Partia Demokratike ka bërë 4 konferenca për shtyp në harkun e dy orëve, ku flet për manipulime votash dhe ka nisur vajtimin për procesin zgjedhor, ndërkohë që kryetari i saj, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk largohet nga posti i kryetarit të PD-së edhe nëse i humbet zgjedhjet. Siç e dimë të gjithë, ai pranoi se do ikë nga PD-ja kur ta marrë Zoti.
Të dyja zhvillimet lidhen me njëra-tjetrën.
Fillimi i vajtimit të humbjes dy ditë para zgjedhjeve e kthen PD-në në traditën e saj të vjetër të mosnjohjes së humbjeve në zgjedhje, ndërsa premtimi i Berishës se do ikë nga PD-ja kur të vdesë, e kthen betejën e tij kundër Lulzim Bashës dhe gjoja demokracinë në PD në një gënjeshtër fyese për çdo demokrat që e besoi qoftë dhe për një minutë atë histori përçarjeje, vetëm për pushtetin e tij personal.
Pra, prej sot PD ka filluar të mendojë për 12 Majin. Po mendon fillimisht se si do t’i kontestojë zgjedhjet dhe si do ta justifikojë Berishën që të vdesë bashkë me PD-në ose pas saj në zyrat e SHQUP-it.
Madje, për këtë do të justifikojë dhe paratë që paguan për këshilltarët amerikanë, pasi siç e tha edhe në intervistë, nuk do të ketë më mbështetje nga SHBA pas hapjes së kutisë së parë, çka do të thotë se do bëjë Departamentin e Shtetit që të mos i njohë zgjedhjet.
Kjo është një deklaratë fyese për SHBA, të cilën ai e identifikon me LaCivitën, dhe ashtu siç merr ai 6 milionë euro mendon se mund të blejë dhe Departamentin e Shtetit, madje dhe ambasadën ta marrë në protesta në Tiranë.
Dhe në traditën e krijuar me talljen për heqjen e “non grata”-s, mund të krijojë lajme të tjera, fjala vjen që një gazetar pyet një kongresmen dhe i thotë: “A je dakord ti të njohësh zgjedhjet që janë vjedhur në Shqipëri?”, dhe ai t’i thotë që SHBA nuk njeh zgjedhje të vjedhura. Dhe nuk njeh vërtet, s’ka si përgjigjet ndryshe - pavarësisht se ky nuk është rasti.
Por e gjithë kjo betejë e gënjeshtërt, si për të njollosur zgjedhjet ashtu edhe për të mbajtur me çdo kusht Berishën në krye të PD-së, janë të vetmet beteja që i bëjnë nder Edi Ramës. Ta shpartallosh Berishën ashtu siç po ndodh në këto zgjedhje, dhe të kesh luksin ta kesh përsëri kundërshtar në fushë-betejë, do të thotë të lindësh me këmishë, dhe të punosh përjetësisht si i dërguar i Zotit për Edi Ramën.
Dhe kjo është e vetmja fjali që duhet plotësuar te deklarata e Berishës që thotë “nuk iki po humba, se jam misionar”. Ashtu është. E ka dërguar Zoti të plakë Edi Ramën në pushtet./Tema
Komente
