Recep Taip Erdogan dhe Edi Rama

Mero Baze: ‘Pavarësia’ e feve shqiptare nga Shqipëria

10 Tetor, 21:18| Përditesimi: 10 Tetor, 22:58

  • Share

Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan, zgjon vazhdimisht debate sa herë ka udhëtime në Shqipëri. Gjithmonë gjendet dikush që nuk pajtohet me eksportin e problemeve politike dhe fetare të tij nga Turqia në Shqipëri. Por përtej kortezisë shtetërore dhe respektit zyrtar ndaj tij si presidenti i një vendi mik, debatet janë normale.

Këto debate e shoqëruan dhe vizitën e sotme, të cilat i dominoi mungesa e përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman në ceremoni, për shkak se Turqia mendon që ata janë të formuar nën ndikimin e armikut të tij politik, Gulen.

Për fat Shqipëria ka respektuar problemet që ka Erdogan me armiqtë e tij në Turqi, por është përmbajtur nga eksportimi i tyre në Shqipëri.

Qeveria shqiptare nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet e komunitetit mysliman dhe nuk është përzier në luftërat e tyre të brendshme, duke respektuar pavarësinë e fesë nga shteti.

Dhe në këtë aspekt, ajo as ndikon dot në sjelljet e Erdoganit ndaj komunitetit mysliman dhe as në debatet e komunitetit mysliman ndaj presidentit Erdogan.

Problemi që ka komuniteti mysliman shqiptar është se ata vet janë rreshtuar dhe ndarë pro dhe kundra Erdoganit apo Gulenit, një gabim i pafalshëm i tyre, që buron mes të tjerash nga mungesa e pavarësisë së tyre financiare.

Praktikisht ky është një komunitet që financohet më së shumti nga Turqia apo fondacione të lidhura me botën arabe, dhe ky është një problem që shteti shqiptar nuk e ka zgjidhur me asnjë komunitet fetar, as me Kishën Ortodokse, as me atë katolike, dhe as me komunitetin mysliman. Një palë i ka sytë nga Stambolli, një palë nga Athina e tjetra nga Vatikani. Vetëm Baba Mondin kemi të pavarur, por dhe atë për pak e mbytën pse duhet të jetë fe me qendër në Shqipëri. Nuk duam ta njohim as si të tillë.

Dhe kështu ka qenë gjithmonë.

Mehdi Frashëri tregon në kujtimet e tij se në vitin 1914, pra 110 vjet më parë, kur erdhi Princ Vidi në Shqipëri, e ngarkoi me detyrë që të merrte pëlqimin e komiteteve fetare në Shkodër për të.

Takoi kreun e katolikëve dhe i kërkoi mbështetje për Princin.

-Patjetër, i tha, por do prisni 15 ditë kohë se do t’i bëjmë një telegram në Austri të marrim një opinion prej tyre.

Pastaj shkoi tek i pari i myslimanëve në qytet. I përsëriti kërkesën. Dhe ai i kërkoi 15 ditë kohë sa të dërgonte një telegram në Stamboll të pyeste ç’të bënte. Kjo është mjerisht historia e varësisë së komuniteteve tona fetare nga Stambolli, Athina dhe Vatikani.

E vërteta është se komunitetet fetare në Shqipëri janë të pavarura nga Shqipëria dhe janë shumë fanatike nëse Shqipëria ndërhyn tek kryepeshkopi, kardinali apo kryemyftiu, por nuk janë të tilla ndaj të tjerëve që i financojnë ata.

Dhe kur nuk e zgjidh dot është më mirë të rrish larg përzierjes në këtë histori. Shqipëria ja ka dalë, se shqiptarët janë indiferentë ndaj kësaj historie.

Sot i vetmi politikan që u përpoq t’i vërë urën e zjarrit kësaj historie ishte Sali Berisha. Së pari, ai u ankua se punimet për ndërtimin e Xhamisë i kishte inauguruar ai me 2013, por Edi Rama i kishte pezulluar dhe e kishte rifilluar më 2015 dhe e dyta, dënoi ndërhyrjen e Turqisë në punët e komunitetit mysliman.

Pra u përpoq të bëhet zëdhënës i gjithë ndarjeve që ekzistojnë mes myslimanëve në Shqipëri për këtë çështje.

Sa i përket xhamisë që ai nisi të ndërtonte, në fakt vet Berisha anuloi një projekt të një xhamie moderne në Tiranë, aty ku djali i tij po ngre sot kullën pas Pallatit të Kulturës e projektuar nga Zaha Hadid, një prej akrtitekteve më të mira në botë, që do ishte një xhami simbol për Shqipërinë moderne.

E miratoi Edi Rama më 2011 dhe Berisha e anuloi duke ofruar këtë projekt që në fakt është tradicional osman dhe pa ndonjë vlerë të shtuar për trashëgiminë tonë kulturore e fetare.

Berisha projektoi më shumë se sa një xhami, një qendër tregtare për njerëzit e tij, duke i vënë syrin dhe ndërtesës së SHQUP në krah, ku kishte projektuar tre kulla të quajtura “Kullat e Lirisë’. Kjo ishte dhe një nga arsyet që sapo humbi më 2013, zaptoi SHQUP me shpresë që të ngrinte zhvillimin në atë zone, duke ëndërruar se do rikthehej shpejt.

Asnjë projekt tjetër veç kullave të SHQUP dhe qendrës tregtare në xhami, nuk ka anulluar Edi Rama. AI i ridha lejen Xhamisë së Namazgjasë që po inaugurohet sot.

Përpjekja tjetër e Berishës për të theksuar ndërhyrjen e Turqisë në punët e komunitetit mysliman në Shqipëri, është thjeshtë një mënyrë për të ndarë politikisht komunitetin me shpresë që ata të mos ndikohen nga ndërtimi i Xhamisë dhe mbështetja që qeveria i ka dhënë projektit, të ndahen në ata të Erdoganit që duhet të jenë me Ramën dhe ata të tjerët që duhet të jenë me të.

Është e vetmja gjë që di të bëjë sa herë ka debate delikate në Shqipëri rreth kësaj teme.

Dhe të mendosh që ky politikan, që eksitohet nga përçarja në çdo komunitet, si ata ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, ku tek secili prej tyre do tufën e vet të ndarë nga të tjerët politikisht, nga ana tjetër akuzon Turqinë që po ndërhyn në punët e fesë myslimane në Shqipëri. Ky s’ka lënë fe pa përçarë, parti pa përçarë, madje dhe shoqata pa përçarë për të qenë pro, ose kundër tij.

Të njëjtën gjë bëri dhe sot, shumë herë më tepër se sa bën një vend si Turqia apo Greqia, që e kanë fenë myslimane apo ortodokse pjesë të politikës së tyre shtetërore, edhe pse formalisht janë laike.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 13/10/2024 14:13

    Nga Shqipëria janë të pavarura por jo nga agjenturat e huja

    Përgjigju
  • Beni: 10/10/2024 22:17

    Mero le te behen edhe 3 kullat e lirise me qe i ka ne merak doktori. Te shihen si hotele me 5 yje vetem vlere do i shtonin kryeqytetit duke hapur vende te reja pune

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?