Sali Berisha, kreu i PD-së

Opinion

Mero Baze: Përse Berisha ka të drejtë ta urrejë Shqipërinë?

25 Maj, 22:36| Përditesimi: 25 Maj, 22:40

  • Share

Kreshnik Spahiu ishte lodhur dje duke argumentuar se sa e ulët është përpjekja e Sali Berishës për të shpallur që në Shqipëri ka organizata terroriste që duhen futur në listën e zezë të SHBA. Dhe si argument më të fortë kishte faktin që as Rusia dhe as Serbia nuk kanë kërkuar ndonjëherë që Shqipëria të shpallet vend me organizata terroriste.

Përpjekja e Spahiut për të gjetur edhe argumente gjeopolitike kundër kërkesës së Berishës është një mundim i shkuar dëm. Sali Berisha nuk është se ka ndonjë gjë në dorë për të njollosur Shqipërinë duke shpallur organizata terroriste. Kërkesa e tij drejtuar presidentit Trump, që të shpallë “kartelet” e drogës në Shqipëri si organizata terroriste, do të ishte vërtet e rëndë, sikur në Shqipëri të kishte kartele droge dhe sikur presidenti Trump të merrte këshilla nga Sali Berisha.

Por nuk është e vërtetë as e para, as e dyta.

Në Shqipëri padyshim ka trafikantë droge dhe banda që trafikojnë drogë, si në çdo vend të botës. Në një nga ato përleshje për pak ka humbur jetën edhe deputeti i listës së hapur të Sali Berishës në Durrës, që doli deputet nga ajo bandë. Por për të kuptuar se çfarë janë banditët shqiptarë, mjafton t’u hedhësh një sy përgjimeve në SKY dhe e kupton që ke të bësh me një turmë të çorganizuar vrasësish të pabesë, frikacakë dhe pa asnjë lidhje me ndonjë strukturë mafioze apo kupolë ndërkombëtare. Përgjimet i nxjerrin aq banalë, sa nuk justifikohet as ndonjë shenjë frike ndaj tyre. Merre me mend që vetëm me dëshminë e një të penduari, u futën në burg thuajse 90 për qind e tyre.

Pra, nuk jemi në ndonjë situatë që kemi kartele droge dhe Sali Berisha e di shumë mirë këtë.

E dyta, Sali Berisha ka bërë sikur i është drejtuar njeriut më të fuqishëm të botës për këtë çështje, të cilit para se t’i dërgonte këtë kërkesë, i ka mbushur tavolinën me kërkesa të pafundme, shoqëruar me çeqe 6 milionë dollarësh për të hequr vetë Sali Berishën nga listat e personave “non grata”, që në fakt janë të vetmit persona që SHBA i shpall si të rrezikshëm në gjithë botën.

Sali Berisha dhe familja e tij janë të sanksionuar për minimin e demokracisë, shantazh ndaj drejtësisë dhe korrupsion madhor duke përfituar nga pushteti.

Tani presidenti Trump, para se të marrë këshilla nga Sali Berisha se kë do shpallë organizatë terroriste, duhet t’i heqë njëherë sanksionet ndaj tij, pasi nëse vazhdon kështu, organizata e parë terroriste që mund të shpallet mund të jetë partia e tij, të cilën e mban të përdhunuar.

Por as kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Ajo që e çmend Sali Berishën nuk janë as trafikantët e drogës, as qenia “non grata”, por injorimi i thellë që i bënë shqiptarët më 11 maj duke e flakur si një leckë të vjetër nga politika dhe, akoma më shumë, indiferenca me të cilën dëgjojnë broçkullat e tij përditë kundrejt Shqipërisë.

E gjithë kjo e ka mbushur atë me mllef për shqiptarët, dhe këtë mund ta kuptoni te shfryrjet që lakejt e tij bëjnë kundër popullit pas 11 majit. Kjo është një urrejtje që atij nuk i del lehtë. Kur ai mendoi se kishte shansin e fundit të ringrihej pas përbaltjes kombëtare e ndërkombëtare, kur mendonte se milionat dollarë të fituara nga korrupsioni do pastroheshin përmes sekserëve në SHBA dhe do rifitonte pushtetin, shqiptarët e injoruan dhe e flakën tej bashkë me paratë e tij.

Ndaj ai tani është në të drejtën e tij të urrejë shqiptarët, t’i konsiderojë terroristë, t’i konsiderojë kriminelë droge apo çfarëdo gjë tjetër. Është një shfryrje e sinqertë e vetëdijes së tij se ky ishte shansi i fundit dhe pas tij le të bëhet qameti.

Është një urrejtje që nuk i del lehtë me popullin shqiptar dhe Shqipërinë që e injoron, duke e konsideruar si një plak të marrë që flet me vete rrugëve. Ndaj mund të dëgjoni në ditët në vazhdim edhe marrëzira më të mëdha. Mund të dëgjoni që Shqipëria është qendra e mafies në botë, që ky vend duhet të izolohet dhe të sanksionohet, që në këtë vend nuk duhet të shkelë këmbë turisti se do vritet, etj., si këto.

Mos prisni gjë tjetër nga një njeri i dëshpëruar që e kupton se nuk ka më asnjë shans, jo vetëm që të qeverisë këtë vend, por as që të heqë njollat e turpit para vdekjes që ia ka vënë në shpinë ky vend.

Nuk është e lehtë të ikësh nga kjo jetë i damkosur nga vendi yt dhe nga vendet më të mëdha të Perëndimit, si hajdut, vrasës i demokracisë, vrasës i drejtësisë dhe dhunues i qytetarëve të tu.

Dhe akoma më keq, nuk është e lehtë ta mendosh që pas vdekjes këto akuza vetëm do të shtohen. Ndaj mos u mërzitni që urren Shqipërinë. Është mundur prej saj, dhe ai e urren gjithmonë atë që e mund./TEMA

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?