Genc Fuga dhe bashkëshortja Eni

Mero Baze: Pacienti ‘Fuga’ dhe ‘aktorët’ që vajtojnë për të

2 Gusht 2023, 19:45| Përditesimi: 2 Gusht 2023, 19:50

  • Share

Kam parë shumë reagime histerike rreth rastit të pacientit Fuga. Dhe të gjitha nuk kanë të bëjnë me shëndetin e tij, por me dëshirën për të bërë politikë me shëndetësinë.

Njëra palë, janë raca e atyre që janë gati ta shikojnë dhe të vdekur Fugën, boll që të kenë rast të shajnë qeverinë. Tjetra, nga raca e populistëve të rinj, që kanë zbuluar që shteti të paguajë një më një çdo pacient që i rrezikohet jeta si rasti në fjalë, se “ndaj paguajmë taksa”.

Unë personalisht kam pas një rast të tillë katër vite të shkuara. Një djalë i vetëm i një familje nga vendlindja ime, pati një goditje cerebrale njësoj si aktori në fjalë, dhe përfundoi tek neurokirurgjia. Familjarët e tij që nuk i njeh askush dhe që ishin të lumtur që u kishte ardhur dhe ambulance, më kërkuan të lidhem me mjekun të kuptoj nëse mund të shpëtonte. Mjeku më tha se nëse për dy orë nuk i bëjmë ndërhyrjen në fjalë, me aparatin të cilin e ka vetëm Spitali Amerikan, ai do të vdesë. Për disa minuta mua pa asnjë faj dhe përgjegjësi më ra në pjesë të merrja vendim a duhet të rronte apo të vdiste ai njeri, vetëm për faktin se e kisha nga vendlindja.

I thashë ta çojnë tek Spitali Amerikan se do flas unë me ta, pa ditur fare sa kushtonte.

Më pas mora vesh çmimin që tani e dimë të gjithë, që ishte shokues. Nuk u thashë familjarëve, por mu desh të bëj disa kontrata afatgjata me spitalin, për shlyerjen e tij.

Me siguri ka dhjetëra apo qindra raste që përfundojnë në vdekje. Ajo lloj goditje nuk pyet nëse je i njohur si aktori Fuga, apo i panjohur si ai i njohuri im nga vendlindja që për fat shpëtoi. Ajo sëmundje do para që pacienti të shpëtohet.

Dhe nuk ka asnjë qeveri në botë që i paguan ato para dhe asnjë spital në botë që ta bën atë falas.

I vetmi mjet rregullator në këtë histori është sigurimi shëndetësor i përshkallëzuar.

Sigurimi shëndetësor bazë që ne paguajmë, përveçse për hir të së vërtetës është i ulët, mbulon nevojat jetike të shëndetësisë falas, kontrollet mjekësore, ndërhyrjet e lehta dhe trajtime te sëmundjeve kronike. Nuk jam ekspert të them nëse duhet të mbulojë më shumë apo më pak, por në gjithë botën sigurimi bazë ka një kufizim ndaj ndërhyrjeve speciale apo sëmundjeve të rënda.

Turqia që e ka më të konsoliduar skemën, ka një shkallëzim deri në katër nivele të siguracioneve shëndetësore, të cilat vlejnë për të gjitha spitalet publike dhe private.

Perëndimi, përveç Britanisë së Madhe, ka shkallëzime të ndryshme, por modeli është i njëjtë. Ka sigurim bazë, sigurim të shkallës së dytë që mbulon sëmundje më speciale, dhe sigurim të plotë për gjithçka që të gjen. Britania e Madhe ka një taksë shtetërore për gjithçka, por mirë është mos ta provosh sistemin për sëmundje akute si kjo.

Histeria ndaj spitalit dhe histeria ndaj qeverisë nisur nga rasti në fjalë, është një përpjekje për të bërë politikë me fatkeqësinë, çka është më e keqe se fatkeqësia.

Ajo që duhet të bëjë shteti shqiptar është reforma në sigurimet shëndetësore, dhe njohja e peshës së siguracionit në të gjitha spitalet. Shkallëzimi i siguracioneve mbi sigurimin bazë, është nevojë urgjente.

Spitali nuk mund të fajësohet siç po bëhet, pse ka blerë një aparaturë të shtrenjtë që shpëton jetë njerëzish kundrejt parave, dhe qeveria nuk mund të kthehet në bankomat për çdo sëmundje të rëndë.

