Mero Baze: Autokritika e LSI-së për djegien e mandateve, si akuzë për Bashën

17 Mars 2021, 22:52| Përditesimi: 17 Mars 2021, 22:57

  • Share

I pari e tha Luan Rama. Në një debat televiziv dje, ai kërkoi ndjesë në emër të LSI-së për djegien e mandateve dhe braktisjen e Kuvendit më 2019.

Sot edhe Edmond Haxhinasto e kishte thënë diku. Ilir Meta e ka përsëritur këtë disa herë. Në raste të tilla, kur flet Ilir Meta, nënkuptohet dhe Petrit Vasili.

Monika Kryemadhi nuk ka folur këto ditët e fundit, por nuk besoj se do thotë “më trembi Luli, se unë grua jam”.

Fushata e LSI-së për të kërkuar ndjesë për një nga aktet më të rënda të historisë së parlamentarizmit në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve të reja, ka vetëm një kuptim: t’ia lëjë përgjegjësinë e këtij akti Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike.

Por në këtë rast, më shumë se sa përpjekje për t’ia lënë përgjegjësinë Bashës, është një mënyrë për t’u viktimizuar si një parti që ka sakrifikuar për hir të aleatit të saj PD, dhe tanimë duhet mëshiruar.

Dhe kjo bëhet kur LSI ndeshet në bazë me mosbesimin e votuesit të saj të hershëm, braktisjen e tyre dhe thithjen e shumicës së tyre nga Partia Demokratike.

Por në një plan pak më afatgjatë, LSI dhe Ilir Meta po përpiqen të krijojnë bazën mbi të cilën do akuzojnë Lulzim Bashën për humbjen e 25 prillit dhe realizimin e ëndrrës së Ilir Metës për t’u bërë lider i opozitës më 26 prill, siç ka premtuar.

Dhe në fakt ka gjetur akuzën reale. Krye-akuza e vetme e vërtetë që rëndon mbi Lulzim Bashën, sa i përket djegies së mandateve, është se ai i mundësoi Edi Ramës të ketë një Parlament, i cili votoi ndryshimet në Kodin Elektoral, të cilat rikthyen normalitetin në të vetmin deformim të Kodit që Berisha e kishte bërë më 2009, për të favorizuar Partinë Demokratike.

Është fjala për mundësinë e koalicionit me lista të përbëra të partive, dhe jo me një listë të përbashkët, siç është tani.

Ky ndryshim i ka hequr sot opozitës, PD-së, LSI-së dhe aleatëve të tyre, avantazhin që mund të kishin më 25 prill, për të mundur Edi Ramën.

Praktikisht kjo është goditja më vdekjeprurëse që ai vendim për djegien e mandateve, i ka dhënë sot opozitës.

Nuk ka asgjë më të sigurtë se ai vendim, që do t’i mundësojë asaj humbjen. Kjo do të dalë shumë thjeshtë nga llogaritjet matematike. Është një ushtrim i thjeshtë, që dhe Lulzim Basha mund ta bëjë.

Në këtë pikë, Ilir Meta dhe njerëzi e tij në LSI kanë të drejtë ta bëjnë gati qysh sot akuzën e gjyqit për Lulzim Bashën.

Problemi është se bashkë me Lulzim Bashën, atë vendim e ka mbrojtur dhe Sali Berisha, tek i cili Ilir Meta shpreson të ketë ndihmën për t’u bërë kryetar i opozitës.

Ndaj para se t’i bëjë gjyqin Lulzim Bashës, duhet të sigurohet se kryegjykatësi i PD-së, është në anën e tij. Ndryshe do ketë një humbje tjetër më 26 prill.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?