Foto ilustruese

Opinion

Mero Baze: Paratë e 'të fortëve' sjellin godina, por jo turizëm

28 Qershor 2021, 20:51| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 20:59

  • Share

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka hedhur një gjysmë hapi kundër të fortëve në rrugë, kur tha se do të bëjmë hetim pasuror për poseduesit e makinave të shtrenjta që shkelin rregullat.

Në fakt, arroganca në rrugë dhe qarkullim rrugor buron kryesisht nga pronarë të makinave luksoze që ndjehen më të sigurtë për jetën e tyre, për shkak të veturës, por dhe për shkak të pushtetit që kanë në rrugë.

Ky për fat të keq, është një vend ku vetura apo marka e saj është status në shoqëri. Biles ky është ndoshta nga të pakta vende në botë, ku njerëz që nuk udhëtojnë kurrë me veturë, por me avion, blejnë makina të shtrenjta vetëm që të fotografojnë veten në to. Pra për ta vetura nuk është mjet udhëtimi, por status në shoqëri.

Hetimi pasuror për secilin që kapet në shkelje të rëndë me makina të shtrenjta, është një paralajmërim serioz, që duhet shtrirë doemos në fushën e turizmit. Këmbëngul për këtë.

Njësoj si ata që kanë makina të shtrenjta dhe që në shumicë i paragjykojmë si njerëz që vijnë nga nëntoka e shoqërisë, fatkeqësisht dhe në fushën e turizmit shumë investitorë janë të tillë.

Janë ata pronarët tipik të hoteleve, që hedhin një çantë me rrip të gjatë në qafë dhe që nuk ua di askush emrin, por vetëm vendin apo zanatin nga kanë bërë paratë.

I njëjti paralajmërim duhet të vlejë pra dhe për operatorët turistikë.

Nëse në një hotel apo në një shërbim turistik ka një shkelje në shërbim ndaj klientit, dhunë publike, sherr masiv apo diçka tjetër, në të cilën përfshihet pronari, ai duhet të kalojë në hetim pasuror, duke i kontrolluar çdo cent.

Dhe për këtë duhen shembuj të shpejtë. Vetëm kur dikush ta shikojë, se për shkak të “pordhëve” në autostradë i sekuestrohet vetura, për shkak të burimeve të paligjshme dhe i hapen telashe familjes, apo kur vetëm për shkak të muskujve të pronarit, mund t’i shkojë dëm gjithë investimi në hotel, mund të edukohemi.

Këto akte mund të jenë në kufijtë e lirisë si individit, por dhe pasurimi i tyre ka qenë me siguri jashtë kufijve të ligjit, kështu që nuk është se po gabohet ndaj një qytetari të lirë, por ndaj njerëzve problematikë.

OFL aq shumë e reklamuar, në të vërtetë vetëm sa check—oi njerëz me probleme që ishin në biznes. Kjo fushatë duhet të check—oi biznese me probleme që mund të na çojnë tek pronarët e tyre real.

Investimet janë të mirëpritura në turizëm, por ato nuk sjellin zhvillim nëse prekin rendin dhe qetësinë. Bota ka plot qytete të bukura dhe të investuara, por nuk kanë turizëm, pasi kanë banditë që diktojnë jetën e qytetit.

Ndaj që nga Ksamili në Velipojë, aty ku të fortët bëjnë si investiture, mos shpresoni se do sjellin turizëm apo zhvillim, por vetëm banditizëm. Pa gjunjëzuar ata para ligjit dhe u dhënë shembuj konkretë se si mund t’ua rrafshosh hotelin, pas një incidenti të dhunshëm, ky vend do të jetë pronë e tyre dhe jo e qytetarëve.

Komento

Komente

  • Aaaa: 29/06/2021 02:28

    Ca budaleku esht ky qe te hetoen ata q kan makina te mira dhe bejn aksident. Pretendojm te hym dhe ne europ ne

    Përgjigju
    • Bureto: 29/06/2021 13:11

      Po mo te hetohen dhe nese jane ne rregull me ligjin te shikojne punen e tyre. Ama ata qe kane pune me te siper te kaluaren dhe per rastin konkret te perfshire ne ndonje aksident apo shkelje te renda te rregullave te qarkullimit te vuajne pasojat. Aforizma: "Liria tende perfundon aty ku preket e tjetrit!", i thote te gjitha. Shoqeria kerkon qetesi dhe qytetari dhe per te arritur ketu duhet dhe dora e forte e shtetit.

  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?