Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Frustrimi nga izolimi dhe gëzimi që po ua pranojnë paratë…

30 Prill, 20:23| Përditesimi: 30 Prill, 20:26

  • Share

Shikoni pak lajmet e postuara nga udhëtimi i Berishës në Valencia.

Berisha në avion. Floriana në krah që e pyet ku po shkojnë, siç pyet naivisht një femër e dashuruar që ia ka besuar destinacionin atij që ka në krah. Dhe ai i thotë gjithë lumturi: “Në Valencia, në Kongresin e Partive Popullore.”

Pastaj zbresin. Një video tjetër. Floriana e pyet: “Çfarë do bëjmë në Valencia?”

– “Do denoncojmë mafien më të rrezikshme të drogës dhe krimit në botë që ka pushtuar Shqipërinë.”

Ajo buzëqesh prapë e lumtur dhe filmon veturën që i pret.

Pastaj hyjnë në hollin e pallatit ku mbahet Kongresi.

– “Ku jemi këtu?”

– “Këtu jemi mes liderëve të Partive Popullore në Evropë, të cilët janë shumë të lumtur që unë jam sot mes tyre.”

Pastaj ai ngrihet të flasë. Nuk është se kamera fokusohet nga salla, se ka shumë karrige bosh, por për fat të keq fokusohet tek vetë Berisha. Mes lajthitjeve që dominojnë fjalën nga demenca, e vetmja gjë e qartë ishte denoncimi i Shqipërisë si vend i krimit, drogës dhe si zanafilla e çdo të keqeje në Evropë.

Shfaqet sërish fytyra e ndritur e Florianës.

Pastaj një video tjetër:

– “Çfarë ndodhi në mbledhjen e Partive Popullore?”

– “Evropa mezi pret fitoren tonë. U mrekulluan nga fjalimi im dhe denoncimi që i bëra Shqipërisë si një vend i drogës, krimit dhe diktaturës më të egër në Evropë.”

– “Çfarë do të ndodhë tani?”

– “Tani, Floriana, unë sot kam nderin të ha darkë me gjithë këta të ftuarit në mbledhje. Darka do të jetë madhështore…” Pastaj duket që para darkës hyn në tualet.

Këto janë pak a shumë përmbledhjet e videove të postuara nga Berisha dhe zëdhënësja e tij në një takim rutinë të Partive Popullore në Valencia të Spanjës.

Mbledhja është aq e rëndomtë sa për të nuk ka asnjë lajm në mediat normale evropiane, përveç Facebook-ut të Berishës, ku triumfalizmi me të cilin ai paraqet një udhëtim rutinë nga Tirana në Valencia, tregon gjithë stresin që atij i ka shkaktuar izolimi ndërkombëtar. Miliona shqiptarë janë më të lirë se Sali Berisha për të udhëtuar në Evropë, SHBA apo Britani të Madhe, por ai mendon se po çudit shqiptarët që ka shkuar në Valencia.

Dhe kjo nuk rrezatohet vetëm te udhëtimi, por te gjithë fushata e Berishës.

Shikoni gëzimin me të cilin përjetojnë lajmin për pagesën prej 6 milionë dollarësh për një studio lobimi, e cila autorizohet të lidhë një kontratë tetë-milionë dollarëshe me një avokat të Trump-it dhe të paguajë LaCivitën me një shumë ende të padeklaruar.

Për ta, lajmi më i madh është që dikush ka pranuar t’u marrë paratë – pasi deri tani kanë pasur hall që nuk ua merrte njeri paratë.

Tani kanë avancuar. Tani ua marrin paratë. Madje ua marrin shumë më tepër se sa u shërbejnë. Dhe ky është i vetmi lajm i gëzuar jo vetëm për Berishën, por edhe për shqiptarët.

Një familje që i ka shpëtuar drejtësisë, duke marrë miliarda në kurriz të shqiptarëve, për herë të parë po shpenzon paratë e vjedhura për t’u rehabilituar. E di që është shumë e shëmtuar që me para të vjedhura të heqësh njollën e hajdutit, por kur mendon që këta vetëm vidhnin dhe bënin sikur s’kishin bukë në darkë, ndihesh mirë që po detyrohen t’i nxjerrin lekët nga vrimat.

Dhe mbi të gjitha ndihesh edhe më mirë kur e kupton se si i ka gjymtuar izolimi ndërkombëtar, aq sa përpiqen të na kthejnë në ngjarje frustrimet e tyre nga izolimi, udhëtimin në avion, futjen në sallë apo tualet të huaj, apo gëzimin që dikush ka pranuar t’u marrë paratë. Ka qenë hall i madh dikur, kur as paratë nuk bënin punë./ Tema

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kontrata e lobimit të PD, besoni se SPAK do zbulojë burimin e financimit?