Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Baltosja e zgjedhjeve me votën e diasporës është i vetmi ngushëllim për Berishën

14 Janar, 22:01| Përditesimi: 14 Janar, 22:06

  • Share

Ndërkohë që ka filluar procesi i regjistrimit të diasporës shqiptare si votuese për zgjedhjet e 11 majit, kanë nisur të shfaqen rezervat e para, kryesisht nga opozita, për procesin dhe transparencën e votimit.

Jozefina Topalli, e ngarkuar të merret me mobilizimin e opozitës në diasporë, duket e dëshpëruar për mungesën e kohës dhe mjeteve financiare në këtë punë, ndërsa kanë filluar ankesat e para se procesi i votimit të diasporës nuk ka standardin e procesit për votuesit shqiptarë.

Ofensiva e socialistëve në diasporë është vënë në qendër të sulmeve, jo vetëm për shkak të epërsisë që ata kanë politikisht, por edhe për mundësitë financiare dhe njerëzore. Këto ankesa po shoqërojnë këtë fushatë që në fillim.

Po t’i shtosh këtu edhe faktin që një votues i diasporës, në këto kushte ligjore kur bëhet votimi, nuk e ka luksin të shmangë votimin familjar, siç e parashikon kodi shqiptar, ndërkohë që edhe identifikimi i votës është i rrezikuar në kushtet specifike të votimit në diasporë, situata komplikohet. Palët kanë rënë dakord që votën t’ua dërgojnë me zarf nga KQZ dhe ata ta kthejnë po me zarf në Tiranë.

Në këto kushte, duket sikur opozita po pranon ta vazhdojë garën vetëm për të siguruar një alibi për të bërë pis zgjedhjet pas humbjes.

Meqë procesi brenda Shqipërisë është dukshëm më transparent dhe institucional, Sali Berisha, me sa duket, ndjehet i “qetë” që ka gjetur një arsye për të sulmuar rezultatin pas zgjedhjeve, duke akuzuar votimin e diasporës si shkak për humbjen.

Edhe pse votuesit që po regjistrohen do të kalojnë disa hapa të tjerë deri në finalizimin e të qenit votues dhe nuk mendohet se ata do të bëjnë diferencën mes fituesit dhe humbësit në Shqipëri, e vetmja gjë që mund t’i shërbejë Berishës nga këto votime është të ketë një alibi për humbjen.

E vetmja pikë ku mund të bjerë dakord me PS në këto kushte është vetëm shtyrja e datës së dërgimit të votës së diasporës, pasi të shpallen kandidatët për deputetë 45 ditë para zgjedhjeve. Por kjo nuk shmang rregullat aktuale të votimit në fuqi.

Kështu që dëshpërimi me të cilin opozita po nis fushatën e diasporës, ankesat e saj për epërsinë e PS-së në këtë fushë, si dhe problemet që mund të shoqërojnë votimin, vlejnë vetëm që Berisha ta ketë një alibi pas 11 majit përse humbi thellë.

Kjo është edhe arsyeja që po pranon të bëjë një pakt teknik me PS-në që votimi të kryhet. I duhet domosdoshmërisht një arsye madhore pse do të humbasë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?