Sali Berisha

Mero Baze: Fushatat linçuese të Berishës dhe tritoli mbi Xhemal Bushatin

26 Mars 2022, 20:31| Përditesimi: 26 Mars 2022, 20:34

  • Share

Lulzim Basha u “amnistua” nga Sali Berisha. Deri më 9 Shtator, ai ishte ylli i demokratëve, njeriu që kishte bërë Rrugën e Kombit, liberalizmin e vizave dhe futjen e Shqipërisë në NATO. Këto vlerësime u dëgjuan për herë të fundit nga Sali Berisha në Korrik të vitit 2021, ndërsa Basha rizgjidhej për kryetar pas humbjes së 25 Prillit, nën mbështetjen e fortë të Berishës.

Më 9 Shtator, kur Lulzim Basha mori vendimin për ta nxjerrë Berishën jashtë grupit parlamentar u shfaq epiteti i parë fyes për të; Lulzim Pengu. Për Sali Berishën dhe gjithë demokratët, ai ishte pengu i Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. 

Kjo retorikë vazhdoi për gjithë periudhën e “Foltores” dhe më 8 Janar u shfaq epiteti i dytë: Lul Brava. Edhe kjo, po nga Sali Berisha. Dhe kori nga pas që e përsëriste atë.

Pastaj, pas dështimit të protestës duke mos marrë dot selinë, u shfaq epiteti i tretë; Lul Kimiku. Edhe kjo përshëndetej nga eunukët e Sali Berishës në kor.

Pas 6 Marsit, kur Berisha ndjehej fitimtar në 4 bashki mbi Lulzim Bashën, doli një epitet i ri, Lul Vula. Dhe kjo kishte të bënte me faktin që tani ai ishte kryetar formal. 

Pasi gjyqtari i Berishës mori një vendim të paligjshëm duke njohur mitingun e 11 Dhjetorit si Kuvend dhe mbështetësit e Bashës, i cili ndërkohë ishte dorëhequr, i kërkuan Berishës të tërhiqet, u shfaq dhe epiteti i fundit, Lul Bllofi. Kjo nënkuptonte se njerëzit e Bashës po luajnë blof, duke tentuar të largojnë Berishën pa garë nga PD.

Prej dje në darkë kur ka hyrë e dalë në zyrat e PD me një shpurë tropojanësh, pa llogaritur Flamur Nokën, dhe kur ka kuptuar se PD nuk e pranon legjitimitetin e tij, ndryshoi tërësisht gjuhë dhe u zotua se nuk do t'i thërrasë më me epitete Lulzim Bashës por do t'i drejtohet si deputeti Basha.

Menjëherë në kor, gjithë eunukët e tij filluan ta përsërisin se ai tani quhet zoti Basha dhe jo Lul Pengu, Lul Brava, Lul Kimiku, Lul Blofi etj.

Fushata e linçimit publik të Lulzim Bashës u zhbë me një komande prej Sali Berishës, sikur të mos ekzistonte, vetëm se ai tani ka nevojë të gënjejë njerëzit e Bashës në PD për t'i marrë në anën e vet.

E kuptojmë këtë dëshirë. Por ajo që nuk kuptojmë është se si mund të ngresh një fushatë të tërë linçimi ndaj një njeriu, dhe pasi arrin ta linçosh atë, dhe të arrish synimet e tua, të bësh sikur nuk ka ndodhur gjë.

Dhe nuk është e para herë me Lulzim Bashën. Fatos Nanon e ka linçuar për vite të tëra, duke i bërë dhe akuza të rënda si vrasës I Azem Hajdarit, dhe pastaj tha që ato kanë qenë akuza politike. A thua se ekziston një licensë për një politikan, që të fitojë duke ngjallur urrejtje përmes linçimit dhe pastaj pasi të arrijë qëllimin, të thotë që gënjeva.

