Për të kuptuar skemën gëbelsiane të zyrtarëve të SPAK që merren me propagandë për të mbuluar dështimet e tyre, shikoni se çfarë po ndodh me inskenimin e gjyqit popullor ndaj Veliajt, në vend të një gjykimi të drejtë dhe dinjitoz që meriton çdo qytetar i Shqipërisë i marrë i pandehur.
Në qendër të akuzave është Ajola Xoxe, gruaja e Erion Veliaj, e cila përveç biznesit të saj si avokate, nga e cila ka të ardhura të mjaftueshme, ka drejtuar edhe një organizatë jofitimprurëse në ndihmë të artit, kryesisht në vënien në skenë të disa operave apo ekspozita pikturash. Veprimtari të tilla natyrisht sponsorizohen nga donatorë, dhe mes donatorëve të saj janë edhe institucione ndërkombëtare dhe biznese shqiptare.
Deri tani janë marrë të pandehur 7 biznesmenë dhe 7 të afërm apo bashkëpunëtorë të saj, si dhe 16 kompani, pse kanë bashkëpunuar me të në fushën e donacioneve për artin.
Të gjithë këta janë të lirë dhe akuzat janë nga më banalet, deri tek spekulime flagrante me vetëdije për të rritur numrin e të marrëve të pandehur, që të krijohet ideja se kanë zbuluar një grup të krimit të organizuar.
E gjithë kjo veprimtari, në të cilën maksimumi mund të ketë shkelje të disiplinës fiskale apo kundërvajtje administrative në raportet mes donatorëve dhe OJQ-së, nuk ka asnjë lidhje me Erion Veliajn dhe postin e tij si kryetar bashkie, përveç faktit që ai është burri i Ajola Xoxes.
Pra, nuk kemi ndonjë hetim për Erion Veliajn, nuk kemi ndonjë hetim për punën e tij si kryetar bashkie, por një përpjekje për të lidhur veprimtarinë e një OJQ-je të gruas së tij që ka ndihmuar artin në kryeqytet, qoftë edhe me probleme fiskale, me postin e kryetarit të Bashkisë. Nuk ka asnjë akuzë, as të sajuar, që Veliaj është i përfshirë në keqpërdorim të buxhetit të bashkisë për këtë OJQ apo të jetë i përfshirë në raporte financiare me punën e saj.
Megjithatë, Erion Veliaj ka 7 muaj në paraburgim, në kushte të pabarabarta me çdo të burgosur tjetër, me diskriminim të qartë jo vetëm nga SPAK, por edhe nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë që merren me burgjet, dhe me një sjellje linçuese ndaj tij, edhe kur ka nevoja bazike siç janë problemet shëndetësore.
Arsyetimi përse e kanë mbajtur në burg ka ndryshuar nga një shkallë gjykate në tjetrën.
Në shkallë të parë i thanë se rrezikon të prishë provat, se është kryetar bashkie dhe mund të arratiset. Në Apel e harruan këtë dhe thanë se është sjellë keq në qeli dhe ka folur në telefon me botues e gazetarë duke sharë prokurorë. Kur u publikuan përgjimet, u pa që ishin gënjeshtra, por gënjeshtrat që mbushën portalet bënë punën e vet.
Në Gjykatën e Lartë nuk ishte nevojë për gënjeshtra të reja, se ishte në dhomë këshillimi.
Ky është një rast i jashtëzakonshëm që mund të hyjë në historinë e jurisprudencës në një vend që pretendon të jetë shtet i së drejtës, kur një kryetar bashkie në detyrë arrestohet pa akuzë dhe mbahet në burg, për akuza që u ngrihen 14 bashkëpunëtorëve të gruas dhe 16 kompanive, për një veprimtari e cila nuk ka asnjë lidhje me detyrën e tij, por që ata janë të lirë.
Për të justifikuar ndëshkimin, kanë krijuar një roman policor pa asnjë mbështetje me fakte, por vetëm me supozime prokurorësh. Nëse merr deklaratat e pasurive të vetë prokurorëve të Veliajt, raste të ngjashme kanë vetë prokurorët, herë si kërkues leje për mamanë, herë duke jetuar te shtëpia e vjehrrit, ata nuk i quajnë shtëpitë e prindërve apo të vjehrrit si shtëpi faktike të tyre, kurse Veliajt ia quajnë shtëpinë e pushimit të vjehrrit shtëpi faktike të tij pse ka shkuar të takojë djalin tek gjyshi.
Kjo është panorama e dosjes së tij në vija të trasha.
