Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Janë në fazën që po gënjejnë veten

4 Qershor, 20:09| Përditesimi: 4 Qershor, 20:14

  • Share

Për të mbështetur një fushatë politike bazuar mbi një gënjeshtër është e nevojshme në fillim të ushtrohesh për ta besuar vetë. Është një sprovë e mundimshme psikologjike. Sali Berisha është më i miri në këtë lloj gare, pasi e ka ushtruar për vite të tëra këtë metodë, pas disfatave politike.

Këtë radhë i ka thyer gjithë rekordet. Po provon të ushtrojë veten dhe njerëzit e tij, në dy drejtime: në bindjen me lajmet e shpikura vetë dhe në bindjen me lajmet e vërteta që i kanë kundër tyre, por që duhet t’i quajnë sikur i kanë në favor.

Ka disa ditë që ka dorëzuar një kërkesë në një sekretari mbledhjesh të Partive Popullore në Bruksel, që të shpallin Shqipërinë narkoshtet, dhe për këtë duhet të ngrihet një mision faktmbledhës. Sekretaria e ka pranuar ta regjistrojë kërkesën.

Pas kësaj, ka dy ditë që deklaron se Partitë Popullore kanë shpallur Shqipërinë narkoshtet.

Tani shumica e Partive Popullore Evropiane i kishin kryeministrat e tyre në sheshin “Skënderbej” në Tiranë duke uruar Edi Ramën për fitoren dhe janë në mbështetje të plotë të Shqipërisë, por kjo nuk ka rëndësi për Berishën. Ai duhet të ushtrojë veten që të bindet se fakti që ai ka lënë një letër te një sekretar në Bruksel ku i kërkon që Shqipëria të shpallet “narkoshtet”, është lajm i rëndësishëm dhe kjo është betejë e fituar.

Ende pa mbaruar stërvitja për t’u mësuar me gënjeshtrën e parë, erdhi lajmi i dytë, ky i vërteti. Në kulmin e kërkesave të Berishës që Shqipëria të shpallet “narkoshtet”, Parlamenti Evropian miraton raportin për Shqipërinë, duke e quajtur vend kampion mes vendeve që kërkojnë anëtarësim, dhe e shikon realisht objektivin e anëtarësimit më 2029.

Natyrisht që është një gjëmë për ata që duan ta shpallin Shqipërinë “narkoshtet”.

Por edhe këtu vihet në lëvizje mekanizmi i autosugjestionit, ose i gënjyerjes së vetes.

Pa vrarë shumë mendjen për të vërtetën e raportit dhe mbështetjen më të madhe politike në histori që i është dhënë Shqipërisë nga Komisioni Evropian, Berisha doli dhe tha se ky raport hodhi poshtë zgjedhjet në Shqipëri dhe denoncoi narkoshtetin.

Pas Berishës, sipas shkallës së inteligjencës del me radhë Flamuri, Klevesi, Albana, dhe e përsërisin.

Dhe kjo hyn te përpjekja për t’u autosugjestionuar se edhe kur ka lajme pozitive, ato mund t’i shikosh si lajme negative, duke presupozuar se njerëzit nuk lexojnë dhe kuptojnë, por vetëm dëgjojnë Sali Berishën. Dhe meqë Flamuri, Klevesi, Albana etj, bëjnë këtë gjë, mendojnë se këtë gjë bën gjithë populli shqiptar.

Kështu që mos u çudisni nga hendeku mes raportit tejet pozitiv të Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe deklaratave të Berishës që pretendon se është “damkosje” për Shqipërinë. Është pjesë e autosugjestionit të tij dhe humbësve të vet. Janë duke u përpjekur t’i mbushin njëherë mendjen vetes që nuk kanë humbur dhe që po fitojnë betejën për ta shpallur Shqipërinë “narkoshtet”. Me këtë e shtyjnë katër vite derisa të vijnë zgjedhjet e tjera përsëri dhe të marrin gjysmën e këtyre votave që kanë. Atëherë fillojnë përsëri të binden se kanë fituar dhe më shumë, pavarësisht humbjes së thellë.

Beteja e tyre është të mos ndryshojnë dhe të mos ikin nga PD. Për këtë nuk u nevojiten votat e demokratëve që nuk i kanë, as mbështetja e tyre. U nevojitet t’i mbushin mendjen vetes që janë fitues dhe që pala tjetër ka humbur thellë. Pastaj pjesa tjetër është histori reale me të cilën ata nuk kanë punë. Tani janë në fazën që gënjejnë veten./Tema 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?