LaCivita i bënte më shumë punë PD-së sikur të mos fliste, sikur të mos mbante fjalim dhe sidomos të mos shpjegonte atë që shpjegoi tek Fevziu.
E gjithë fabula që PD dhe njerëzit e Berishës ngritën për ardhjen e LaCivitës si këshilltar fushate në Shqipëri, ishte se ai “para se të pranonte, mori bekimin e qeverisë amerikane”. Natyrisht, ky ishte një thashethem për të krijuar optimizëm mes trushpëlarëve të Berishës.
Por nuk është se nuk funksionon në një shoqëri të mbyllur dhe elektorat primitiv.
Madje kjo ishte e vetmja armë e fortë që kishte “ardhja e LaCivitës” në krah të Berishës si person “non grata” nga SHBA.
Pra, gjithë interesi u zgjua nga fakti që, duke qenë i sanksionuar nga SHBA, një njeri i afërt me Trump-in po vinte ta ndihmonte.
Dhe LaCivita mund t’ua kishte kursyer zhgënjimin në këtë pikë.
PD nuk ka nevojë as për ndonjë njeri që mban fjalime – se në këtë pikë Berisha është i pakonkurrueshëm – as për ndonjë njeri që t’i shkruajë fjalimin Klevesit, se ai e ka aftësinë të shkruajë vetë budallallëqe.
PD kishte nevojë pikërisht për gënjeshtrën që përhapi vetë dhe i duhej LaCivita për ta ilustruar atë.
Pra, LaCivita mund t’i kishte bërë shumë shërbim PD-së dhe Berishës sikur të mos fliste.
E vetmja fuqi që ai kishte ishte misteri. Këtu ai nuk konkurron dot as si këshilltar agresiv fushatash, as si i mençur. Këtu ai mund të funksiononte vetëm si njeri që “dinte një gjë që nuk e dinin të tjerët”, dmth si i dërguari i Trump-it për të ndihmuar Berishën.
Në momentin që del publikisht dhe këmbëngul të sqarojë se ai është në Shqipëri si person privat dhe nuk ka asnjë lidhje puna e tij me qeverinë e SHBA, ai ka shkatërruar arsyen përse PD do t’i japë 2 milionë dollarë për tre ditë punë.
Berishës asnjëherë nuk i janë dashur këshilltarët që ta këshillojnë. Gjithmonë i janë dashur t’u tregojë të tjerëve që ka këshilltarë. Pastaj ata i këshillon vetë.
Ky është rasti i parë që këshilltari, më i paguar në botë, jo vetëm që i doli nga skema dhe foli pa u këshilluar me të, por prishi edhe misterin për të cilin Berisha po e paguan kaq shtrenjtë.
Tani ai nuk di pse i duhet më Berishës, se edhe sikur t’ia shkruajë fjalimet Berishës, Berisha nuk i lexon dot ato, dhe sikur të flasë vetë siç po flet, më shumë shkakton të qeshura sesa optimizëm.
LaCivita duhej për të mos folur, për të mos u shfaqur dhe sidomos për të mos dhënë shpjegime.
Nuk bëri asnjë prej tyre.
Haram lekët e demokratëve të shkretë që ua preve gjunjët dje!/TEMA
Komente
