Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Nuk është anti-shqiptar, por anti-opozitar

5 Qershor, 19:34| Përditesimi: 5 Qershor, 19:37

  • Share

Ka një lehtësi të papërballueshme në etiketimin e Sali Berishës si anti-shqiptar për atë që bën në Bruksel kundër Shqipërisë. E vërteta është se ka thënë gjëra aq të rënda dhe aq të tmerrshme, sa na ka shpëtuar nga ndonjë akuzë reale.

Ka shpallur se në Shqipëri ekzistojnë kartelet më të mëdha të drogës në botë dhe kriminelët më të rrezikshëm. Ka shpallur që Shqipëria është vendi numër 1 në botë në prodhimin e drogës dhe kriminelët shqiptarë janë të gjithë shokë të kryeministrit. Ka shpallur që opozita është e frikësuar nga kriminelët dhe nën diktatin e dhunës së tyre...

Nuk po e zgjas, por ligjërata të tilla vazhdojnë për çdo fushë të mundshme të zhvillimit të Shqipërisë. Në fakt, nëse një njeri do të arrinte të bindte botën dhe Europën për gjëra të tilla, meriton piedestalin e anti-shqiptarit.

Por Sali Berisha nuk e meriton dhe i bien më qafë kot. Të jesh anti-shqiptar i këtyre përmasave, së pari nuk duhet të jesh budalla.

Duhet të jesh njeri fin, i zgjuar, me aftësi të jashtëzakonshme manipulative dhe t’u bësh të besojnë partnerëve perëndimorë të Shqipërisë që ky vend i vogël, fqinj me Europën, është më i fuqishëm se Kolumbia, Meksika apo Ekuadori në krijimin e karteleve dhe trafikun e drogës, si dhe në përdorimin e krimit në politikë. Kjo nuk bëhet me deklarata. Madje as faktet nuk mjaftojnë.

Duhet shumë punë të bindësh njerëz që jetojnë në Europë dhe e vizitojnë Shqipërinë, që t’u tregosh se vendi që ju shikoni nuk është ashtu si duket, por është një narkoshtet.

Kur 27 kryeministra zbresin në Rinas dy ditë para zgjedhjeve, qëndrojnë 24 orë në sheshin “Skënderbej” dhe ndihen entuziastë për Shqipërinë, krijohet një problem logjik mes asaj që duhet t’i bindësh dhe asaj që ata janë bindur.

Që të pranohet kjo gjuhë e Berishës duhet të pranojmë njëherë që të gjithë kryeministrat e Europës janë budallenj, të gjithë eurodeputetët në Parlamentin Europian janë injorantë dhe të cekët, ose janë nën pushtetin e karteleve të drogës që Berisha ka zbuluar në Shqipëri.

Problemi është se megjithëse Berisha i thotë ato me gjithë shpirt dhe me shumë pasion që të duket i besueshëm si opozitar, thjesht duket dhe vepron si shef i një karteli, me anëtarët e bandës së tij. Vetëm në kartelet e drogës ndodh që edhe pse të gjithë e dinë që shefi është i çmendur dhe i lig, i rrinë urtë dhe madje janë gati të përsërisin ato marrëzira që thotë ai.

Në një kartel, askush nuk guxon të dalë kundër shefit edhe kur ai është i çmendur. I vetmi element bashkues në opozitën tonë është që edhe ata që e urrejnë dhe ata që e duan, rrinë në rresht pas Berishës se e kanë frikë. Falë kësaj cilësie karteli, bëjnë dhe krime të çmendura.

Së dyti, të jesh anti-shqiptar i përmasave që pretendon Berisha, nuk të mjafton thjesht aleanca me vendet anti-shqiptare. Ja sot edhe një diplomat rus përsëriti deklaratën e Berishës se Shqipëria është narkoshtet, por Berishës nuk i bën punë Rusia.

Berishës i duhet që ta përmend këtë kancelari gjerman, kryeministri italian apo presidenti francez dhe anglez. Kur ata e dëgjojnë këtë gjë nga Berisha dhe nga Rusia, thjesht janë më shumë në anën e Shqipërisë.

Edhe nëse gjen ndonjë deputet filorus në Europë, që në fakt ka me shumicë nga partitë populiste, dhe e përsërit këtë, përsëri nuk i bën punë, pasi objektivi i Berishës është t’i prishë punë Shqipërisë në Europë, jo Shqipërisë në Rusi.

Ndaj nuk e meriton t’i thuash anti-shqiptar, se ndonjëherë më shumë na ndreq punë me këto ligësi të tij, se sa na prish.

Dhe së fundmi, që Berisha të jetë anti-shqiptar efikas pas gjithë atyre të zezave që thotë, duhet t’u mbushë mendjen edhe të vetëve. Nëse ka njerëz më të qartë në Shqipëri se përse ka humbur aq thellë PD, janë vetë demokratët, madje edhe vetë kandidatët e Berishës.

Ata po kërkojnë rinumërimin e votave të vjedhura brenda bandës dhe janë të gjithë të qartë se kanë humbur prej Sali Berishës, por nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Nuk ka të ri apo të vjetër në PD, burrë apo grua, berishist apo anti-berishist, që nuk të thotë se na mori më qafë Sali Berisha, por s’kemi çfarë t’i bëjmë.

Në një farë mënyre, Sali Berisha është sot anti-opozitari më i madh në Shqipëri, figura më e urryer e tyre dhe banditi më i madh kundër opozitës, që po e përdhunon atë si në një marrëdhënie incesti, meqë e quan krijesë të vetën.

Por, më falni, ky nuk quhet anti-shqiptar.

Anti-shqiptar quhet ai që i prish punë Shqipërisë. Ky Shqipërisë nuk i prek dot as një qime. Ky është anti-opozitari më i madh që kemi, por nuk është beteja jonë me të. Është beteja e opozitës./Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ben: 05/06/2025 20:04

    As antiiopozitar jo! Ështe antiqytetar “fshatar”

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?