Ka dy lloj akuzash ndaj Edi Ramës për Kodin e ri Penal, edhe pse ai vetë nuk ka ndonjë qëndrim publik rreth ndonjë tendence të caktuar.
Të parët, përfshi edhe mua, e akuzojnë grupin e punës së qeverisë se po përgatit një Kod represiv, që shkon në të kundërt të forcimit të lirive themelore të qytetarit dhe që rrit varësinë e Shqipërisë nga pushteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar të vendit. Nenët me plot ekuivoke, dënimet e larta dhe adresimi i burgut për çdo kundërvajtje rrisin në maksimum shanset që të kemi një drejtësi arrogante dhe të korruptuar, pasi presioni që ushtron mbi qytetarin pushteti i tyre në momentin e hetimit dhe gjykimit është shumë i lartë për shkak të Kodit. E thënë më thjesht, një Kod Penal që u rrit pazarin prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Nuk po diskutoj ato nenet për agjitacion e propagandë apo tradhti ndaj atdheut, pasi ato i zhbën filtri i Bashkimit Europian.
Tendenca e dytë për kritika është ajo e opozitarëve të qeverisë, të cilët çuditërisht e akuzojnë Edi Ramën për të kundërtën e kësaj. E akuzojnë se ai po zbut dënimet për nëpunësit që bëjnë kundërvajtje administrative, duke tentuar të mos i quajë më vepra penale.
Madje kanë marrë këtë rast, që është ende sporadik në projekt, dhe gjithë betejën kundër Kodit e kanë mbështetur tek fakti që Edi Rama po bën një Kod që të mos dënohen nëpunësit zyrtarë, duke ia lënë pastaj në dorë fantazisë së Fatos Lubonjës, i cili flet dhe shkruan “me të dëgjuar” se ky Kod po bëhet që Rama të shpëtojë të korruptuarit dhe të bëhet autoritar. Hajde bëji bashkë të dyja!
Edi Rama nuk ka ndonjë shans të bëhet autoritar përmes Kodit Penal, por përmes pushtetit politik, që tani, edhe për shkak të kësaj opozite, e ka të plotë. Kodi represiv bën autoritarë prokurorët dhe gjyqtarët, pra e shndërron Shqipërinë nga Republikë parlamentare në Republikë prokurorësh. Përpjekja për të normalizuar ndëshkimet për nëpunësit e shtetit, po ashtu, jo vetëm që nuk e bën autoritar, por kthen në normalitet administratën e frikësuar, që nuk pranon të firmosë dhe që ka gjasa askush të mos kërkojë më të shkojë në një zyrë shteti për punë.
Kjo duhet të jetë e vetmja opozitë në botë që sulmon atë pjesë të Kodit që nuk është represive dhe në vend që të bëjë betejë për liritë themelore të qytetarëve, bën betejë kundër lirisë së nëpunësve publikë që të mos terrorizohen nga Republika e prokurorëve.
Dhe kur mendon pastaj se këta duan të vijnë në pushtet në emër të qytetarëve, të duket sikur e kanë ndarë mendjen që nuk vijnë dhe me këtë rast të hakmerren ndaj qytetarëve që nuk i votojnë.
Komente
