Shqipëria i dha dje mandatin e tretë për qeverisje Partisë Socialiste dhe kryeministrit në detyrë Edi Rama, me një rezultat të qëndrueshëm, që sipas projeksioneve do të shkojë tek 75 mandate, pas një fushate zgjedhore të tensionuar nga ngjarja tragjike në Elbasan dhe thirrjet e presidentit për dhunë, që rrezikuan procesin zgjedhor.
Por shqiptarët ja plotësuan një dëshirë presidentit. Ata i kthyen zgjedhjet në një referendum, siç ëndërronte ai.
Së pari, zgjedhjet u kthyen në një referendum historik, pasi për herë të parë në këto 30 vjet, një forcë politike merr një mandat të tretë kaq të qartë, dhe ndëshkon një përpjekje 8- vjeçare të Partisë Demokratike në opozitë, për të mos u reformuar, duke tentuar të trajtojnë shqiptarët si budallenj, që nuk e kuptojnë se kush po kërkonte pushtet.
Nën shpresën se shqiptarët nuk mund t’i jepnin për herë të tretë mandatin Edi Ramës, opozita shqiptare dhe konkretisht ajo që udhëhiqet “de facto” nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, shpresuan se do të riktheheshin në pushtet, pasi kishin mundur të mos ndëshkoheshin nga ligji për keq qeverisjen e tyre.
Por atë që nuk e bëri dot sistemi i drejtësisë, e bëri drejtësia popullore e votës së 25 prillit, duke i identifikuar si një e keqe që nuk mund të marrë më pushtetin në Shqipëri.
Sa më shpejt ta kuptojë këtë Partia Demokratike, aq më mirë është për të.
Lulzim Basha, i cili tentoi pa sukses të bëjë një fushatë që harxhonte më shumë energji për të na tërhequr vëmendje që të mos shikonim Sali Berishën dhe Ilir Metën, se sa të simpatizonim atë, nuk ja doli të na bindë as ne, as ata.
Shqiptarët dëshmuan se ishin shumë të qartë, se pas Lulzim Bashës fshihej rikthimi në pushtet i Sali Berishës, familjes së tij kriminale dhe Ilir Metës, me gjithë bëmat e tij.
Së dyti, rezultati i zgjedhjeve ishte dhë një referendum për disa pikëpyetje të mëdha që ngriti presidenti formal i vendit, për të ardhmen e raporteve të Shqipërisë me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta hodhi në referendum, interesin tonë kombëtar në raport me SHBA.
Dy ditë para zgjedhjeve, presidenti në detyrë i Shqipërisë, akuzoi SHBA se kishin një plan për eleminimin fizik të tij në Malin me Gropa, dhe relativizoi raportet e Shqipërisë me SHBA, duke deklaruar se mund të zgjidhnim mes SHBA dhe Rusisë, apo Koresë së Veriut.
Deklaratat shokuese, lehtësohen nga fakti që presidenti konsiderohet gjerësisht si një njeri me çekuilibër psiqik, por fatkeqësisht, ai është ende në zyrën e presidentit.
Rezultati i zgjedhjeve detyron shumicën e dalë nga zgjedhjet, të zbatojë vendimin e këtij referendumi popullor, për të zgjedhur mes interesit tonë kombëtar, që është miqësia me SHBA, dhe qëndrimeve të presidentit, duke e nxjerrë atë nga zyra një orë e më parë, si simbol të degradimit dhe mos përfaqësimit të interesit tonë kombëtar.
Së treti, rezultati i zgjedhjeve, pas një procesi që siç e tha dhe Ilir Meta, meritonte “një dhjetë me yll”, është një zgjedhje e shqiptarëve mes Edi Ramës dhe ofertave fallco përballë tij. Mandati për të është i qartë, i pavarur dhe i pakushtëzuar nga askush, që i jep atij mundësi të ofrojë bashkëpunim me faktorët konstruktiv të opozitës, që duan vërtet të ndahen nga një histori konfliktuale tridhjetë vjeçare, duke errësuar perspektivën tonë perëndimore.
Edi Rama është votuar pa asnjë dilemë nga votuesi shqiptar, edhe pse ka pas dhjetëra arsye të ndjehej i lodhur prej tij, prej problemeve të keqqeverisjes, korrupsionit të pamposhtur ende në administratën e shtetit dhe stilit të tij të pazakontë të komunikimit me publikun dhe ndryshimit të vazhdueshëm.
