Mero Baze: Për kë bien kambanat e sanksioneve financiare të SHBA?

11 Prill 2022, 20:26| Përditesimi: 11 Prill 2022, 20:31

  • Share

Vendimi i Departamentit të Thesarit të SHBA për të përfshirë dy emra nga Shqipëria në listën e sanksioneve financiare, mes 7 emrave nga Ballkani, është një sinjal se SHBA nuk do të s'mbrapset nga qëndrimi i saj për të mbajtur larg politikës çdo faktor  financiar apo mediatik në rajon, që ajo e konsideron problematik për demokracinë.

Por nëse i hedh një sy listës së sotme ku janë 7 emra nga Ballkani, mund të konstatojmë disa veçori të reja të tyre.

Së pari, dy emrat nga Shqipëria, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi, janë profili më i ulët i emrave në rajon, sa i përket posteve publike, rëndësisë së tyre reale në jetën e vendit dhe cilësisë së lidhjeve të tyre me politikën dhe krimin.

Në këtë listë ku janë një ish-president, një ish kryeministër dhe zyrtarë të lartë të rëndësishëm në rajon, Rakipi dhe Ndroqi janë figurat me profil më të ulët politik dhe mediatik, por natyrisht të përdorur nga politika.

Aqif Rakipi është penalizuar më herët nga ligji i dekriminalizimit, kur ishte deputet i zgjedhur nga lista e koalicionit të Partisë Demokratike me PDIU më 2013, dhe rikthimi i fokusit tek ai, me sa duket vjen për dy angazhimet e tij të tërthorta politike, përdorimin e influencës së tij në zgjedhjen me vota popullore të djalit të tij në Qarkun e Tiranës dhe ndoshta më tepër akoma, tek përfshirja e tij në mbështetje të “Foltores” së Berishës prej vjeshtës së vitit të kaluar, deri më 6 mars.

Ky angazhim informal, por gjerësisht i pranuar si fuqi politike e tij, duket se ka qenë shtysa që ai të klasifikohet në listën e Departamentit të Thesarit. Nga pikëpamja financiare kjo nuk përbën ndonjë shqetësim serioz për të, pasi nuk është një biznesmen qe e ka fuqinë tek bizneset e tij, jo aq domethënëse, se sa tek ndikimi që ka mbi komunitetin çam dhe aleancat politike problematike si ajo me Sali Berishën.

Për këtë arsye, më shumë se sa një ndëshkim për të, përfshirja e Rakipit në këtë listë është një paralajmërim serioz për të gjithë ata që e kanë marrë sfidën me SHBA për t’i dalë në krah Sali Berishës, si një sfidë personale. 

Rakipi ndoshta nuk do të ishte përfshirë në këtë listë sikur të kishte mbyllur tërheqjen e tij nga ndikimi në politikë, pas aksidentit që i ndodhi me ligjin e dekriminalizimit, i cili për hir të së vërtetës e penalizoi atë për një banalitet, në raport me politikanë që kishin kryer krike flagrante dhe janë në krye të shtetit, si Ilir Meta, Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë.

Nga ana tjetër, penalizimi i Ylli Ndroqit, si një pronar mediash me influenca kriminale, përbën një goditje simbolike, për ndikimin e medias në politikë për qëllime përfitimi, por nuk përbën shembullin më domethënës në këtë vend, ku mediat e mëdha, më me ndikim se ai, janë të shquara jo vetëm për ndikim, por për diktim të politikës dhe influencës kriminale . 

Akoma më flagrante është pikëpyetja mbi financimin e televizionit privat të familjes Berisha, nga djali i tij, që është në listën e sanksioneve të SHBA.  

Pra dhe në këtë rast, Ndroqi është shembull i ndëshkimit të një media ndërtuar nga një histori jo transparente financimi, dhe mbi të gjitha, e lidhur me aktorë politik që janë kundërshtarë të hapur të politikave të SHBA në vend, ku shquan presidenti Ilir Meta, por nuk është më i rëndësishmi i kësaj tipologjie. 

Pra në të dyja rastet SHBA duket se e ka mbajtur dorën në Shqipëri, më shumë për të paralajmëruar, se sa për të ndëshkuar. Është më shumë një kambanë alarmi për të vizatuar të ardhmen e keqe që mund të kenë medie, politikanë apo biznesmenë që ndërlidhen me faktorët politikë anti-perëndimor në Shqipëri, se sa një ndëshkim personal për ata që janë përfshirë në këtë listë. 

Por e vetmja gjë e rëndësishme në këtë histori, është sinjali se SHBA nuk kompleksohet nga karshillëku politik dhe kundërvënia e njerëzve të futur nën sanksione kundër saj, pasi ajo nuk ka diçka personale me këta individë, por ka një qasje parimore për standardet e demokracisë në rajon.

Fakti që në listë është ish- kryeministri i Maqedonisë, ish- shefi i shërbimit sekret apo ish- presidenti i Malit të Zi, është një sinjal më tepër për ata që përdorin imunitetin e posteve për t’u dukur si të paprekshëm.

Duhet të kuptojnë se vjen një ditë që nuk e kanë atë imunitet dhe nuk mund te bëjnë karshillëk, duke u fshehur pas imunitetit qe u jep te qenit përfaqësues të shtetit shqiptar. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj: 12/04/2022 17:59

    Shkrim Ok.Pyrtja shtrohet: 1.Si ka mundësi që DASH piketon të korruptuarit,Dhunuesit e demokracisë e shpërfillin e drejtësisë në Shqipëri dhe SPAKU jonë nuk lëviz nga vëndi për arrestimin e S.Berishës Përbindëshi që në 32 vite ka nxirë Shqipërinë..!? 2.Si ka mundësi që Ylli Ndroqi i arrestuar në Itali e Turqi për drogë dhe nuk arrestohet në Shqipëri..!? 3.Si ka mundësi që për Sb janë mbi 101 fakte përvjedhje e Vrasje dhe SPAK kërkon si Saliu fakte,fakte..!?. 4.Nga vëndi po largohen përditë njërz,ikin nga frika e revolucionit Berishist apo nga frika e E.Ramës që po kërkon mandatin e 4 se nuk ka opozitë..!? 5.Të lutem M.Baze mu përgjigj pyetjes 4.

    Përgjigju
  • Martin: 12/04/2022 15:07

    Zoti Baze, fjalen "s´mbrapset" e keni shkruar vete apo eshte gabim shtypi i sekretares? Vajmedet shqipja.

    Përgjigju
  • Mone: 11/04/2022 21:42

    Pra Qife babai mbeshtetes i Sales dhe ndaj na e ka targetuar Shaba. Kurse Qife biri deputet i PS eshte pellumb djale. Po pse jeni bere kaq bajate.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?