Në të njëjtën ditë që Sali Berisha ka dorëzuar një letër në sekretarinë e Asamblesë Politike të PPE ku i njoftonte ata se duhet një mision faktmbledhës që të provojnë se Shqipëria është “narkoshtet”, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe ka deklaruar se Shqipëria ka shanse reale të anëtarësohet në vitin 2029, nëse gjërat shkojnë kështu siç po ecin tani.
Pra kemi njeriun më të rëndësishëm të Evropës që na premton se do na anëtarësojnë në vitin 2029 në Bashkimin Evropian, dhe ish-njeriun më të rëndësishëm të Shqipërisë në 12 vite pushtet dhe pastaj në opozitë, që i kërkon Evropës të na shpallë “narkoshtet”.
Të gjithë ata që janë gati të revoltohen duhet të përmbahen. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë dëm real për Shqipërinë. Në shumë aspekte, gjuha ekstreme e Sali Berishës dhe çmenduria e tij janë si bekim edhe për defektet e Shqipërisë. Çdo europarlamentar apo deputet perëndimor, ka një standard të vetin për vendin e tij, që e ka standard dhe për të tjerët kur i gjykon.
Një francez, fjala vjen, nuk dëgjon kurrë nga një polak, që Polonia duhet izoluar; një gjerman nuk dëgjon kurrë nga një hungarez që Hungaria duhet shpallur diktaturë, e kështu me radhë.
Në këtë pikë, çdo politikan evropian ka plot arsye të mos besojë deri në fund entuziazmin e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, apo spektaklet e Edi Ramës me liderët evropianë, por ka një arsye që ata i bën më të ndjeshëm ndaj rrugës evropiane të Shqipërisë dhe ai është Sali Berisha.
Kur një politikan evropian dëgjon këtë gjuhë, këtë egërsi dhe urrejtje për vendin e tij nga një njeri që ky vend e ka bërë president, kryeministër dhe lider opozite, kur dëgjon dhe shikon shfryrjet e tij primitive, urrejtjen që i buron nga çdo qelizë e fytyrës, dhe mbi të gjitha degradimin mendor të tij, fillojnë e besojnë më shumë Marta Kos dhe Edi Ramën, edhe pse ndoshta nuk e meritojnë t’u besosh deri në fund.
Kur shikojnë se kush është alternativa tjetër e këtij vendi, kur shikojnë se një humbës kronik heq dorë nga edhe nga ankimi për humbjen por thotë duhet të humbasë Shqipëria tani që humba unë, ata natyrisht që vetëdijësohen më shumë se vetëm futja në Bashkimin Evropian e shpëton Shqipërinë nga politikanë toksikë, që dështimet e tyre duan t’ia faturojnë Shqipërisë.
Kështu që mos u egërsoni me Sali Berishën. Nuk i bën dot ndonjë dëm real Shqipërisë. Përkundrazi, bën më të besueshme dhe më të nevojshme premtimet dhe aspiratat e këtij vendi për në Evropë. Kur bëhet krahasimi mes dikujt që i vijnë gjithë liderët evropianë në Tiranë dhe lavdërojnë Shqipërinë dhe dikujt që ngrihet natën si i çmendur të shkojë t’i “dëshmojë” Evropës se vendin e tij s’duhet ta pranojnë kurrë se është narkoshtet, e kupton më mirë se Sali Berisha është ilustrimi i arsyes përse duhet të bëhemi një vend evropian dhe jo të mbetemi në dorën e logjikës shpellare të tij.
Do na bënte dëm sikur të ishte njeri normal dhe udhëheqës normal. Si i çmendur dhe i lig, është thjesht halli i familjes së tij biologjike dhe asaj politike. Të parët e kanë nxjerrë në rrugë për lek, të dytët e mbajnë në krye të vendit, për rrogë. Kaq janë gjithë hallet e tyre. Nuk kanë lidhje me hallet e Shqipërisë./Tema
Komente
