Sali Berisha

Mero Baze: Mbi 'patriotët' shqiptarë dhe konspiracionin e madh rreth UDB

8 Qershor, 21:46| Përditesimi: 8 Qershor, 21:51

  • Share

Lexova një shkrim të Bedri Islamit botuar në gazetën Dita dhe ribotuar mes të tjerash dhe në portalin e gazetës Tema, lidhur me një deklaratë timen rreth vjehrrës së Sali Berishës dhe më pas me aludime të tjera rreth ndërhyrjeve të UDB në Shqipëri.  

Është e lehtë të gjesh një armik si Sali Berisha, dhe pastaj ti veshësh atij gjithë historitë e UDB në Shqipëri e ti kalosh derë më derë për të krijuar një skemë konspirative rreth pranisë së UDB në Shqipëri. Kjo në fakt është mënyra se si të fshehësh çfarë është e UDB e çfarë është e jona në marrëzitë tona politike dhe të shpëtosh UDB duke përzier kokrrat me kashtën. 

Prania e UDB  në Shqipëri është e faktuar por dhe pjesa  e pafaktuar merret me mend. Ajo ka ekzistuar qysh kur është krijuar shteti shqiptar madje dhe para tij. Disa nga familjet që ne I mbajmë si familje të mëdha shqiptare madje me kontribute, I kanë pas të parët e tyre në borderotë e Beogradit. Mjafton të shikosh historinë e familjes Haxhi Lleshit, apo historitë e Xhelal Zogut, krereve te Mirditës, apo Dukagjinit, para se të krijohej shteti shqiptar për ta kuptuar atë. 

Po ashtu ka vazhduar kjo me bashkëpunimin e përkohshëm të Ahmet Zogut me Jugosllavinë, bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Partinë Komuniste Jugosllave, që e ktheu Shqipërinë gati në Republikë të Shtatë të tyre e më pas. Me Enver Hoxhn merr fund bashkëpunimi institucional i shtetit shqiptar me Serbinë. Pas tij çdo gjë është punë shërbimesh, çka  është normale. 

Vjehrra e Sali Berishës, natyrisht që ka bashkëpunuar me UDB dhe per kete ka një dosje të qartë në arkivat e shtetit shqiptar. Por ajo ka bashkepunuar si shtetase serbe për atdheun e saj. Ajo ishte një serbe krenare për origjinën e saj dhe natyrisht mes Shqipërisë dhe Serbisë ka dashur më shumë Serbinë. Sipas dosjes së saj ajo ka qenë pjesë e nëpunësve jugosllavë që punuan në kohën e bashkim vëllazërimit të Shqipërisë së Enver Hoxës me Jugsollavinë si sekretare pranë komisionit dypalësh të eksport import të mineraleve më pas në Aeroport dhe në vitin 1948 ka pas mëdyshje të qëndroj këtu apo të ik në Serbi. Dhe ka qëndruar këtu duke vazhduar kontaktet me ambasadën dhe njerëzit e saj. Asaj nuk I them dot tradhtare e Shqipërisë. Se ishte serbe. Ka punuar për vendin e saj. 

Ajo që dua të them është se Sali Berisha, kur anatemon kundërshtarët apo çdo kënd që i del para për të quajtur spiunë të UDB duhet të ketë parasysh se e ka pas bashkëpunëtoren e UDB njeriun e tij më të dashur të familjes.  
Për këtë nuk ka nevojë të jap sqarime. Ai duhet të jap sqarime përse I hapi Miloshevicit kufijtë për ta furnizuar me naftë makinerinë më vrasëse në Ballkan që luftonte mes të tejrash kudnër Perëndimit. E kam një shpjegim. E bëri se pa që SHBA po I rrezonte fronin dhe donte ti bënte karshillëk duke u dukur se kishte në dorë çelësat e stabilitetit në Ballkan. Por nuk ja doli dot. Iku para Miloshevicit. 

Dhe kaq mjafton të ul kokën e të mbyll gojën. 

