Mero Baze: Makthi i të mos marrurit seriozisht!

2 Mars 2020, 20:33| Përditesimi: 2 Mars 2020, 20:37

  • Share

Kërkesa më e rëndësishme e Ilir Metës në mitingun “me miell hua” në Bulevard, ishte se atë duhet ta marrim seriozisht. E kishte në radhë të parë për shumicën në pushtet, por dhe për opozitën dhe faktorin ndërkombëtar.

Duke ju kërcënuar shumicës se duhet ta merrte seriozisht, ndryshe ai do marshonte drejt sallës së Parlamentit me popull me vete, për ta shpërndarë më 15 mars, në fakt ai nuk ishte duke trembur dikë nga shumica, por kërkonte të siguronte mitingun e dytë me miell hua nga opozita.

Se nëse atë e marrin seriozisht me këto që thotë, duhet ose ta mbyllin në çmendinë, ose në burg. Por të gjitha palët kanë rënë dakord, se nuk ja vlen, pasi më 30 qershor bëri gjëra më të rënda se kaq dhe nuk e përfilli njeri.

Ndaj si kosto më të ulët për të gjithë, kanë mos marrjen seriozisht. Se këtu problemi do të ishte po ta merrnin seriozisht.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Lulzim Bashën. Ai fjala vjen mund t’i rezistonte kërkesës së Berishës për të dalë në mbështetje të Ilir Metës. Mund ta kursente dhe fjalinë e vet, që ka dalë në miting si djalë nëne. Mund të mërzitej kur para demokratëve leksionet për demokracinë nga tribuna e mitingut, i jepte një pinjoll i Bllokut komunist, por nuk është se e u trondit.

Me sa duket llogaritë që ka bërë Lulzim Basha janë po ashtu më të qarta. Edhe ai mendon se është më mirë ta lësh të bëhet qesharak.

Duke premtuar luftë më 15 mars, Lulzim Basha ka shansin të sodisë sërish Ilir Metën, në fakt këtë radhë, jo si bir nëne, por si “bir k…”, për të parë se sa seriozisht mund të merret Ilir Meta kur premton shpërndarje Parlamenti, apo përmbysje me dhunë të pushtetit. Për më tepër që sot as nusja e djalit të Berishës nuk e kishte marrë seriozisht, se kishte shkuar për shoping në Paris.

Të tretët që nuk e morën seriozisht mitingun, por vetëm flamurin e tyre, ishin SHBA. Ambasadorja amerikane në Tiranë, reagoi ende pa zbritur Ilir Meta nga tribuna, duke u distancuar qartë prej manifestimit të tij, të cilin e kishte futur në thonjëza, dhe duke ja hequr nga duart atij flamurin amerikan.

Kjo është hera  e parë në 30 vite, që SHBA ndalon të keqpërdoret flamuri i saj nga dikush në Shqipëri.

Ata nuk kanë reaguar as kur flamurin e mbanin protestuesit e Astirit, as kur e mbanin ata që hidhnin molotov, biles as kur e vënë fshatarët kur ndërtojnë pa leje nëpër katunde.

Duket se Ilir Metën nuk e marrin seriozisht si politikan dhe nuk duan që flamuri i tyre të keqpërdoret prej tij.

Merre me mend se çmund të bënin, sikur ta kishte puthur, siç puthi flamurin tonë.

E vetmja gjë e mire nga protesta e Ilir Metës, është që i vuri afat skandence seriozitetit të tij, deri më 15 mars.

Atë ditë ai duhet të shpërndajë Parlamentin dhe të përmbysë pushtetin. Edhe nëse nuk bën dot gjë më 15 mars, e ka siguruar 13 ditë si lider opozite.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?