Presidenti rus, Vladimir Putin

Mero Baze: Aleatët e fshehtë të Vladimir Putinit mes nesh

24 Shkurt 2022, 20:16| Përditesimi: 24 Shkurt 2022, 20:18

  • Share

22 vjet më parë Kosova ishte Ukraina e Europës. Sllobodan Millosheviçi, i cili për dhjetë vite rresht kishte ngritur karrierën dhe pushtetin e tij bazuar tek aneksimi i Kosovës dhe zhdukja e identitetit shqiptar të saj, u përball me rezistencën e një populli dhe në fund dhe me fuqinë e NATO-s, e cila nuk i hoqi nga duart vetëm Kosovën, por i hoqi dhe pushtetin dhe lirinë e tij personale, duke vdekur në qeli.

Pas atij leksioni të shndritshëm të Perëndimit, kur NATO dhe gjithë Perëndimi u bashkuan për të bombarduar një fuqi ushtarake që drejtohej nga një i çmendur, në emër të lirive njerëzore, u vendos një standard i cili e bëri botën më të sigurtë. Presidenti Bill Klinton dhe kryeministri Toni Blair, bashkuan botën perëndimore rreth këtij standarti.

Sot Ukraina po përballet me një Millosheviç të ri, i cili fiks për të njëjtat arsye, fiks për pushtetin e tij dhe delirin e një zaptuesi, ka sulmuar Ukrainën, duke zhytur një vend të pavarur dhe të lirë në fatkeqësi njerëzore, financiare dhe në tmerret e luftës.

Bota perëndimore sot nuk duhet të bëjë asgjë më shumë se sa atë që bëri në Kosovë. As Kosova nuk ishte vend i NATO-s, madje ashtu si e kishte katandisur Millosheviçi, ishte thjesht territor.

As Shqipëria fqinje dhe toka amtare e saj nuk ishte vend anëtarë i NATO-s. Por parimet dhe principet e Perëndimit nuk duhet të kenë kritere gjeografike. Ata duhet të shtrihen në çdo vend që rrezikohet liria dhe kundër çdokujt që rrezikon lirinë.

Ndaj Vladimir Putinit duhet te nisë qysh sot procedura për kriminel lufte, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të luftës duhet të nisë punën për dokumentimin e krimeve të tij dhe NATO duhet të mbrojë parimet e saj në një vend që aspiron NATO-n dhe është i gatshëm të përqafojë standardet e një vendi perëndimor.

Kjo është lufta e Vladimir Putinit dhe ai duhet të paguajë për këtë edhe personalisht. Është e vetmja kambanë që i zgjon nga deliri diktatorët. Millosheviçi u dorëzua javën e parë të qershorit 1999, pasi javën e fundit të majit Gjykata e Hagës nisi procesin ndaj tij, duke e shpallur kriminel lufte.

Nga ana tjetër, shqiptarët në Ballkan duhet ta shikojnë këtë si një leksion të hidhur për gjithë ata politikanë që kanë kthyer në betejë të jetës së tyre betejën me SHBA dhe Perëndimin në përgjithësi. Beteja kundër vlerave perëndimore dhe krijimi i një fronti anti-amerikan në Shqipëri dhe më shenja të fshehta dhe në Kosovë, është aleanca reale e Vladimir Putinit mes nesh.

Ata që nga foltoret dërdëllisin për sovranitetin e tyre dhe partive të tyre kundër SHBA, janë sot aleatët natyralë të Putinit. Armiku i tyre i përbashkët është Perëndimi dhe SHBA.

I kuptoj këta nostalgjikët e Bashkimit Sovjetik, ata që janë rritur me idenë se Traktati i Varshvës ishte më i fortë se NATO, apo ata që kanë qejf krekosjen e diktatorëve “që nuk pyesin për SHBA”. Nuk kam gjë me nostalgjitë e tyre, por me të ardhmen e shqiptarëve. Është koha të heshtin, të mbyllen në dhomat e gjumit e të qajnë për Stalinin, por jo në publik.

Ky është rasti kur të gjithë e kuptojmë se nëse nuk do kishim ombrellën e NATO dhe aleancën me SHBA, serbët do na pushtonin “me çifte gjahu”, siç krekosej Millosheviçi në vitet ‘90.

Është koha të kuptojmë se çdo politikan i Kosovës që bën si “sovranist” para SHBA dhe i jep mend Uashingtonit si drejtohet shteti, të kuptojë se siguria e tyre buron nga Bonstilli dhe jo nga ndonjë bandill marksist që mendon se ka zëvendësuar Leninin në Kosovë.

Por mbi të gjitha, kjo është koha që serbët të kuptojnë se historia po përsëritet jo për lavdinë e tyre, por për turpin e tyre. Hezitimet e politikes zyrtare serbe për të dënuar agresionin dhe ëndrrat e tyre në sirtar për Kosovën, shërbejnë për të diskretituar ata dhe jo për t’i shpëtuar.

Sa herë mendojnë që Putini është i fortë, sa herë mendojnë se Rusia nuk ndalet, duhet të kujtojnë Millosheviçin dhe fundin e tij si qen në qeli, për t’u kthjelluar, se është mirë të dalin sa me shpejt dhe sa më qartë kundër Millosheviçit të radhës.

Sot Ukraiana është Kosova e re e Europës, por ende pa Europën. Në këtë aspekt kjo nuk është një luftë e re, por një luftë e vjetër, që bota e ka parë dhjetëra herë. Nëse e lëmë që ajo të triumfojë, nuk do të jetë një luftë e re, por një botë e re, që do vendosë në mëdyshje gjithë botën qe jetojmë. Jo vetëm Ukrainën!

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?