Sali Berisha

Mero Baze: Përse Berisha përpiqet të duket si 'Zografi biss', ose Fred Beleri?

21 Dhjetor 2022, 19:28| Përditesimi: 21 Dhjetor 2022, 19:31

  • Share

Sali Berisha sot u përpoq të mbrojë marrëveshjen e detit me Greqinë nënshkruar më 2009, duke akuzuar Turqinë si shkatërruese të saj. Bëhet fjalë për marrëveshjen që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e firmosur nga Berisha dhe Karamalis më 2009, e cila u shpall antikushtetuese.

Bisedimet e reja mes Ditmir Bushatit dhe Kocias deri më 2018 nuk dhanë rezultate dhe më vonë Rama dhe Micotaqis vendosën që çështjen ta zgjidhë Gjykata Ndërkombëtare. Kjo parimisht tani është një çështje në dorë të drejtësisë dhe të dy palët do pranojnë verdiktin e saj.

Pala greke mbron marrëveshjen e Berishës, pala shqiptare kërkon diçka më shumë. Vendimi do jetë ose me një pale, ose me tjetrën, ose diçka në mes. Sido që të jetë, pala greke kërkesë maksimale ka atë që i ka dhënë Berisha. Pra dhe pala greke, dhe Berisha, kanë të njëjtën kërkesë. Sot Berisha ngjante më i pikëlluar se vet pala greke për hedhjen poshtë të asaj marrëveshje dhe akuzoi Turqinë që e kishte prishur atë. Ai është sot “Zografi biss”, siç ironizonte Edi Ramën, që e akuzonte se po negocionte shitjen e detit Greqisë. Po përse Sali Berisha befas po akuzon Turqinë për prishjen e asaj marrëveshjeje?

E vërteta është se Turqia nuk ka pasur asnjë mekanizëm të ndikojë në Gjykatën tonë Kushtetuese. Asnjë i dërguar i tyre nuk ka kontaktuar Gjykatën. Sipas kabllogrameve të zbuluara nga Ëikileaks, të vetmit diplomatë të interesuar për marrëveshjen, ishin ata amerikanë. Edhe për ata nuk ka asnjë fakt që kanë ndikuar mbi Gjykatën, por është e qartë nga raportet e tyre se ata e shikonin me shqetësim atë marrëveshje.

Dhe Sali Berisha e di këtë histori. Madje kur u hodh poshtë marrëveshja, ai përhapte fjalë në popull se kishte ndikuar vetë mbi Gjykatën, pasi nuk kishte se si t’ua punonte grekëve pas shpine. Tani i përfshirë në një luftë për jetë e vdekje me SHBA, ai po përpiqet të inkriminojë Turqinë në një betejë që nuk ka qenë e saj, për shkak të reputacionit të keq që Turqia mund të ketë tek Gjykata ndërkombëtare dhe për ta paraqitur çështjen si rivalitet ballkanik. Frika se nëse thotë që SHBA ka qenë e interesuar për ta prishur atë marrëveshje mund t’i humbasë betejën në gjykatë, e shtyn drejt një improvizimi politik, nga i cili ka dy përfitime.

E para, shpreson se do helmojë klimën e raporteve shqiptaro- greke dhe do të ndihmojë që gjykata ta shikojë këtë çështje si një ndërhyrje të Turqisë, duke lënë në fuqi marrëveshjen e Berishës me Greqinë. Dhe e dyta, përpiqet të shfaqet si njeriu i Greqisë në Shqipëri, duke e identifikuar Edi Ramën me Erdoganin dhe Turqinë.

Nuk di sa bindës është për Greqinë, pasi vet grekët kanë kërkuar ndihmën e Ramës për të ulur gjakrat me Turqinë, por ai shpreson se e vetmja mënyrë t’i hakmerret SHBA për këtë është të përfshijë Turqinë në një çështje të sovranitetit të Shqipërisë, për të paparaqitur atë si skenar ballkanik për "neo otomanizëm”. E gjitha është një nga ato betejat e dëshpëruara të përditshme të tij.

Për fat raportet shqiptaro- greke janë shumë të mira dhe janë drejt konsolidimit të përhershëm si vende mike, nga kriza që kur ka ikur Sali Berisha nga pushteti më 1997, i cili shpalli gjendjen e luftës me Greqinë, e dyta pas shpalljes së luftës ndaj Greqisë më 1940 në emër të Italisë nga Mustafa Kruja. Atëherë mburrej se Greqia nuk kishte çfarë t’i bënte se ky kishte Turqinë. Madje me ‘97 citonte çdo ditë Tansu Çillerin.

Në vitin 1994, Sali Berisha dërgoi ushtrinë në kufi me Greqinë dhe u vuri viza qytetarëve grek, për shkak se Fred Bejleri dhe një grup militantësh nacionalistë grek morën përsipër sulmin mbi një repart ushtarak në Peshkëpi në Gjirokastër, ku u vranë tre ushtarakë shqiptarë. Tani pas 30 vjetësh Sali Berisha e ka Fred Belerin kandidat të PD për Bashkinë e Himarës dhe përpiqet të shpallë qeverinë shqiptare aleate të Turqisë kundër Greqisë.

Nuk e ka menduar keq si skemë, por është e pagëlltitshme nga të gjitha palët. Fillimisht e pagëlltitshme nga Fred Beleri, të cilit kërkon t’i heqë dhe të vetmin heroizëm që ka bërë si nacionalist grek. E pagëlltitshme edhe nga pala greke që armiqësinë e fundit me Shqipërinë e ka për shkak të Sali Berishës. Por mbi të gjitha e pagëlltitshme dhe nga vet “demokratët” që Edi Ramën kur e shajnë, me zemër i thonë “grek muti”, pasi këtë kanë sharjen më të egër që njohin. Aq më tepër që del dhe nga një fis me Dendiasin nga Vunoi.

Nuk është vonë kurrë t’i kërkojë falje Greqisë për çfarë armiqësie ka mbjellë në kurriz të popullit shqiptar ndaj saj, por nuk ka kohë të bëhet edhe si Fred Beleri, edhe si Adem Jashari, edhe si Skënderbeu, njëkohësisht. Hë për hë ka zgjedhur të jetë si Fred Beleri. Për hajër i qoftë. Ndoshta ja lejojnë djalit të ndërtojë ato tokat që ka në Hiamrë dhe Dhërmi. Se për gjë tjetër nuk hynë në punë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pjeter: 24/12/2022 10:43

    Ne nje vend normal,familjaret e viktimave te Peshkepise,duhe te padisin shtetin shqiptar.Shtet i pa afte te mbroje viktimat e te ndeshkoje vrasesit e shtetasve te vet ne detyre brenda territorit te R se Shqiperise. Une sinqerisht nuk e di se deri ku ka shku kjo puna e bjondit grek Bejleri pas aktit terrorrist,por di qe jane vrare shtetas shqiptare ne detyre,dhe mosqenia shtet, ben qe Bejlere e Berishe i bejne karshillek familjareve te viktimave pa ju dridhur syri.Mero duhet ta dije qe Miçua i Taqit,erdhi edhe takoi nje terrorrist si Bejleri,ose me sakte, e di shume mire!!! Asnje fjale? Asnje gazetar kurajos ta pyeste Miçotaqin se çmendonte per faktin se po takonte nje si Bejleri?Mero perveç balozit Sali,a mendon se shpesh shteti shqiptar ja ka shit lekuren shqiptarit badjava???!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?