Gjin Gjoni i ka bërë një shërbim të mirë Shqipërisë. Falë profilit të tij dhe historive konkrete të gjyqeve të tij, ai ishte një nga gjyqtarët simbol, që mobilizoi Perëndimin të mbështeste Reformën në Drejtësi në Shqipëri.
Emrin e tij e shqiptonin “Xhin Xhoni”, në takime zyrtare që nga Sekretari i Shtetit në SHBA, deri tek Kancelaria Merkel, dhe ishte ilustrim i faktit se Perëndimi nuk mund të investonte më në Shqipëri, nëse nuk kishte siguri për investimet e huaja, përballë një drejtësie të korruptuar.
Dhe këtu shfaqej sërish rasti i një investitori gjerman në Rinas, që kishte humbur 1 milion dollarë nga një gjyq i trukuar, përballë familjes së “Xhin Xhonit”.
Historia e tij e mëparshme ishte një histori tipike gjyqtari, që bënte shërbime politike dhe pastaj kishte leje të bënte miliona, duke lëshuar trafikantë droge në kërkim ndërkombëtar, apo duke ndëshkuar kundërshtarë të Berishës në media apo politikë.
Me pak fjalë, Gjin Gjoni i bëri një nder Shqipërisë, duke i detyruar gjithë palët të viheshin në rresht nga SHBA dhe BE dhe të miratonin me 140 vota një Reformë në Drejtësi, e cila tani që ka produktet e veta natyrisht shfaq dhe problemet e veta, por kurrë më të mëdha se problematika që ka pasur drejtësia e vjetër.
Pas kësaj Gjin Gjoni u shfaq i padëshiruar nga ambasada e SHBA në Tiranë, duke i anuluar vizën amerikane, ndërsa në takime private informale diplomatët e huaja ilustronin bisedat me gazetarë me shpenzimet marramendëse të tij në weekend-e nëpër Evropë dhe blerje deri kostume Louis Vuitton për qenin e tij.
Kur Reforma në Drejtësi filloi të funksiojë, kur vettingu filloi të skualfikojë gjyqtarë dhe prokurorë, Gjoni u tërhoq nga drejtësia, mori për dy vite leje lindje për fëmijën dhe kështu i shpëtoi përballjes me vetingun dhe pasojave penale që mund të kishte.
Më pas aktorët politikë që votuan Reformën në Drejtësi, u përballën vetë me pasojat e saj.
Qeverisë i ranë dhjetëra “dëshmorë’ në fushën e betejës, ndërsa Sali Berisha dhe opozita po përballen me një proces hetimi që i ka kthyer në armiq të tërbuar të saj.
Dhe kjo fazë e Reformës në Drejtësi dhe veprimit të saj, ka nxjerrë në pah sfidat e reja të politikës me drejtësinë. Ka nxjerrë në pah, kush e ka votuar i bindur që duhet dhe kush e ka votuar me shpresë se mund ta kalonin pa lagur.
Edi Rama po qëndron në anën e Reformës edhe pse është më i dëmtuari prej saj. Ana pozitive e kësaj sfide, është se ai po krijon një kulturë politike të përgjegjësisë personale para drejtësisë, dhe heqjen e mbështetjes politike për këdo që përballet me të.
Dhe kjo është në thelb diferenca mes kulturës perëndimore dhe asaj lindore me drejtësinë.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, jo vetëm që kanë tërhequr mbështetjen për drejtësinë e re, por kanë nisur betejën e tyre dhëmb për dhemb kundër saj. Dhe një nga pikat e kësaj beteje është aleanca me viktimat e Reformës në Drejtësi.
Këtu Gjon Gjoni po na bën shërbimin e dytë, tanimë për të ilustruar objektivin politik të frontit kundër drejtësisë në Shqipëri. Ai ka lënë vilën 2 milion dollarë në Rolling Hills në Tiranë dhe bizneset e tij, dhe është nisur drejt Lezhës të drejtojë degën lokale të Partisë së Berishës dhe për tu kthyer në një luftëtar simbol i objektivit politik opozitar, që është zhbërja e drejtësisë së re dhe shpëtimi i Sali Berishës dhe fëmijëve të tij.
Gjin Gjoni nuk i duhet partisë së Berishës për të mbledhur vota në Lezhë, se nuk është se është njeri popullor atje. Nuk i duhet as për kapacitet intelektual, se është një gjyqtar gjashtëmujorësh. I duhet simbolikisht për tu treguar të gjithëve, se cili është objektivi i tij. I duhet një “viktimë” simbol e Reformes në drejtësi, kundër saj.
I duhet si një i zgjedhur i pasur si gjyqtar që mund të inkurajojë banditë apo trafikantë, duke ju premtuar se drejtësia do bëhet prapë siç ishte kur të fitojë partia e tij. I duhet gjyqtari i partisë.
Dhe ky është një shërbim i dytë pozitiv që po i bën Shqipërisë.
Ai e ka bërë më të thjeshtë për tu kuptuar se çfarë përfaqëson partia e Sali Berishës dhe ata që i bashkohen atij, qoftë si luftëtarë kundër drejtësisë, qoftë dhe si mbështetës të drejtësisë por që “bashkohen me Gjin Gjonin në diversitet”.
Sali Berisha nuk ka gjetur kryetar për një degë partie, por ka gjetur një degë partie, për t'ia dhënë një gjyqtari simbol, për tu thënë të gjithëve se përse duhet të luftojnë.
Jo për të përmbysur qeverinë, por drejtësinë. / Tema