Nga ana tjetër shkrimi ka një qasje ideologjike ndaj UDB dhe do të na tregoj që kur UDB është në anën e kundërshtarëve të tij politik është e keqe, dhe kur është në anën e komunistëve shqiptarë është e mirë. Me këtë rast duket që ai transmeton mllefin dhe indoktrinimin e luftetarëve dhe veprimtareve të LKP së viteve 80 -90, të cilët ishin nacionalistët romantik të Kosovës që mendonin se Kosova çlirohej dhe pavarësohej me nacinalkomunizmin e Enver Hoxhës. Në fakt ata janë realisht njerëz patriot , por të destinuar të dështonin, pasi asocimi I tyre në perëndim me komunizmin e Enver Hoxhës i vizatonte ata si grupe të paguara nga Shqipëria komuniste për të bërë dhe Kosovën komuniste. Në fakt Shqipëria komuniste më shumë ka bashkëpunuar me UDB se me ata. 

Kosova e bindi perëndimin se ndaj saj duhej kthyer vëmendja fal LDK dhe Ibrahim Rugovës. Vendosmëria dhe vizioni I tij për ta zgjidhur çështjen e Kosovës si një çështje të demokracisë dhe lirisë që erdhi pas Rënies së Murit të Berlinit ishte fati I madh I Kosovës. Ibrahim Rugova vendosi ta cliuroj Kosoven me Perëndimin dhe jo me shërbime sekrete. 

Nuk mund të banalizohet krijimi I LDK (që në fakt është krijuar më 1989 dhe më 1990), me ndonjë individ që ka infiltruar aty për UDB. Beosj se ka pasur më shumë se sa di Bedriu por kanë qenë të parëndësishëm për doktrinën e Ibrahim Rugovës. Askush nuk e lëkundi atë nga vendosmëria për ta zgjidhur çështjen e Kosovës me mbështetje të NATO nën protektoraratin e OKB dhe ja arriti. Nuk u tërhoq as nga presioni kriminal i komunistit të fundit jugosllav, Slobodan Miloshevic, as nga ndryshku i enveristëve të fundit në Kosovë.  

Fal Ibrahim Rugovës, Perëndimi kaloi në anën e Kosovës aq shumë sa në vitin 1998 1999 kur Serbia nisi ofensivën e madhe, u bë për Pendimin e pranueshme dhe ideja e UCK dhe ata zunë vendin e nderit në historinë e Kosovës. Ibrahim Rugova e ka meritë historike që ndihmoi që UCK të bhej aleate e Perëndimit, duke braktisur mentalitetin ideologjik që ishte në zanafillë të lindjes së saj. 

Histori e Kosovës nuk është histori shërbimesh të UDB pavarësisht individëve. Është historia më dinjitoze e shekullit të kaluar në Evropë.. 

Mendësia e mbivlerësimit të rolit të UDB dhe të tjerëve në historinë e Kosovë është një mendësi tërësisht komuniste, që fatkeqësisht ka qenë në zemrën dhe mendjen e shumë veprimtarëve ideologjik të LPK që përbënin bazën e UCK dhe që më vonë me çlirimin e Kosovës por dhe gjatë saj, u kthye dhe në ushtrim dhune ndaj kundërshtarëve që ata I quanin armiq.

Është pikërisht kjo pjesë që njollosi udhëheqësit e UCK me nxitjen e akteve kriminale sporadike, që Serbia arriti ti marr e ti paketoj si terrorizëm për të cilën padrejtësisht sot janë në Hagë, ajka drejtuese e UCK. Ajo është një pjesë  e historisë, për të cilën, njerëz që I kanë frymëzuar ato krime ideologjikisht tani duhet të ulin kokën dhe jo ta japin leksione patriotizmi mbushur me të pavërteta. 

Dhe së fundmi dua të them dy fjalë dhe për akuzat ndaj Edi Ramës për bashkëpunëtorët e tij nga Kosova apo miqtë e tij. 