Për të mbuluar këtë dështim, prokurorë dhe zyrtarë të medias në SPAK, që përdorin “gazetarët” e tyre për propagandë, kanë filluar sot gjyqin popullor ndaj Veliajt në përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga fakti që ende nuk gjejnë lidhje mes arrestimit paraprak të Veliajt dhe “fakteve” të zbuluara nga hetimet.
Kështu ka 24 orë që dëgjojmë se Veliaj pi 30 kg raki në qeli, ndërkohë që sendet që hyjnë në qelinë e Veliajt kontrollohen sikur shkojnë në qelinë e një terroristi. Ulsi Manja ushtron çdo javë rregullisht kontrolle në orën 12 të natës dhe pastaj e justifikon tek Edi Rama se kishte informacione se ai fliste me dikë në telefon, por nuk e kapën dot këtë radhë.
Pastaj vazhdon trilleri i një “të penduari” të drejtësisë nga punonjëset e Xoxes, e cila gjithçka çfarë mund të tregojë është nëse Ajola ka prerë faturë apo nuk ka prerë faturë. Por askush nuk e përmend se çfarë ka thënë, por të gjithë flasin për Erion Veliaj ndërkohë që ajo s’ka qenë as punonjëse bashkie e as ka lidhje me Veliajn.
Më tej vazhdojnë spekulimet duke nxjerrë përgjime nga dosja, si i ka dhënë telefonin polici, çfarë paskë dëgjuar polici nga biseda telefonike, e kështu me radhë duke vazhduar telenovelën e zakonshme që të justifikojnë dështimin.
Në finale kemi një kryetar bashkie që është arrestuar prej shtatë muajsh pa akuzë, dhe tani që kemi dosjen në dorë, duket qartë se ai mbahet në burg për të gjithë ata që janë jashtë burgut dhe të marrë të pandehur, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin dhe vetë ata nuk kanë asnjë raport as me Veliajn dhe as mes njëri-tjetrit. Janë thjesht njerëz që kanë bashkëpunuar në një OJQ arti me gruan e tij.
Ky është një dështim, pasojat e të cilit do të kuptohen më pas, kur procesi gjyqësor të nisë, ku skenat do të përsëriten sa herë të shkojë në gjykatat e kontrolluara nga SPAK për t’u demontuar pastaj në Gjykatën e Lartë dhe Strasburg.
Deri atëherë, Veliaj do të duhet të vuajë një burg pa dënim, për një dosje hetimore që është e përqendruar te veprimtaria e një organizate jofitimprurëse të gruas së tij dhe donatorëve të saj, që nuk i kanë shkaktuar asnjë dëm Bashkisë së Tiranës, përveçse kanë gjallëruar jetën artistike të kryeqytetit.
E di që pas disa vitesh të gjithë do të tregojnë me gisht prokurorët e kësaj çështjeje, por kjo do të jetë thjesht pjesë e bilancit të dështimit të Reformës në Drejtësi. Tani që duhet folur dhe duhet thënë publikisht e vërteta, të gjithë po bëjnë sikur nuk e kanë mendjen. Madje kjo i ka dhënë shansin Sali Berishës të bëjë atë që di të bëjë më mirë, duke bërë diversion sikur mbron Veliajn, por që në fakt mbron tezën e tij të vjetër kundër SPAK, i cili fatkeqësisht i jep prova përditë në favor të tij. Është në të drejtën e tij ta bëjë këtë. E ka bërë qysh në fillim.
Vetë prokurorët e SPAK duket që janë në siklet nga cektësia e akuzave dhe sajimi i një romani policor për të justifikuar arrestimin paraprak të një kryetari bashkie të zgjedhur tre herë në kryeqytet, dhe do ishin lehtësuar shumë sikur qeveria të kishte lëvizur gurët dhe ta lironte Veliajn në Gjykatë të Lartë, pasi kështu edhe ata do ishin heronj me alibi, dhe qeveria do njollosej si shpëtimtare e Veliajt.
Nga ana tjetër, vetë qeveria ka pritur që Gjykata e Lartë ta bënte këtë gjë vetë, me shpresë që kështu të dukeshin heronj të shpëtimit të Veliajt pa lëvizur gishtin nga vendi, dhe t’i tregonin SPAK vendin, se kishin me vete Gjykatën e Lartë.
Por meqë kjo nuk ndodhi, tani SPAK është në hall të justifikojë marrëzinë që ka bërë, dhe qeveria në hall të justifikojë dorëzimin e kokës së Erion Veliajt në sini, me shpresë se kështu lumturohen ca njerëz brenda pushtetit dhe vetë pushteti duket parimor në sytë e atyre që mendojnë se drejtësia e re po funksionon.
Dhe derisa të konsumohet gjithë procesi ligjor, kanë në dorë të bëjnë atë që bënte Gëbelsi, kur justifikonte krimet me propagandë./TemA
Komente
