I gjithë objektivi i betejës kundër PD-së, që nga viti 2021 kur nisi “Foltorja”, ka qenë marrja e kontrollit mbi opozitën dhe monopolizimi i saj nga vetë Berisha.
Beteja e tij pati një farë suksesi brenda Partisë Demokratike, duke nxjerrë jashtë loje grupin e Lulzim Bashës, duke i tërhequr mbështetësit e tij në anën e vet dhe duke tentuar të hyjë në zgjedhje me sigël dhe vulë në duart e tij.
Por Berisha arriti të gënjejë drejtues të PD-së dhe deputetë të saj për t’u bashkuar rreth vetes në zgjedhjet e 11 majit, por nuk arriti të gënjejë mbështetësit e PD-së që nuk pranojnë Berishën.
Kështu që zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhjet e para që provojnë se 250 mijë votues shqiptarë të opozitës nuk i përkasin më Sali Berishës, por përfaqësojnë frymën anti-Berishë në opozitë.
Pra ai arriti të rekrutojë nëpunësit e PD-së, por jo elektoratin e PD-së. Dhe kjo po reflektohet edhe pas 11 majit.
Në debatin për cilësinë e zgjedhjeve dhe rinumërimin, opozita nuk është më e bashkuar. Partitë e reja, fjala vjen, kanë ankesa për sistemin zgjedhor por jo për procesin zgjedhor. Madje ndonjë prej tyre është më e rrezikuar nga PD sesa nga PS në këtë proces.
Rinumërimi tregon se PD është partia që ka më shumë vota të marra gabimisht deri tani, edhe pse realisht numri i përgjithshëm i tyre është pa ndikim mbi rezultatin dhe reflekton më shumë një gabim njerëzor, por me tendencë për t’i shtuar votat PD-së.
Kjo e forcon ndarjen e opozitës shqiptare dhe humbjen e monopolistit Berisha mbi opozitën.
Opozita shqiptare është e ndarë në dy qëndrime të qarta rreth zgjedhjeve të 11 majit: mes atyre që pranojnë se opozita ka humbur thellë zgjedhjet dhe duhet të rishikojë organizimin e saj, dhe rrethit të Berishës që nuk pranojnë humbjen me qëllim që të vazhdojnë të mbajnë kontrollin mbi atë pjesë të opozitës që kanë.
Madje, ajo pjesë e opozitës e cila pranon se opozita i ka humbur zgjedhjet, tani po zgjerohet dhe me zëra brenda PD-së, duke shënuar një krizë të re dhe vazhdim të hemorragjisë nga Berisha. Kjo ndarje është humbja e parë e rëndë e monopolistit Berisha mbi opozitën.
Tani, si për vëzhguesit e huaj ashtu edhe për faktorët e tjerë ndërkombëtarë, Sali Berisha nuk është më referencë në emër të opozitës, por vetëm një nga faktorët opozitarë.
Me krijimin e parlamentit dhe fillimin e sesionit të ri politik, kjo ndarje do të bëhet edhe më e madhe. Për shkak të rezultatit të lartë të PS-së dhe mungesës së nevojës për bashkim votash me Berishën, ky i fundit do të jetë i izoluar edhe si faktor opozitar.
E gjithë kjo retorika e tij me qarjet e Albanës në KiE, apo videot e Berishës në Facebook, është një përpjekje për të mbajtur sa të mundë rreth vetes ata që tani po kuptojnë se jo vetëm humbja e PD-së është e qartë, por edhe mungesa e perspektivës me Berishën është po aq e qartë.
Çdo kompozim i ri në Kuvend, përfshirë edhe reformën zgjedhore të kërkuar nga BE, e bën Berishën thjesht një aktor opozitar por jo përfaqësues të saj. Votat për kodin e ri elektoral janë të mjaftueshme mes PS-së dhe faktorëve të tjerë opozitarë. Madje, me pak shtytje, edhe për ndryshime kushtetuese.
Kështu që Berisha më 11 Maj, nuk ka humbur thjesht shansin për pushtet, por edhe pushtetin mbi opozitën. Kjo është humbja më e madhe e tij më 11 maj.
Komente
