Sali Berisha gjatë një konference për mediat

Opinion

Mero Baze: Arsyeja përse Sali Berisha është kaq i qetë pas 11 Majit

23 Maj, 20:53| Përditesimi: 23 Maj, 20:56

  • Share

Sali Berisha është shumë i relaksuar. Nëse i hidhni një sy intervistës së tij tek “Opinion” i Fevziut, dukej sikur kishte arritur ëndrrën e jetës së tij. Bënte humor, thoshte pa iu trembur syri marrëzira të tipit që “Lista e PD me Flamurin, Vokshin, Klevisin, Palokën etj., është më e mira e 35 viteve të PD”, apo bënte humor të tipit që do rrëzojmë Edi Ramën dhe do bëjmë qeveri teknike.

Nuk është e lehtë të kesh këtë nivel humori pas një humbjeje dërrmuese si ajo e 11 majit. Madje dhe fitimtar të jesh, të vjen pak keq për PD-në dhe përmbahesh në humorin e zi ndaj saj.

Sali Berisha nuk përmbahet.

Ai është tërësisht i qetë dhe ndjehet i përmbushur nga ajo që ka ndodhur. Dhe në fakt e ka përmbushur objektivin e vet. Qëllimi i tij ishte të mposhte çdokënd brenda PD-së që nuk pranon autoritetin e tij dhe të jetë i qetë si humbës i pushtetit, por fitues i opozitës.

E vetmja ditë e tensionuar e tij pas zgjedhjeve ishte e hëna, kur përsëriti se ai do largohet vetëm kur ta marrë Zoti, dhe ishte nervoz se mendonte se dikush do ta kundërshtonte.

Jo vetëm që nuk e kundërshtuan, por tani janë vënë në radhë kush të argumentojë më mirë dhe më fort, që Berisha nuk duhet të ikë dhe se pa atë PD është e vdekur.

Kjo është e vetmja gjë që i duhet Berishës. Nuk i hyn në punë as fati i PD-së, as fati i demokratëve 12 vite rrugëve, as kush nga PD-ja ka marrë më shumë vota apo më pak vota. Atij i duhet të rrinë urtë, të thonë që na duhet Berisha dhe ai të vazhdojë përpara betejën me drejtësinë, duke i kërcënuar në emër të PD-së.

Është kjo arsyeja që e ka relaksuar atë në kontrast të thellë me fytyrat e nxira të PD-së dhe nervozizmin e tyre. Të gjithë janë nervozë: si do e bëjnë këtë betejë për qeveri teknike, si nuk do njohin zgjedhjet por do bëhen deputetë, si do rrëzojnë Edi Ramën, si do paguajnë LaCivitën, si do heqin “non grata”-n e Berishës etj., kurse ai është tërësisht i qetë.

Ai ka marrë atë që ka dashur, natyrisht duke i lënë të gjithë rrugëve, në rresht për një pas tij. Ndaj ka arsye të ndjehet se ka fituar… mbi PD-në. /TEMA/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • koli: 24/05/2025 00:06

    bravo mero je i madh..... ....

    Përgjigju
  • eni: 23/05/2025 21:56

    Fiks fare e ke thene!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?