Mero Baze

Opinion

Mero Baze: Njeriun, që e shpëtoi e vërteta

29 Mars 2021, 20:46| Përditesimi: 29 Mars 2021, 21:52

  • Share

Specia më e rrallë në Shqipëri, janë njerëzit që pranohen nga shumica. Prej vitit 1992, kur e kam takuar për herë të parë Bashkim Finon, e deri në fund të jetës së tij, kur mendoj se çfarë e bënte të pranuar nga shumica, gjej vetëm faktin e të qenit njeri i vërtetë.

Duke qenë i vërtetë, ai ka qenë shpesh herë i keqkuptuar nga kundërshtarët, por dhe nga të vetët. Por kjo nuk e ka kompleksuar kurrë. Përkundrazi, të tjerët i ka kompleksuar.

Rrallë ndodh që një politikan 25- vjeçar të jetë aq pak i konsumuar sa ai dhe aq shumë i pranuar nga të gjithë, falë faktit që ishte i vërtetë.

Për herë të parë shkova t’i ankohem si drejtor i lajmeve të ATSH-së në vjeshtën e vitit 1992, se Bashkia e Gjirokastrës kishte lënë ATSH-në pa zyrë.

-Të gjej zyrë tjetër, tha, me gjithë gazetarë brenda po deshe. Aty tek zyra e funeraleve ka dy zyra. Merreni një ju. Të paktën merrni vesh kush vdes në qytet, se gjë tjetër s’ka këtu.

Kështu kaluam nga ankesa në humor dhe ATSH përfundoi vërtet me zyrë tek funerali, që më së shumti i shërbeu Vrijon Graçit për të shkruar një roman të mrekullueshëm, në vend të lajmeve që nuk i bëri kurrë.

Në vitin 1997, kur ai u pranua nga Berisha si kryeministër i pajtimit kombëtar, arsyeja ishte pikërisht toleranca e tij me kundërshtarët. Ai e shikonte Finon si të vetmin socialist me të cilin kishte bashkëpunuar.

Fino nuk kishte mbajtur qëndrim agresiv ndaj fushatës së Berishës për Kushtetutën në vitin 1994, kur ishte kryetar bashkie, dhe kishte vendosur raporte normale me Sali Berishën, që ishte ndërkohë gogoli i socialistëve.

Për këtë arsye, pas Kongresit të vitit 1996, ai nuk ishte as pjesë e forumeve të larta të partisë. Por Fatos Nano në burgun e Bënçës e kishte ndërkohë vizitor të rregullt. Kur po e intervistoja atë në qeli, e pyeta privatisht se si shkonte me ushqimin.

-Ja na dërgon mish të pjekur Bashkimi, tha. Shiko si na ka bërë…, duke vënë dorën mbi barkun e rritur.

Një natë prilli të vitit 1997, kur Shërbimi Informativ kishte mbetur pa kryetar dhe nuk po gjendej një emër i pranuar, Bashkim Fino i trokiti në zyrë Sali Berishës me një propozim që e kompleksoi. Ai i propozoi për kreun e SHIK, një ministër të tij demokrat, E.Y., ish- – persektuar politik.

Sali Berisha u tërbua. Dukej se i ishte përmbysur bota. I ishte prishur gjaku dhe sillej si i xhindosur në zyrë, pse Bashkim Fino i kishte propozuar një ministër të tij.

-Ai është spiun i tyre,- tha, ndryshe nuk ka pse të ma prozojë Bashkimi.

Ishte llogjika e njeriut që nuk gjente dot paqe me veten, përballë një njeriu që donte të ishte i vërtetë në raport me kundërshtarin.

Duke marrë përshtypjet agresive të Berishës, e takova Bashkim Finon për t’i treguar se Berisha e kishte pritur keq atë emër.

-Qenka gomar, tha. Unë thashë ti bie shkurt, të vë një njeri të tij, pa për mua të vërë kë të dojë. Çfarë do na bëjë tre muaj!

Dhe në fakt për aq muaj që Bashkim Fino drejtoi qeverinë, arriti të demontojë pushtetin e Berishës me qetësi, arriti të frenojë agresivitetin e Komiteteve të Shpëtimit, të ngjallte besim tek ndërkombëtarët dhe t’i hapte rrugën përmbysjes politike në Shqipëri.

Ai nuk bëhej agresiv as kur Berisha i nxirrte njerëz tek ura e Bunës, ta qëllonin kur shkonte në Shkodër, as kur “Komitetet” e kërcënonin për shkarkim, dhe as kur monarkistët sulmonin KQZ. Duke qenë i vërtetë, për të nuk kishte asnjë konflikt që nuk zgjidhej.

Në  intervistën e parë që dha  për “Zërin e Amerikës”, pak minuta pasi u njoftua se ishte zgjedhur kryeministër, ai dukej që nuk dinte shumë gjëra se çfarë të thoshte dhe i tha Rajmond Kolës se “pas tre muajsh unë do të kthehem përsëri në Gjirokastër, sapo të mbaroj detyrën që më ngarkuan”.

E mori atë detyre me sportivitet, si një transferim të përkohshëm në Tiranë, për të vendosur rregull.

Por në fakt nuk ka asgjë, që zgjat më shumë se gjërat e përkohshme. Kështu ndodhi dhe me transferimin e tij.

Rrëmuja zgjati rreth 25 vjet, derisa ai u lodh dhe sot vendosi të iki, duke na lënë këtu mes sherreve tona, me Sali Berishën. Siç na gjeti.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?