Sali Berisha, gruaja e tij Liri Berisha dhe dy fëmijët, Argita dhe Shkëlzen Berisha, janë “non grata” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ta verifikuar këtë është shumë e thjeshtë. Mjafton të klikoni në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit dhe e shihni vetë. Ky është një shërbim për njerëzit me inteligjencë nën mesataren, që duan “prova”. Për të tjerët, që e kuptojnë që Sali Berisha është i pashpresë, nuk ka nevojë të klikojnë fare.
Por kjo nuk është një dramë e re. Sali Berisha ka katër vite që prej majit të vitit 2021 me këtë status. Kjo nuk e ka penguar që të rimarrë PD-në, ta copëtojë atë në pesë pjesë, të dëbojë Lulzim Bashën thuajse me dhunë dhe të rikthehet në krye të PD-së. Për katër vite ai ose nuk e ka përfillur fare këtë sanksion, ose të paktën ka bërë sikur nuk e përfill.
Nuk kuptova pse dje në mbrëmje Berisha duhej të fabrikonte një lajm, sikur Departamenti i Shtetit ia kishte hequr “non grata”-n, madje e kishte “ndihmuar”. Gazetari që përdorin lobistët e tij është përfshirë në një shërbim shumë të shtrenjtë, për një gjë që mund ta bënte edhe Çim Peka pa lekë. Edhe ChatGPT që pyeta unë më dha të njëjtën përgjigje.
Sa herë ta pyesë dikush Departamentin e Shtetit, do të marrë të njëjtën përgjigje: Sali Berisha është i sanksionuar si “non grata”. Por ai mund të udhëtojë si çdo person i sanksionuar në SHBA, për raste të veçanta, fjala vjen nëse do të ishte kryeministër dhe do të shkonte në OKB apo në ndonjë samit ndërkombëtar ku prania e tij është e domosdoshme. Për raste të tilla ka viza të veçanta. Por nuk ka heqje të “non grata”-s.
Të prodhosh lajme false nga lobistë që i ke paguar 6 milionë dollarë, është marrëzi, në një vend ku lajmet false prodhohen pa lekë. Madje gjeneratori i tyre është vetë Berisha. Ai gënjen që gënjen çdo ditë, nuk e kuptoj pse kishte nevojë të paguante 6 milionë dollarë për të gënjyer përsëri vetë dhe veten.
Ajo që është shqetësuese në këtë histori, është se me këtë gjest, ai po tenton të poshtërojë inteligjencën e shqiptarëve, dhe t’i konsiderojë ata budallenj që mund t’i mashtrojnë Flamur Noka apo Klevis Balliu.
Problemi që ka Sali Berisha nuk është “non grata”-ja në kuptimin logjistik të saj, por çfarë ajo përfaqëson politikisht. Nuk ka pse të shpenzojë 6 milionë dollarë për të “eksploruar” si mund të shkojë në SHBA. Udhëzimet janë në faqen e Departamentit të Shtetit – falas. Me 6 milionë dollarë mund të bënte një fushatë më të mirë kundër Edi Ramës dhe të bëhej ndoshta më i rëndësishëm për SHBA. Nuk kishte pse të paguante një tufë lobistësh që bëjnë humor me pagesat e tij.
Sepse në fund të fundit, Berisha nuk e ka problemin vetëm me “non grata”-n e tij, por edhe me atë të fëmijëve dhe gruas. Madje, me fëmijët edhe më shumë, pasi atij vetë nuk i hyn më në punë ndonjë vizë për SHBA: në zgjedhjet e tjera do jetë 86 vjeç. Atij i duhet t’ia lërë partinë njërit prej fëmijëve, por i ka të dy “non grata”.
Meqë vetë thotë se mund të shkojë në SHBA por nuk ka kohë sepse del tek emisioni i Fevziut, le t’i thotë Shkëlzenit të niset nesër për New York - meqë ka dhe para dhe nuk ka lënë ndonjë drekë me ndërtuesit e kullave. Kështu të paktën i jep një shpresë PD-së që e ardhmja është në duart e djalit. Sepse vetë ai e mbyll historinë të dielën./Tema
Komente
