Shkëlzen Berisha

Opinion

Mero Baze: I vetmi që lejohet të “blihet” në PD është Zeni

21 Prill, 07:02| Përditesimi: 21 Prill, 07:12

  • Share

Zhurma rreth ftesës së Edi Ramës në podcastin e tij për një personazh të rrjeteve sociale të PD nga Korça, Ilir Vrenozi, tregon shumë për mënyrën se si konceptohet liria e të qenit “demokrat” në partinë e Sali Berishës.

Podcasti i Edi Ramës ka mbi 1 milion ndjekës dhe pjesëmarrja në të është një promovim falas. “Syri” është televizioni i Zenit, djalit të Sali Berishës, dhe pjesëmarrja e demokratëve atje kushton nga 2 mijë euro në 8 mijë euro, sipas një liste çmimesh publike që e ka bërë të njohur vetë marketingu i këtij televizioni.

Nëse ke shansin që Edi Rama të të ftojë në podcastin e tij, ti ke mundësinë të shpërndash mesazhet e tua në një audiencë falas shumë herë më të lartë se sa tek televizioni i Zenit. Nëse del tek televizioni i Zenit, ty thuajse nuk të shikon njeri fare, por duhet të paguash dhe 8 mijë euro që të quhesh demokrat.

Tani të dyja këto ngjarje u bënë lajme në media.

Lajmi se Vrenozi ka refuzuar Ramën u interpretua nga drejtuesit e televizionit të Zenit si përpjekje e dështuar për ta blerë atë. Domethënë, nëse Vrenozi do të dilte tek podcasti i Ramës, ai do të quhej i shitur, tradhtar, etj., pasi quhej automatikisht i blerë nga Rama.

Nëse del tek televizioni i Zenit, duhet t’i japësh Zenit 8 mijë euro dhe quhesh demokrat.

Pra, i vetmi njeri që lejohet të blihet me lek në PD është Zeni. Kur paguan tek ai, quhesh demokrat dhe besnik. Kur del pa lek tek podcasti i kryeministrit, quhesh tradhtar.

Natyrisht, Edi Rama gallatë e ka këtë fushatë dhe ky Vrenozi është personazhi i duhur për ta plotësuar tablonë e gallatës së fushatës, por nëse këta demokratët e kanë njeri të rëndësishëm vërtet, pse nuk e bëjnë deputet në Korçë, por e quajnë demokrat të sakrificës pa e shpërblyer?

Nëse është vërtet demokrat dhe akoma më shumë nëse e quajnë një personazh serioz që i vlen demokracisë, me aq famë sa ka në rrjetet sociale, ata duhet ta kishin bërë deputet.

Fakti që nuk e kanë bërë deputet apo që nuk e përfshijnë në listat e karrierës, tregon se ata ose i tremb liria e tij, ose budallallëku i tij. Për këtë të fundit dyshoj se ata në shumicë janë vetë budallenj, ndërkohë që e kanë mbushur listën me budallenjë. Kështu që më shumë besoj se i tremben lirisë së tij. Ndaj dhe janë gëzuar që nuk ka shkuar tek podcasti i Edi Ramës, pa lek.

Tani qetësohuni dhe vendosuni në radhë për të paguar tek televizioni i djalit të Doktorit 8 mijë euro në një dalje. Është i vetmi që lejohet të “blihet” në PD, i vetmi që lejohet të marrë leje ndërtimi nga qeveria, i vetmi që të ndërtojë në Tiranë dhe në bregdet, i vetmi që t’i çlirohen tokat e bllokuara po nga qeveria, të marra me korrupsion, dhe i vetmi tek i cili duhet të paguajnë edhe kandidatët për deputetë të PD. E kam fjalën për ata të listës së hapur, se ata të listës së mbyllur kanë paguar paradhënie.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?