Edi Rama

Mero Baze: A po kompenson Edi Rama braktisjen e luftëtarëve të UÇK nga shteti i Kosovës?

10 Maj 2022, 20:24| Përditesimi: 10 Maj 2022, 20:27

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka vizituar katër drejtuesit e lartë të UÇK në dhomat speciale në Hagë, më shumë se një vit e gjysmë pas ndalimit të tyre. Vizita ka shkaktuar polemika, pasi është vizita e parë një kryeministri shqiptar në qelitë e drejtuesve të shtetit të Kosovës, të cilët ende nuk janë vizituar nga presidenti apo kryeministri i Kosovës.

Disa muaj më parë, Hashim Thaçi refuzoi takimin me ekipin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës si të politizuar, të cilët me qëndrimin e tyre kishin rënduar pozitat e të burgosurve në Hagë.

Në përpjekje për të ndryshuar masën e arrestit për katër të ndaluarit, Gjykata kishte marrë informacione nga Kosova se të katër personat janë njerëz me ndikim të fortë në polici dhe shtetin e Kosovës, duke u paraqitur kështu si arsyetim se ata nuk mund të liroheshin dhe të shkonin në Kosovë.

Qëndrimi diabolik i administratës së qeverisë së Albin Kurtit ndaj katër drejtuesve të UÇK, reflekton hakmarrjen politike dhe nivelin e ulët të komunikimit politik në Kosovë dhe për çështje të ndjeshme siç është burgosja e ish- krerëve të shtetit.

Por a e kompenson vizita e Edi Ramës braktisjen e luftëtareve të UÇK nga shteti i tyre?

Edi Rama ka dëshirë ta kuptojmë kështu. Edhe pse ai ka raporte personale shumë të afërta me katër drejtuesit e UÇK, ai ka shkuar aty si kryeministër i Shqipërisë, pasi Gjykata e Hagës ka dështuar në motivin me të cilin nisi gjyqin, në argumentin për organizatë kriminale dhe në gjetjen e fakteve.

Akuzat ndaj liderëve të UÇK u bazuan mbi raportin e Dick Marty, i cili i akuzonte ata për trafik organesh, një akuzë monstruoze që u përdor për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar.

Sot në Hagë kjo akuzë është fshirë nga dosjet e tyre dhe nuk e përmend askush. Pra ajo u përdor vetëm si beze e kuqe për të tërhequr mbështetje për arrestimin e tyre dhe sot nuk ekziston më. Përkundrazi, Dick Marty është i kërcënuar nga serbët me vdekje, me qëllim që të fajësohen shqiptarët.

Pra është e qartë që ka rënë motivi për të cilin u sensibilizua opinioni ndërkombëtar për këtë gjyq.

Së dyti, akuzat për organizatë kriminale janë të pabaza, pasi UÇK nuk ishte një organizatë e centralizuar, e krijuar nga lart poshtë. Ajo kishte tendencë të qartë të kontrollohej politikisht nga lart, por lindja dhe zhvillimi i saj në terren ishte spontan dhe nuk krijohej nga ndonjë kupolë drejtuese, por nga gjeografia e krimeve të Milosheviçit. Aty ku ai shkonte, digjte fshatra e vriste njerëz, krijohej UÇK dhe u bashkohej pjesëve të tjera të këtij organizmi.

Aq e vërtetë është organizimi spontan i saj, sa dhe në kulmin e ndarjes me UÇK dhe FARK në vitin 1998, kur njësitë ushtarake të krijuara nga Qeverisa e Kosovës, hynë në Kosovë me simbole të UÇK. Kjo tregon se dhe rivalët e tyre kishin të njëjtin simbol. Kjo e bën UÇK lëvizje popullore, por jo organizatë, e aq më tepër kriminale.

Së treti, pafuqia e Gjykatës së Hagës pas një viti e gjysmë për të formuluar një akuzë buron nga fakti, se ata janë mbytur në faktet dezinformuese të ofruara nga zyrtarë të policisë serbe për UÇK në Kosovë, dhe tani duhet të qëmtojnë të vërtetat dhe gënjeshtrat, duke vonuar procesin në mënyre ekstreme dhe duke rrezikuar seriozitetin e gjyqit.

Ndërsa gjyqi ndaj Milosheviçit dhe palës serbe mbaroi shpejt, pasi faktet ishin sheshit dhe konkrete, gjyqi ndaj këtyre po dështon, pasi në fakt është një histori e bazuar mbi kërkime në shtyp dhe jo mbi kërkime për krime lufte.

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, është një sinjal se drejtësia ndërkombëtare nuk mund të justifikojë dështimin e vet, duke bërë një padrejtësi të re ndaj viktimave të saj. Edhe pse kjo mund t’i pëlqejë dikujt në Kosovë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vapa: 10/05/2022 23:00

    Pra ne rastin konkret "drejtesia nderkombetare" qenka e padrejte. Se shkon me imazhin e kryedallkaukut. Kurse kur nje zyrtar nderkombetar liston non grata si leter bakalli eshte "prove" qe "drejtesia kombetare" ta marre e perdore. Hajde ku ka shku niveli servillekut. Po vazhdo merru me Salen mor vlla. Cndryshon marshin kot.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?