Zv.ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer zhvilloi sot një vizitë “virtuale” në Shqipëri. Ai pati fillimisht një takim me ata që i quajti “kampionë të reformës në drejtësi”, ku ishin një grup gazetarësh, pjesëtarë të shoqërisë civile, si edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë, ku bie në sy emri i Ardian Dvoranit, që kanë mbështetur reformën në drejtësi.
Më pas pati një takim me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Edhe pse bisedat ende nuk janë bërë publike, fokusi i debatit ishte garancia politike që zgjedhjet e reja të mos ndikojnë negativisht në të ardhmen e reformës në drejtësi.
Përpara zgjedhjeve ka dy qëndrime politike ndaj reformës në drejtësi. E para, është ajo e Qeverisë dhe mbështetësve të reformës në drejtësi, të cilët angazhohen për ngritjen dhe plotësimin e institucioneve, si dhe ruajtjen e pavarësisë së saj.
Qëndrimi tjetër është ai i Ilir Metës dhe Sali Berishës, që angazhohen në anulimin e reformës në drejtësi dhe premtimin për arrestimin e Ardian Dvoranit, sipas Ilir Metës, si shkelës i Kushtetutës.
Kryetari formal i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk i është bashkuar formalisht qëndrimit të Metës dhe Berishës dhe është deklaruar se do mbajë larg duart nga reforma në drejtësi.
Me këto qëndrime ambige, opozita e bën krejt të pasigurtë të ardhmen e reformës, pasi fuqia reale e opozitës nuk është Lulzim Basha, por Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Deri më sot, Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë koment për qëndrimet e Metës dhe Berishës kundër reformës, duke i anashkalur ato.
Në këto kushte, zoti Palmer do ta ketë të vështirë t’i marrë “besën” Berishës dhe Metës për reformën, por thjesht duhet t’ua bëjë të qartë se ata dhe SHBA presin gjëra të ndryshme nga këto zgjedhje.
Zoti Palmer nga Berisha konsiderohet “antishqiptar”, se sipas Berishës, “është dhëndër i Serbisë”. Në fakt i tillë është dhe Berisha, por nuk kemi ndonjë ankesë nga vjehrra e tij, por nga ai vetë.
Ndërsa nga Ilir Meta, Palmer perceptohet si një nga ata “mafiozët ndërkombëtarë që duan të shkatërrojnë Shqipërinë”, aq më tepër që thërret në takime dhe Ardian Dvoranin.
Sa herë që Ilir Meta kërkon t’i dërgojë sinjale lufte SHBA-së, të akuzojë ambasadoren këtu, apo zyrtarë të lartë në Uashington, sa herë kërkon të ndërtojë Republikën e tij kundër “Republikës së ambasadorëve dhe mafias ndërkombëtare”, ai e ilustron luftën me Ardian Dvoranin. Atë e ka si armik në dispozicion kundër SHBA.
Realisht urrejtja e Berishës dhe Metës për Palmerin lidhet me bojkotin e Parlamentit dhe zgjedhjet e vitit 2019, pasi qëndrimi i tij i prerë u dogji skenarin kundër reformës në drejtësi, kur ajo sa kishte nisur të ndërtonte institucionet e para.
Këto zgjedhje, thjesht do përmbyllin këtë proces.
Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë objektiv të kundërt me SHBA për këto zgjedhje. SHBA pret nga këto zgjedhje që fituesit ta çojnë më përpara reformën në drejtësi. Berisha dhe Meta presin të fitojnë për ta anuluar atë.
Tani do ta ndajnë shqiptarët.