Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Frika e lobistëve të Berishës për të lexuar dosjen e tij në Uashington

8 Qershor 2021, 19:03| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 19:10

  • Share

Lobistët e Sali Berishës kanë zgjedhur një strategji jo të keqe për të bërë propagandë, por të dëmshme për Berishën në plan afatgjatë. Ata po bëjnë sikur duan të kuptojnë pse është damkosur klienti i tyre Sali Berisha, dhe në të vetmen derë që nuk trokasin, është dera që ka dosjen.

Lee Michael Zeldin, kongresmeni republikan i New York-ut, i mbështetur nga lobi shqiptar aty, në pyetjet direkte që kishte për sekretarin e Shtetit Antony Blinken, bëri kujdes të bënte retorikë dhe të shmangte të vetmen ofertë të hapur të sekretarit Blinken, që ai mund të vinte të lexonte dosjen e Berishës në Departament të Shtetit.

Por atij nuk i duhet dosja e Berishës. Askujt prej lobistëve dhe avokatëve të Berishës nuk i duhet dosja e tij, që është në Departament të Shtetit.

Dosja është në dispozicion për personat nën betim në SHBA dhe një kongresmen mund ta lexojë atë. Por askush nuk do ta lexojë.

Të gjithë kanë nevojë për një përgjigje publike që është thënë qysh ditën e parë, që për dosjen nuk jepet informacion publik.

Dhe kjo tani ka filluar të përdoret si avantazh, dhe jo si problem, siç është në të vërtetë.

Dhe e gjithë kjo, bëhet që Berisha të kalojë fazën e parë të krizës në marrëdhëniet publike në Shqipëri dhe t’u mbushë mendjen disa trushpëlarëve të vet, se po e zgjidh këtë çështje me avokatë në Francë dhe SHBA.

Por Berisha nuk e ka problemin këto dy muaj. Ajo që i ka ndodhur Berishës është si një lak që sa vjen e ngushtohet me kalimin e kohës.

Në shtator, atij do t’i duhet të marrë vendim të qendrojë jashtë PD-së, apo ta marrë atë peng duke qëndruar në grupin e saj parlamentar.

Deri atëherë, dhe avokati nga Franca do t’i sjellë përgjigje, që gjykata nuk pranon t’ia marrë në shqyrtim kërkesën, dhe lobistët e tij në SHBA do lodhen duke thënë na lexoni publikisht dosjen, ndërkohë që sekretari i Shtetit do t’ua përsërisë se e kanë në dispozicion në zyrë.

Më tej akoma, djalit të tij do t’i duhet të paguajë shumë shtrenjtë artikuj idiotë tek “55”-a e SHBA, për ta përkthyer pastaj tek “Syri”, që shtypi amerikan po mbron Berishën.

Dhe e gjithë kjo do të jetë një dëshmi më shumë se familja e tij përdor para të zeza edhe për t’u mbrojtur nga akuza për para të zeza.

E vërteta është se askush nuk dyshon se çfarë ka dosja e Berishës. Shqiptarët e dinë më mirë se SHBA, se çfarë duhet të ketë në atë dosje, se janë dëshmitarë të saj.

Zyrtarët amerikanë po ashtu e dine, se e kanë mbushur vetë.

Lobistët e Berishës, po ashtu e dine, se si avokatë të këtij klienti, janë interesuar të mësojnë se si mund ta mbrojnë shtrenjtë tanimë këtë klient.

I vetmi problem i tyre është të mos dalë dosja nga Departamenti drejt ndonjë gjykate në Shqipëri.

Deri atëherë, ata do bëjnë sikur pyesin çfarë ka dosja, dhe sa herë t’u thonë “ejani lexojeni”, do bëjnë sikur nuk e dëgjojnë.

Kaq është e gjitha që mund të bëjnë tani për Berishën. Natyrisht duke llogaritur që kjo është një punë që kushton shtrenjtë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?