Ngazëllimi me të cilin Sali Berisha ka postuar një gënjeshtër rreth djalit të Bledi Çuçit nga martesa e tij e parë, tregon shumë për traumën që Sali Berisha ka nga bëmat e fëmijëve të vet.
E gjitha çfarë Berisha e quan historinë e djalit të përfshirë në trafik ilaçesh, është e zbardhur nga vetë hetimet italiane, në të cilat djali thjesht është dëgjuar të flasë me mjekun italian për të siguruar një autorizim gjatë mbylljes për shkak të Covid-it, për të vizituar gjyshen e tij tashmë të ndjerë, që vuante nga një sëmundje e rëndë në spitalin italian.
Ka shkuar të takojë dy herë gjyshen e sëmurë, një herë kur ishte rëndë dhe një herë për ta marrë të vdekur, bashkë me nënën e tij. Në të dyja rastet për shkak të Covid duhej të kishte një konfirmim nga pala italiane, dhe e ka marrë.
Mjeku italian që e ka dhënë ka qenë objekt përgjimi, por në këtë rast nuk ka bërë ndonjë gabim. As ka marrë para për vërtetimin, as ka gënjyer. Kaq është e gjithë historia. Një nip që shkon tek gjyshja në spital duke zbatuar rregullat.
Nëse do sillej si djali i ministrit të Brendshëm, mund të kalonte në Rinas dhe pa atë letër, por e ka kërkuar, se ka dashur të udhëtonte si qytetar i rregullt.
Ajo që është interesante në këtë histori, është zelli me të cilin Sali Berisha e komenton këtë çështje si skandal, duke theksuar se është djali i ministrit të Brendshëm.
Gjithë makthi i jetës së tij, përfshi dhe këtë kalbjen në pleqëri pas damkosjes si person i përfshirë në korrupsion madhor bashkë me familjen e tij, janë pikërisht fëmijët e tij.
Ata në të vërtetë janë mekanizimi që e dekonspiroi Sali Berishën para opinionit publik si një lider i korruptuar, që ka vënë shtetin në shërbim të fëmijëve. Dhe ata janë shkaku që sot ai dhe ata, së bashku, janë në listë të zezë për korrupsion madhor dhe minues të demokracisë.
Prej sa ai është në këtë listë, ka një zell të përditshëm të përgjojë lajme për fëmijë kundërshtarësh, me shpresën që dhe ata të jenë kështu si fëmijët e tij, që të barazohen. E ka këtë me çdo fëmijë kundërshtari apo kritiku.
Ideja se çdo fëmijë i keq politikani i zbut atij dhimbjen për krimet e fëmijëve të tij, tashmë hajdutë zyrtarisht, me sa duket e mban gjallë.
Rasti djalit të Bledi Çucit, në të vërtetë jo vetëm që nuk është rast korruptiv, por përkundrazi është rast që dëshmon se si një djalë ministri që shkon të takojë gjyshen e sëmurë për vdekje në Itali, përpiqet të jetë në rregull me letrat formale kufitare që duheshin gjatë mbylljes së Covid.
Po të ishte djali i Sali Berishës në pushtet do kishte ikur me çarter, pa kaluar fare nga kontrolli kufitar, siç kalonte kur ishte në pushtet.
Nëse spitali italian që lëshonte vërtetimet ka qenë nën hetime dhe përgjime, ky nuk është problem i njerëzve në nevojë që kanë kontaktuar spitalin.
Siç e provon dhe hetimi, ata as kanë paguar dhe as kanë mashtruar për rastin. Gjyshja e djalit ka vdekur në spital dhe është sjellur në Shqipëri. Kaq ka ndodhur.
Kujdesi i Sali Berishës për të treguar që familja e Bledi Çuçit është e ndarë, pasi djali është me martesën e parë, tregon po ashtu makthet e njëjta që ka në familje.
Por nuk është krim që djali jeton në një familje të ndarë me nënën e tij. Më krim do ishte një familje e bashkuar si kjo e Sali Berishës, nën diçiturën “non grata” për korrupsion madhor bashkë me familjarët”. Atë fat mos e pastë kush. Familjarisht si hajdutë.