Unë e njoh dhe Kosovën dhe Edi Ramën. Edi Rama para se të bëhej kryeministër nuk ka pas ndonjë njohje të thellë të Kosovës. E ka trajtuar më shumë si Atdheu i Hashim Thaçit të cilin për fat e kishte mik të mirë. 

Miqtë e Edi Ramës nga Kosva nuk janë miqtë e mij. Madje dis prej tyre si kam njohur kurrë. Besa Shahinin se kam takuar asnjëherë në jetë por më ka pas lënë shije të mirë si një ministre e ardhur nga Kosova që arriti të kuptonte Shqipërinë, por nuk arriti ta pranonte. Nuk është pak, edhe pse në Shqipëri është një tokë e minuar për çdo kënd që nuk vjen nga klanet politike të Shqipërisë. 

Ajo nuk është e vetmja që Edi Rama ka thirrur nga Kosova. Kemi së paku dy ministra dhe katër zëvendësministra përfshi dhe kryetaren e shërbimit sekret nga Kosova. Është një eksperiment I çmendur I një njeriu që në fakt kërkon ta ballafaqoj Kosovën me Shqipërinë në institucione. Dhe po bën gjene e duhur. 

Tani po të merrim mend e Berishës mund të themi që këta ja ka dhënë Vuçiqi, apo po të ecim me paranojat e zotit Islami mund të themi që kanë qenë planifikuar që nga koha e Pashiqit, e Miloshevicit , por ky është banalitet. 
Shumë fëmijë të elitës jugosllave kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës. Jo doemos me pushkë në mal. 

Veton Surroi e ka pas babain ambasador, por nuk mund ti heqim meritat e tij si aktivist dhe publicist I shquar për Kosovën. Shkëlzen Maliqi e ka pas babain thuajse Ministër të Brendshëm gjatë autonomisë, por roli I tij si intelektual në zhvillimet demokratike të Kosovës nuk mund të mohohet. Për Besën nuk po flas se ka qenë fëmijë. Por Baton Haxhiun po ashtu e njoh prej vitit 1993, dhe ka qenë njësoj si sot, I kudogjendur, I paparashikueshëm, I pakorrigjueshem shpesh në mungesën e përgjegjësisë por njeri I qartë në punën e tij.  Koha Ditore e drejtuar prej tij në vitet 1997 1999 ishte thuajse gazetë zyrtare e UCK, madje e egër kundër Rugovës. Tani si duhet ta quajmë këtë, që ka qenë direktivë e UDB që gazeta më popullore e Kosovës të mbështeste UCK, sepse Batoni ka takuar Stanshicin, por që nuk vë dorën në zjarr që mund të ketë takuar dhe të tjerë? Ato ai i ka pohuar vet. 

Ndaj është e rënd që tani për inatet ndaj Edi Ramës, të shpallim gjithë njerezit që ai I ka miq në Kosovë si pjesë e UDB.  

Dyshoj se ky sulm ndoshta vjen dhe nga fakti që Edi Rama do marrë pjesë në një aktivitet të LDK, duke reflektuar për figurën e Ibrahim Rugovës. Dikujt mund ti pengoj kjo gjë. Por  edhe pse vonë, Edi Rama po bën atë që duhet ta bënte që në krye.  

Tani me këtë kriter, hajde ti themi dhe Blendi Fevziut që është agjent I UDB meqë do flas dhe ai aty, se dhe ai nuk është se e ka dash Rugovën dikur. 

Ky vështrim ideologjik I raporteve Shqipëri Kosovë ka qenë stili I Enver Hoxhës Ai I kishte katër këshilltarë për Kosovën që I tregonin se kush ishte armik I Shqipërisë nga shqiptarët e Kosoves e kush mik. Klasifikimi ishte kush ishte me Enver Hoxhën e kush jo. Ajo kohë ka vdekur. Ajo mendësi është e vetmja njolle ndryshku në historinë e art të UCK. Mos e rrisni më atë njollë, por përpiquni ta fshini krejt. 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?