Sali Berisha

Mero Baze: Në pritje të autokritikës së pronarëve të televizioneve për Berishën

13 Nëntor, 21:48| Përditesimi: 13 Nëntor, 21:49

  • Share

Ka një hutim në mjedisin e pronarëve të televizioneve të mëdha pse Berisha ka tre ditë që i sulmon. Shikojnë ku kanë gabuar dhe s’po e gjejnë dot. Klani ka urdhëruar të bëjnë analiza dhe u del me tejkalim. 73 për qind të lajmeve janë me Berishën dhe për Berishën. Vizion Plus e ka 68 për qind, d.m.th me tejkalim të ndjeshëm mbi qeverinë. Top Channel në garë me Vizionin, e ka 67.19 për qind, por e kompenson me Top Albanian që e ka 72.4 për qind, sa Klani. Radio Tirana 53 për qind e kështu me radhë. Nuk po flas për TVSH, se aty ka gjysmën e Këshillit Kombëtar si gazetarë.

Por përsëri shqetësimi mbetet. Si t’ia bëjmë që është shqetësuar Berisha?

Asnjë reagim prej tyre. Duket sikur i kanë hyrë punës të analizojnë ku kanë gabuar dhe si duhet të përmirësojnë punën në të ardhmen, në zbatim të direktivave të marra nga penxherja.

Dhe Berisha ka një zakon të keq, kur kritikon bashkëpunëtorët. Ai nuk u thotë se çfarë duhet të bëjnë për t’u korrigjuar, pasi ata duhet ta gjejnë vetë. Dhe me sa duket pronarët e TV po përpiqen të kuptojnë ku kanë gabuar.

Derisa ta përfundojnë autokritikën para Berishës, ai i ka shtyrë tre-katër ditë të tjera duke u ankuar që shërbëtorët e tij nuk po punojnë si duhet, pasi kështu e ka së paku një argument përse do t’i humbasë zgjedhjet.

Por ana groteske e këtij sulmi është përpjekja qesharake për t’i ngjarë Trump-it në betejën kundër medias tradicionale. Është shumë e vërtetë që Trump e ktheu shtypin tradicional në një armik të vetin, por e kishte një arsye. Edhe shtypi tradicional e kishte Trump-in një armik të rëndësishëm të tij. Mediat më të mëdha të SHBA, përjashtuar Fox Neës, janë kundër tij, për shkak të filozofisë së tij. Dhe të dy palët e meritojnë të jenë armiq të njëri-tjetrit.

Por Trump nuk fitoi se kishte armik shtypin tradicional, por se arriti të përçojë mesazhet e tij përmes rrjeteve sociale dhe duke e përdorur shtypin tradicional si armik të tij. Shpesh herë dhe armiqtë bëhen të dobishëm, duke përçuar mesazhet e tua në mënyrë negative.

Problemi që ka Berisha është se shtypin e ka me vete dhe i jep hapësirë më shumë se ç’duhet. Kjo nuk është se i bën ndonjë nder Berishës. Në atë gjendje rotullimi që ka Berisha dhe në atë diare të përditshme që derdh nga penxherja, atij i duhet një censurë nga shtypi që ta ndihmojë.

Është shumë e provuar se Berishën nuk e dëmton censura në media, por hapësira në media. Në vitin 1994, Shqipëria kishte një televizion, dhe ishte i gjithi 24 orë i Berishës në fushatën për referendum, duke mos lejuar opozitën as të zgjaste kokën. Dhe prej TVSH humbi referendumin. Tani ai ka disa TVSH në dispozicion dhe i kanë dhënë atij gjithë hapësirën publike. Ky është vërtet një kurth i rrezikshëm për të, pasi idiotësitë që lëshon çdo natë përhapen në çdo cep të vendit.

Nëse është bërë kaq i mençur ta kuptojë këtë, nuk ka nevojë të shajë TV që mos ta transmetojnë. Thjesht mund të mos flasë dhe ato nuk kanë çfarë transmetojnë. Ndryshe ato nuk kanë çfarë zvogëlojnë nga ato që thotë. I japin ashtu siç i thotë ai dhe natyrisht e zvogëlojnë atë përditë e më shumë, duke e bërë të parëndësishëm.

Dy netë më parë në një TV nga këto me lajme në Tiranë, ishte dhe Berisha, dhe pas tij Dashamir Shehi. Ky i fundit kishte dyfishin e shikueshmërisë në YouTube në raport me Berishën. Dhe kjo tregon shumë se çfarë dëmi i kanë bërë TV Berishës që i kanë hapur ekranet.

Problemi është që ai tani dëshiron dhe më shumë hapësirë. Mirë është t’ia japin. Madje t’ia lënë kamerat si Big Brother brenda në shtëpi, ta shikojnë gjithë ditën shqiptarët. Është mënyra më e mirë që të bëhet komplet qesharak.

Kjo është një zgjidhje e mirë dhe për këta pronarët e trembur të TV-ve që duan të kuptojnë pse po i sulmon Berisha. Thjesht mendon se tani dhe ky mund të sillet si Trump-i me shtypin, por ndryshe nga Trump-I, ky do që dhe t’i shajë siç i shan Trump-I, dhe t’i shërbejnë sikur të jetë “Soros-i”.

Ata në fakt po i shërbejnë, sikur të jetë Soros-i, por puna është që ky e ka të keqen pse TV-të e transmetojnë dhe jo pse nuk e transmetojnë. Sikur mos ta transmetonin, do ishte viktimizuar disi në opinion publik, pasi njerëzit do mendonin kushedi çfarë hallesh ka aty brenda dhe nuk e lënë të flasë. Por TV-të po e lënë të flasë aq shumë, sa dhe ata që kanë pasur ndonjë dyshim që nuk ka rrjedhur, tani maksimumi iu vjen keq pse ka degraduar, por nuk kanë dyshim që ka degraduar.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?