Qeveria shqiptare ka listën më të gjerë të barnave të shtrenjta të rimbursueshme për sëmundjet fatale, kryesisht sëmundjet e rënda tumorale apo hepatit c, që ka ndonjë vend i rajonit, dhe është ndër më të avancuarat në Evropë. Provoni të keni një të afërm me tumor, që kërkon 5 mijë euro në muaj kurim dhe të mos jetë ai bari tek lista e rimbursueshme, dhe pastaj provoni të kërkoni llogari për taksën qesharake që paguajmë për sigurimin shëndetësor. Kjo është pikërisht përgjegjësi e qeverisë, reformimi i sigurimit shëndetësor, dhe garancia për sëmundjet fatale, përmes një fondi special.

Të tjerat duhet të mësojmë t’i zgjidhim përmes një sistemi të rregulluar siguracionesh.

Për fat aktori Fuga si pacient është gjallë, por aktorët e tjerë që vajtojnë në emër të popullit të sëmurë, nuk ndjehen rehat. Ata presin pacientin e radhës të fillojnë të derdhin lot përsëri. Por në fakt kjo punë zgjidhet duke derdhur para. Të gjithë, jo vetëm shteti.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Armand: 03/08/2023 18:30

    Pershendetje e ne rradhe te pare le te urojme te gjithe te semureve sherim te shpejte! Le te urojme gjithashtu se problemet e renda e te shumta me shendetesine te zgjidhen sa me pare e pergjithmone ne te mire te qytetareve. Natyrisht qe te kete kuptim unimi i pare duhet me pare te realizohet ky i dyti e qe kjo te ndodhe duhet patjeter nje nderhyrje e forte ne sistemin shendetesor publik. Kjp nderhyrje mundet te realizohet vetem nga qeveria e cila duhet ta mare shtysen nga qytetaret meqe vete nuk po leviz. Me pak fjale eshte vertet rasti qe ne sa me shume te jete e Manduria te dalim e te kerkojme ndryshimin qe duam. Patjeter qe duhen gjetur edhe zgjidhjet e mundshme e duhen propozime konkrete nje prej te cilave mund te jete cka propozon Mero Baze por ka dhe alternativa te tjera sic deshmojne te tjere komentues ( gati te gjithe flasin mai eksperiencen e tyre personale sikurse edhe une). Nje nder sistemet me te mira dhe me gjithperfshirese eshte sistemi shendetesor italian edhe pse per fat te keq prej shume vitesh vuan prerjen e fondeve nga qeveri te ndryshme perseri arrin te mbuloje te gjitha kerkesat e popullates (problemi kryesor eshte koha pritjes shpesh e gjate duke mare parasysh popullsine e moshen mesatare te larte). nga ana tjeter professionistet konsiderohet si nder me te pergatiturit ne bote dhe etica e humaniteti i tyre ne pergjithesi te ben pershtypje. Na ben pershtypje e na ben te mendojme ne qe e kalojme ne shpinen tone e qe detyrohemi te gjejme mjete e rrethana si e si te kemi mundesine te gjejme shpetim ne nje sistem ku shendeti eshte prioritet e nuk I mohoet asnjerit.

    Përgjigju
  • Beni: 03/08/2023 10:36

    Ja dhe merumi qe mbron te pa mbrojtshmen. Na trgon edhe si funksinon jashte qe te na bindi. Sikur vetem merumi ka dal jashte. Ik o mero bej qoka politike te shesessh ndonje reklam ne portal dhe ishalla ste vjen radha ty te paguash 20 mij euro te Allabeaj

    Përgjigju
  • Nik: 03/08/2023 09:12

    Biles mua kur dola nga spitali në Itali , më dhanë edhe 100 mijë euro ti kisha pare xhepi .

    Përgjigju
  • Meri: 03/08/2023 07:41

    Z,Baze,mos mbro qeverrin e korruptuar,informohu më mirë para se të shkruash.Informohu si funksionon në ITALI:

    Përgjigju
  • Frangu: 02/08/2023 23:11

    Zoti Baze! Ju që vetë thoni se nuk e njihkeni veten si ekspert të fushës, do të bënit mirë të mos flisnit me kaq kompetencë e madje shembuj krahasues: Në Itali, po të marrim një shembull tipik perëndimor, çdo lloj ndërhyrjeje kirurgjikale është gratis për çdo qytetar i cili është i regjistruar si banor (rezident) në atë shtet. Njohuritë tuaja lënë për të dëshiruar; guximi juaj profesional: akoma më shumë.