Kështu ka bërë me Edi Ramën, Bamir Topin, Alfred Moisiun, Ina Ramën, dhe gjithkënd tjetër që ka pasur një betejë me të.

Për 30 vite resht, çdo betejë e tij është e mbështetur mbi urrejtjen dhe mbi linçimin e kundërshtarëve, dhe në fund, pasi merr atë që do, thotë që e gjitha ishte për poltikë. E gjitha ishte që ai të rikthehej aty ku donte.

Edhe më e rëndë, është se ndjekësit e tij, në shumicë njerëz me tru të shpëlarë, e konsiderojnë këtë normalitet dhe sillen sikur kjo është një e drejtë e Berishës që duhet pranuar.

Por në fakt, askush nuk ja ka pranuar nga ata që janë ndeshur me të. As Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, nuk kanë pse ja falin, pasi në atë fushatë linçuese, nuk është vetëm gjuha që vret, por dhe gjuha që që frymëzon vrasje. 

Falë linçimit publik të tij ndaj kandidatit të Partisë Demokratike në Shkodër, sot atij i vunë tritol tek shtëpia. Nuk vë bast që Berisha ka urdhëruar vënien e tritolit, pasi nuk lë kurrë gjurmë për urdhëra të tilla, por ai frymëzon kriminelët në raste të tilla. Nuk reagon kundër tyre, u dërgon mesazhe inkurajuese duke i shpërblyer, duke u dhënë pushtet dhe ata e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë. Është kjo arsyeja që fushatat e tij linçuese nuk janë thjeshtë retorike dhe fjalë. Janë dhe vepra. Neritan Cekën dhe Preç Zogajn nuk i rrihte vetë Berisha më 1997, por rojet e tij, të cilët ishin të frymëzuar nga gjuha linçuese e tij. Nikollë Lesin nuk e rrihte Berisha dhe as shkonte vet t'i digjte gazetën, por ata që frymëzoheshin prej tij. Mua nuk ma hidhte në erë makinën vetë Berisha por shoferi i familjes tij, që dëgjonte në shtëpi se çfarë fati meritoja.

Rezart Taçin nuk e urdhëronte Berisha të sulmonte me badigardë, por duke pozuar me gruan e tij dhe duke i mbushur xhepat me milionat e ARMO, ai e kuptonte vetë që për të qenë i besuar i berishëve, duhet të rrihte një kundërshtar. Eduard Selamin nuk e rrihte vetë Sali Berisha tek dera e Këshillit Kombëtar, por rojet e tij që dëgjonin se ai duhej zhdukur. E njëjte është dhe retorika linçuese e tij ndaj Lulzim Bashës. Ai po shkon nga dy herë dita në seli, i shoqëruar me banditë dhe njerëz ordinerë, për tu treguar se farë fati i pret nëse nuk i hapin rrugë. Dhe momenti kur Sali Bersha ka vendosur të dhunojë me mercenarët e vet, është momenti kur bën sikur të ka “falur" dhe nuk do të linçoj më me epitete, si ato për Lulin. Është thjesht duke treguar se radhën e ka linçimi fizik. Shikoni si ja hodhi shtëpinë në erë Xhemal Bushatit, fushata linçuese e tij për ta kuptuar.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 28/03/2022 10:46

    o zot si u kthye prape ne politike ky njeri! shkrim realist! tashme jemi mesuar me keto skenare :(

    Përgjigju
  • Tfg: 27/03/2022 09:14

    Saktë shkrimi, kjo është strategjia e Berishës kur godet kundërshtarët. Por, dëgjojmë analistë që thonë nëpër media që ardhja e Berishës i intereson Ramës se i jep mandatin e katërt...Mendoj se Ramës i intereson vetëm e mira e kombit të tij dhe jo kolltuku personal, apo pushteti dhe e mira e kombit të tij është një Berishë i dalë nga skena politike dhe i pandehur.Kombi vjen para kolltukut dhe e mira duhet t'a mposhtë gjithnjë të keqen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?