Sali Berisha

Opinion

Mero Baze: Përse ky njeri e urren Kuvendimin?

19 Shtator, 06:55| Përditesimi: 19 Shtator, 06:57

  • Share

Rituali i prishjes së seancave parlamentare tani është identiteti i vetëm politik i PD-së nën Berishën. Në kohë të ndryshme duket sikur Berisha ka arsye të ndryshme ta bëjë këtë, por në thelb është gjithnjë vetëm një arsye: ai nuk duron dot që dikush të flasë dhe ai të dëgjojë.

Ata që mendojnë se ai provokohet nga Edi Rama, duhet të kujtojnë se ai dhe familja e tij janë sot ndërtues të mëdhenj në vend, në një vend ku lejet i jep vetëm Edi Rama.

Ata që mendojnë se ai është i shqetësuar nga krimi apo droga, i ka në krah të gjithë personazhet e krimit dhe drogës në Shqipëri. Më të shquarin e tyre, një ish-prokuror, e ka dhe në krah në Kuvend.

Ata që mendojnë se sot, për shembull, e provokoi Diella, ngaqë thotë gjëra logjike, duhet të kuptojnë se është një botë paralele me Diellën, ku ai dhe të tjerët kanë hequr dorë me kohë nga logjika.

Ky njeri ka hyrë në politikë në vitin 1990, duke i kërkuar Ramiz Alisë që të lejojë një pluralizëm politik, të ngjashëm me pluralizmin e odave të Veriut, ku burrat dëgjojnë mendimin e njëri-tjetrit dhe diskutojnë për më të mirin.

Pra, qysh kur ka vendosur të merret me politikë, si komunist në kohën e Ramiz Alisë, në mendje ka pasur një sallë kuvendimi – në atë rast një odë burrash. Dhe i lutej Ramiz Alisë të lejonte pak pluralizëm, sa të debatonin me njëri-tjetrin, që ky të dukej burrë.

Prej asaj dite kur Ramiz Alia ia aprovoi atë ide, e deri më sot kur ky ka kaluar të tetëdhjetat, ky njeri nuk ka lënë asnjë Kuvend pa prishur, përveç kuvendeve ku do të flasë vetë dhe të tjerët ta dëgjojnë.

Shikoni të gjitha manirat e tij në Kuvend. Të gjitha përmblidhen tek ideja që ai do të qëndrojë tek foltorja dhe të flasë. Pasi flet, ua bën me shenjë me dorë të dalin jashtë ose të hidhen në sulm. Nuk duron dot më as të vetët, e jo më kundërshtarët. Për vite me radhë e prishte Kuvendin që të mos fliste Lulzim Basha, sepse dukej sikur i bënte hije, edhe pse ishte udhëheqës me leje të tij. Pastaj e bojkotoi fare Kuvendin. Pastaj u rikthye si “non grata” dhe përpiqej të prishte çdo seancë.

Edhe këtë mandat po përsërit të njëjtën gjë. Nuk është se i bën ndonjë dëm shumicës, por natyrisht parlamentarizmin e kthen në një gjellë qensh për çdo shqiptar të thjeshtë që pret të dëgjojë ndonjë debat normal. Duke qenë se ka pas vetes gjithë ata që, para se të bëheshin deputetë, i kanë puthur atë që nuk thuhet që t’i fusë në listë, është kompletuar dhe ansambli i zhurmuesve, të cilët janë në garë kush ta bëjë më të lumtur njeriun që urren Kuvendin.

Dhe kur mendon se ky, që 40 vjet më parë i përgjërohej Ramiz Alisë vetëm të lejonin odat e Malësisë, jo pluralizmin politik, tani ka një shfytyrim të plotë psiko-intelektual. Tani e kupton edhe më qartë se ai kurrë nuk është rritur në një kullë ku dikush fliste dhe të tjerët dëgjonin, por kishte dëgjuar se kishte kulla të tilla dhe donte t’i bënte të tijat.

Ky njeri urren të dëgjojë dikë të flasë dhe pastaj të përgjigjet. Urren që dikush të jetë i pari i Kuvendit. Urren që dikush të flasë si i pari i vendit. Ky sillet si një njeri në shpellë që hungërin për të trembur të tjerët, dhe jo si një malësor në kullë që përpiqet të dëgjojë të tjerët.

Këtë e tmerron ideja se përveç këtij do flasin dhe të tjerët dhe ky do të dëgjojë.

Meqë nuk i mund dot në betejën e madhe të zgjedhjeve, pasi aty vendos Shqipëria, mendon se i mund në një sallë parlamenti ku mendon se vendos rrugaçëria. Në fakt vetëm sa tregon se sa të drejt kanë shqiptarët që e kanë lënë përjetësisht në opozitë si shpellar./Tema

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?