    Përgjigju
  • jaho: 02/08/2023 23:04

    e ke gabim mero,,ketu ku jam une ne amerike me siguracion mbulohet gjithcka,,,0se i bie qe te vdesin njerezit ketu kur s'ke leke,,,mero ti kerkon te shfajesosh qeverine,,qe e kane lene popullin dhe shendetesine ne mjerim,,,shteti ka fonde por ato vidhen,,,ja ku e ke ish zv.kryeministrin..sa para u vodhen per te bere inceneratorin e tiranes...110 milion euro,.vetem me ato para mund te ndertoheshin 5 spitale te reja...turp te kesh mero baze,,ishe papagalli i saliut,,tani u bere papagalli i edi rames...

    Përgjigju
  • I pandehuri Berisha: 02/08/2023 22:11

    Jo Mero, nuk eshte tamam ashtu si thua ti. E te flas me fakte. Vuaj nga nje semundje neuro muskolare e rralle. Jetoj ne Itali. Nuk kam asnje sigurim plotesues (complementare). Cdo muaj bej kura ne vene ne Day Hospital (shteteror) me vlere 3600 euro! Nuk paguaj asnje centesimo. Ne Shqiperi me siguri , sipas llogjikes se artikullit, gjendja ime do shkonte duke u rendiar deri ne humbjen e jetes! Pra i nderuar Mero, problemi qendron, si shkruan Carlo Bollino, ne strukturimin e sistemit shendetesor, duke tranformuar ate privat ne mbeshtetje te atij shteteror. Kush do kura me te shpejta drejtohet te privati,me pagese. Por absolutisht jo kur behet fjala per jeten.

    Përgjigju
    • Qytetari: 04/08/2023 01:57

      Zoteri prandaj Italia eshte ne ate varferi pasi paguan dhe per qytetaria shqiptar qe ska kontribuar per italine plus sistemi shendetsore ne itali varet nga te ardhurat vjetore te familjes.Sa me shume te ardhura te marri familja ne vit fumet ne nje fashe me te larte dhe paguan me shume.Lekun Per ty e paguajne te tjeret.dhe ne itali mjeket jane te korruptuar si ne shqiperi ku me nje ryshfet qe I jep te vendosin ne siguracionin e nje familjari tendin Shko ne gjermani I nderuar por nuk thereto dot ambulancen per te marre qe te shkosh ne urgjence se siguracioni shendetsor qe paguan eshte i ulet .Gjermania e ka te detyrueshme nje siguracion baze ta paguaj cdo njeri qe punon Ne Gjermani sa me te larte ta keshe pagesen e siguracionit aq me e madhe eshte fasha e sherbimeve qe merr Jam dakort me Merton qe te kete reforme ne sistemin e sigurimeve shendetsore Se me 1,7% te pages qe paguajme per sigurimi shendetsore as per nje konsulte nuk mjafton Personi me nje page 1 milion leke paguan per sigurimin shendetsor 17 mije leke te vjetra ne muaj ose 204 mine leke te vjetra ne vit Cfare operacioni mund te perballosh me to

  • I Mjeri: 02/08/2023 21:06

    Në jetë duhen të gjitha,por mbi tëgjitha "JETA".Ashtu si për luftën mendohet që në kohë paqeje dhe për shëndtin që kur je mirë.Ju lutem mos vajtoni si qyqet.

    Përgjigju
  • Polol: 02/08/2023 20:47

    Patjetër, ca mund të marrin lekë taksapaguesish për studimet e fëmijëve në Angli, po për jetën a vdekjen e dikujt u dhimbsen ato të shkreta..

    Përgjigju
  • Tata: 02/08/2023 20:42

    Shteti nuk eshte baba. Kudo te jesh,pa sikuracion vdes,sepse jo cdo gje eshte falas. DUAM XHAAAAAXHIIIN HIHIHIHIHI

    Përgjigju
    • Bim: 02/08/2023 23:17

      Nuk eshte e verrete, ne Itali nuk ke nevoje per asikuracion e per asgja, vetrm per codice fiscale che te bije ajo qe nuk duhet kurre te bije shteti ti mbulonnte gjitha. Edhe ne Gjermani eshte e verrete qe ke nje asikuracion qe e pagun gjysme per gjysme per pronarin dhe ajo ti mbulon te gjitha. Nqs nuk punon ateher asijuracionin ta pagun shteti dhe i ke te gjitha te mbulura. Eshte kriminale qe sot mund te vdesesh nga nje semundje qe nqs e merr ne kohe shteti ne gjithe europen e ketu shpeton vetem nqs ke 19.000 dollari. Nuk mund te justifikohet edhe ky krim

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?