita nuk do të identifikohet me humbjen e Berishës. Mund të marrë pjesë vetëm në ngushëllimet./ Tema
Komente
