Opinion

Mero Baze: Genc Pollo është shembulli, pse nuk hap njeri gojë në PD

6 Shtator 2021, 19:39| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 19:41

  • Share

Në shtator të vitit 1990, kur kishin filluar gjestet e para kundër regjimit, sidomos pas hyrjes masive në Ambasada, kishte një pritshmëri të lartë që shtypi liberal, që në atë kohë identifikohej me gazetat e rinisë, të bënte ndonjë gjë që të binte në sy.

Në Shkodër ishin hapur fjalë se kishte pas përpjekje për të rrëzuar bustin e Stalinit, të tjerë thoshin kanë hedh trakte, por asgjë nuk ishte e qartë.

Dhe befas një të shtunë unë shikoj “Zërin e Rinisë” që kishte një titull të madh në krye: “Çfarë po ndodh në Shkodër?”

-Epo plasi, thashë më në fund. E shkruajtën këta!

Pasi e lexova me një frymë deri në fund, mësova se në Kooperativën e lartë në Dajç kishin marrë 130 kv misër për hektarë.

Mund ta merrni me mend se çfarë ndjen në këto raste, pasi pret një gjë tjetër.

Kështu më ndodhi sot me Genc Pollon. Pashë një titull të një opinioni të tij, ku ai fliste për nevojën e pozicionimit publik në debatet e ditës.

-Epo do të flasë dhe ky më në fund, thashë. Duke llogaritur që nuk e ka dashur kurrë Berishën, dhe kur kishte të drejtë, dhe kur nuk kishte të drejtë, mendova se do ta thoshte më në fund një fjalë për debatin më të madh të ditës, sidomos brenda PD, se çfarë duhet të bëjë PD me Berishën.

Por shkrimi bënte fjalë për nevojën që komuniteti mysliman, duhet të flasë publikisht për incidentin me një komedian që ka qeshur kur ka kënduar hoxha.

Mund ta merrni me mend se çfarë ideje krijon njeriu në këtë rast, kur debati më i madh në selinë e partisë së tij ka të bëjë me ata që nuk ngrejnë zërin kur flet “hoxha’ i tyre.

Dhe kur në këtë debat nuk guxon të marrë pjesë as dikush që nuk e do vërtetë Sali Berishën, merre me mend se ç’debat mund të bëjnë të tjerët.

Arsyeja nuk është se ka dhimbsuri për Berishën, apo se nuk ka dëshirë të jetë protagonist në këtë histori. E di që dhe ai po plas t’i ndodhë gjë Berishës, por me dorën e të tjerëve, duke i nxitur ata.

Vetë është peng i kohës që ka ndarë me të dhe familjarët e tij, pushtet dhe para. Si gjithë ata që fshihen si struci.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?