Shkelzen Berisha

Opinion

Mero Baze: Humbjet e gjyqeve në SHBA, janë arsye pse Shkëlzen Berishës duhet t’i hapen gjyqet në Shqipëri

4 Korrik 2021, 18:51| Përditesimi: 4 Korrik 2021, 19:00

  • Share

Gjykata Supreme amerikane ka refuzuar të marrë në shqyrtim apelin e Shkëlzen Berishës, mbi akuzat për korrupsion në librin e Guy Lawson “Arms and the Dudes”.

Libri i cili u bë dhe një film i famshëm i Hollivudit: “War Dogs”, tregon historinë kriminale të përfshirjes së djalit te Sali Berishës në historinë e trafikimit të armëve nga Gërdeci në Afganistan, në bashkëpunim me dy djem të rinj amerikanë, brenda së cilës ka histori vrasjesh, shantazhesh dhe përdorim të pushtetit të babait kryeministër.

Shkëlzen Berisha është përpjekur të mbrohet në Gjykatën e Lartë, se ai nuk është njeri publik dhe akuzat ndaj tij janë të qëllimshme. Gjykata nuk ja ka pranuar fare këtë arsyetim, e nuk e ka marrë çështjen në shqyrtim.

Por Gjykata e Shkallës së Parë, e ka argumentuar gjerësisht se të gjithë akuzat e bëra në shtyp ndaj Shkëlzen Berishës, nuk janë hedhur dot poshtë prej tij dhe ishin të besueshme.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, citon gjerësisht burimet e besueshme, që i është referuar shtypi duke nisur nga deklaratat e Gjeneral Luan Hoxhës, dyshimet e besueshme të vajzës së Trebickës që ky grup mund t’i ketë vrarë babain, dhe deri faktet që provojnë përfshirjen e tij në atë aferë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i vë vulën përpjekjeve të Shkëlzen Berishës për t’u shfajësuar për akuzat ndaj tij dhe tashmë i hap rrugën gjykimit të tij në Shqipëri për këto akuza.

Vendimi i Gjykatës ka dalë në një moment, kur Shkëlzen Berisha, nëna, motra, edhe babai i tij, janë të listuar në Listën e Zezë të SHBA si një familje e korruptuar që kanë përfituar nga pushteti i tyre politik dhe më tej akoma, babai i tyre është nën akuzë si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit gjyqësor.

Kjo akuzë zyrtare e SHBA, shpjegon gjithë arsyet përse Shkëlzen Berisha humbet gjyqe në SHBA dhe nuk i hapen deri më sot gjyqe në Shqipëri.

Duke qenë se familja e tij ka kapur dhe shantazhuar sistemin gjyqësor, ai nuk u thirr kurrë të hetohej për të dy aferat e Gërdecit, edhe për atë që vrau 26 vet dhe hodhi në erë 300 shtëpi edhe për aferën për të cilën humbi gjyqin në SHBA dhe ka të bëj me aferën e trafikimit të fishekëve kinezë në Afganistan.

Edhe pse provat ishin sheshit, asnjë prokuror në Shqipëri nuk guxoi ta pyes për telefonat e tij me Delijorgjin gjysmë ore pas shpërthimit, dhjetëra biseda telefonike me të para dhe pas skandalit, hyrje daljet në zyrën e Fatmir Mediut, faksin e dërguar në emër të tij në një zyrë private në Ministri të Mbrojtjes që ai e kish bërë si pronë të tij, dhe plot lidhje të rrethit të tij personalë dhe familjar me këtë tragjedi.

Arsyeja është ajo që përshkruhet në vendimin e Departamentit të Shtetit, pra që Sali Berisha ka ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë për ti shpëtuar gjykimeve për afera korruptive për familjarë dhe aleatë të tij politikë.

Tani Shkëlzen Berisha ka humbur çdo shans të mbrohet në SHBA. Përkundër kësaj është i damkosur nga SHBA si një hajdut që ka përfituar nga korrupsioni i babait të tij kryeministër. SIstemi i drejtësisë tani po çlirohet nga kapja dhe shantazhet e Sali Berishës.

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të SHBA është një arsye e fortë, që ndaj Shkëlzen Berishës të nisin hetimet në Shqipëri. Faktet dhe provat për Gërdecin i kanë në dosje në prokurori, por po flenë aty. Arsyen e kanë tek vendimi i Gjykatës Supreme amerikane që refuzon dhe ta shqyrtojë një kërkesë të tij për pafajësi, pas akuzave nga shtypi amerikan.

Vendimi i gjykatësit të shkallës së parë, ka argumentuar gjerësisht përse ai nuk mund të mbrohet si i pafajshëm në atë histori. Tani thjesht duhet të rishfleftojnë dosjen e Gërdecit dhe ta thërrasin si të pandehur. Për fat Fatmir Mediun e kanë rithirrur. Dhe besoni që Mediu nuk ka bërë asgjë më shumë se sa ka i ka hapur rrugë Shkëlzen Berishës në atë histori. Të hetosh dhe gjykosh Mediun si ish-ministër i Babait kryeministër, që ndihmonte djalin e babait kryeministër dhe mos të gjykosh të birin që ishte shkaku i kësaj historie, është të tallesh me atë histori. Këtij hetimi i duhet shtuar dhe fatura e pagesave të tij për gjyqin në SHBA dhe mënyrën si i ka paguar ato. Janë miliona euro të paguar për tu “pastruar” në SHBA që e bëjnë dhe më të pistë këtë histori.

Tani SHBA e bëri punën e saj në të gjithë nivelet, në gjyqësor dhe në nivel politik. Shkëlzen Berishës i është refuzuar përpjekja për tu shfajësuar nga akuzat e shtypit amerikan, ndërkohë që Sekretari i Shtetit e ka listuar si një hajdut që ka përfituar nga korrupsioni shtetëror i babait të tij në Shqipëri. Eshtë koha të përballet me drejtësinë dhe shtetin shqiptar. Pastaj le të shkojë të ankohet në Francë bashkë me babain.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?