Mero Baze: Debati rreth sendeve, në vend të debatit rreth ideve

8 Shkurt 2022, 20:20| Përditesimi: 8 Shkurt 2022, 20:21

  • Share

Në Kosovë qeveria ka provokuar një debat pas vendimit të saj për të rikonstruktuar shtëpinë e njohur si “Shtëpi e Xhafer Devës” në Mitrovicë, një ndërtesë që lidhet me emrin e tij në kohën kur Mitrovica nën pushtetin gjerman, u bë pjesë e Shqipërisë dhe kur Xhafer Deva ishte figura më e njohur politike shqiptare e lidhur me nazmimin dhe personalisht me Hitlerin.

Debati është jo racional, pasi me aq sa kam kuptuar qeveria e Kosovës nuk është duke bërë ndonjë nderim për figurën e Xhafer Devës, por por rikonstrukton një shtëpi historike të qytetit. Nuk jam I qartë se cili do jetë objekti përfundimtar I këtij projekti, nëse ajo do bëhet muze, apo instiotucion kulturor, por nuk kam parë askund të thuhet se po rehabilitojnë Xhjafer Devën, por shtëpinë që lidhet me emrin e tij.

Ndërtesat janë pasuri publike, edhe kur lidhen me personazhe të forta të historisë që kanë shkëlqyer dhe nxirë në periudha të ndryshme. Ndërtesat më të bukura të Shqipërisë deri më 1990 lidhen ose me ata që komunistët I quajtën tradhëtarë, ose me komunistët. Ministritë na I ka ndërtuar të gjitha fashizmi, stadiumin po ashtu, Sarajet në shumicën e vendit ata që komunzimi I shpalli tradhëtarë, dhe disa ndërtesa tipike të komunizmit si Komiteti Qendror që sot është zyra parlamenti, e kanë ndërtuar sovjetikët. Pastaj komunizmi ndërtoi Piramidën apo Shtëpinë e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Nuk po I përmend këto kullat e pas vitit 2000, se nuk dihet akoma kush I ndërton.

Debati rreth figurave hisotrike duhet ndarë nga fati I ndërtesave, aq sa ndahet historia nga gjeografia. Ndërtesat janë pjesë e gjeografisë së qyteteve tona, që natyrisht mbartin dhe historinë e qyteteve mbi supe. Nëse do bashkonim qëndrimin që mbajmë ndaj historisë me qëndrimin ndaj ndërtesave së paku në Shqipëri duhet të prishësh çdo ndërtesë sa herë ndërron pushteti.

Debati rreth fashizmit në botë është I ezauruar. Në Kosovë po ashtu. Kosova u bë e lirë dhe e pavarur fal përballjes me fashizmin serb.

Por egzistenca e një ndjenje tolerance ndaj fashizmit në Kosovë, gjatë luftës së dytë botërore, egziston jo për shkak të adhurimit të fashizmit, por se pushtimi I Kosovës nga fashizmi, çliroi shqiptarët nga fashizmi serb, I cili ishte shumë herë më mizor se ai që vinte nga Perëndimi.

Fashizmi gjeti në Kosovë një popull pa asnjë liri njerëzore , të diskriminuar, të mbajtur në analfabetizëm, në mjerim ekonomik dhe pa pozita shoqërore.

Të bashkuar në një shtet me Shqipërinë, aty e përqafuan menjëherë frymën kombëtare, u hapën 400 shkolla zyrtarisht, shifër që shpesh citohet si më shumë, u rritën shqiptarët në pozita shoqërore, e sociale, u krijuan institucionet kulturore, u botua letërsia shqipe, u ngritën biblioteka qytetesh, dhe u bë shkëmbimi i burimeve njerëzore nga Shqipëria në Kosovë.

Rreth 1000 arsimtarë shkuan nga Shqipëria që ndihmuan arsimin në Kosovë. U krijua materia e parë e bibliotekave në Kosovë. U mësua shqip .

Por deri këtu. Më tej formimi I Batalionit “Skënderbeu”, dhe përfshirja e fashizmit në qeverisjen e Shqipërisë, rrezikoi seriozisht Shqipërinë të konsiderohej vend aleat me fuqitë e mundura nga Lufta e Dytë botërore.  Kjo mund të na shkëpuste jo vetëm Kosovën që u shkëput, por dhe Jugin e Shqipërisë e më tej.

Por dhe vet Xhafer Deva, figura më e shquar e fashizmit në botën shqiptare, duket se nuk ka qenë dhe aq fashist, derisa u strehua pas lufte në Itali e më pas në SHBA, pa u prekur nga askush dhe me rezidencë ku I lejohej të valviste dhe flamurin e Shqipërisë. Por ky është tjetër debat, që do më shumë ngjyra dhe më shumë kontekst historik.

Nga ana tjetër antifashistët e Kosovës të cilët u betuan në Konferencën e Bujanit se përmes antifashizmit do ta bënin më të lirë popullin e Kosovës, dhe të pavarur prej Serbisë, në fakt dështuan dhe e futën Kosovën sërisht nën një fashizëm më të keq se ai që iku. U futën dhe vet në atë pushtet dhe e shijuan deri më 1989.

E vërteta është se në fillim fashizmi serb dhe më pas komunzimi serb, e mbajtën Kosovën të shtypur.

Liria e Kosovës erdhi nga beteja e saj me komunizmin serb, regjimin e fundit gjakatar në Evropë, për të cilën u desh ndërhyrja e NATO dhe angazhimi I perëndimit për ta zbuar nga Kosova.

Kosova e fitoi pavarësinë e saj, fal faktit se zgjodhi të bëj betejë si shoqëri demokratike, si shoqëri ku duhet respektoheshin gjithë qytetarët, si shoqëri që duhet të kishte zgjedhje të lira  dhe qeveri të qytetarëve të saj.

Këtë kthesë në historinë e Kosovës e shënoi Ibrahim Rugova, I cili ndryshoi gjithë historinë e Kosovës, kur vendosi dhe bindi shqiptarët, se liria e Kosovës nuk vjen as nga nacionalkomunizmi I lidhur me Shqipërinë komuniste dhe as nga nacionalfashizmi I Miloshevicit, por nga demokracia dhe beteja për një shoqëri të lirë demokratike. Vendosmëria e tij për të shkuar drejt kësaj rruge, duke ruajtur shqiptarët nga shfarsoja dhe duke I lënë kohë vetes të bënte aleate ushtirnë më të madhe të botës, NATO, është një nga vendimet më të mëdha antifashiste dhe antikomuniste të shqiptarëve të Kosovës.

Pjesa tjetër është debat rreth sendeve. I vetmi debat rreth ideve, është debati që Kosovën nuk e ka ndihmuar as fashizmi as komunizmi, por demokracia dhe Perëndimi. Çdo vlerë antiperëndimore në Kosovë, nuk është në anën e shqiptarëve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?