Askujt nuk i shkonte në mendje se në vitin 2021, i vetmi lider në Tiranë që do shkonte të votonte me gruan në krah, ishte Edi Rama, aq pak shpresëdhënës për të qenë dikur një familjar, dhe dy rivalë të tij, njëri që shkëmbehej pa folur me gruan e zemëruar nga lista e Vlorës, dhe tjetri që e kishte zëvendësuar gruan me një votuese për herë të parë, pasi ai dhe familja e tij duan të kenë një këmbë në Shqipëri dhe një në Holandë, pasi nuk e kanë seriozisht të ardhmen këtu. E shikojnë si biznes.
Së katërti, votuesi shqiptar votoi dhe për t’i dhënë një shans opozitës dhe Lulzim Bashës. Votuesi i dha një shans Lulzim Bashës, për të kuptuar se ai nuk mund të bëhet fasada e një politike të vjetër, vetëm duke buzëqeshur në spote televizive dhe duke u shfaqur si djalë i mirë. Ai u votua aq sa për t’i treguar se shqiptarët duan një lider të ndryshëm nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, por jo të vijë në pushtet me ata.
Fushata e Lulzim Bashës mund të funksiononte si pozitive, nëse Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk do ta kthenin atë në origjinë, me vrasjen në Elbasan, me thirrjet e Xhelal Mziut për gjak, dhe çmendjen epike të presidentit që dy ditë para zgjedhjeve, që shpalli si rrezikun më të madh për vendin SHBA dhe fatin e tij si Allende përballë tyre.
Ndaj tani ata që po mprehin thikat dhe cfurqet në selinë e PD për të zbuar Lulzim Bashën, duhet të dinë se kjo punë ka një radhë, nëse ata duan të jenë alternativë. Dhe radha është që ata duhet të zbojnë në fillim Sali Berishën, pastaj të diskutojnë se kush do jetë kryetar i PD.
Nëse nuk zbojnë Berishën, kushdo që të zgjidhet aty, do të perceptohet si një kukull e tij, dhe do ta mbajë peng partinë.
Pra në rast se keni ndërmend të zboni Lulzim Bashën para Berishës, më mire zgjidhni Shkëlzen Berishën kryetar të parties, që të mbledhin gjithë palët mendjen se kë kanë alternativë, se sa të vazhdoni një eksperiment të ri me një kukull tjetër.
Rruga e duhur është që Partia Demokratike të rithemelohet si shumë parti të djathta në Europë, duke u bërë një “Shtëpi e Lirisë” së shumë individëve, partive të vogla, apo elementëve brenda PD, që të mobilizojë energji të reja dhe të ngjallë besim tek ndryshimi real i tyre.
Nëse jo, atëhere është më mirë që ajo të përfundojë realisht në një parti familjare të Sali Berishës dhe të shërbejë si studio ligjore për ta mbrojtur atë nga drejtësia. Siç dhe ka ndodhur deri tani.
Së fundmi, zgjedhjet ishin dhe një shuplakë e fortë për Albin Kurtin dhe mbështetësit e tij trushpëlarë të Kosovës, që kthyen betejën e tyre politike kundër Edi Ramës, në betejë kundër Shqipërisë.
Edhe pse Edi Rama bën shumë mirë që injoron provokimet e Albin Kurtit, si votues dhe kandidat për pushtetin në Shqipëri, ai gjest në të vërtetë ka frymëzuar më shumë antikosovarizëm në Shqipëri, se çdo armik tjetër që ka dash t’i bëjë keq Kosovës.
Asnjë propagandë serbe dhe asnjë armik i Kosovës nuk ka mundur të mbjellë kaq inat dhe racizëm ndaj Kosovës në Shqipëri, se sa Albin Kurti.
Po ashtu, thirrjet e palogjikshme, të padrejta dhe mbi të gjitha, të pavërteta kundër Edi Ramës, që u lëshuan në emër të “patriotizmit” nga Ksoova, në drejtim të votuesit shqiptar, në fakt ndihmuan Edi Ramën të votohej më shumë, dhe bëri qesharak kandidatët e Albin Kurtit, që nuk marrin dot as votat e familjarëve të tyre në Shqipëri dhe tani po duan të gjejnë alibi duke fyer shqiptarët se u paskan vjedh votën. Por kjo gjë nuk duhet të na gëzojë.
Çdo lider apo gazetar, që në emër të interesave politike, nxit antikosovarizmin në Tiranë, i bën dëm Kosovës më shumë se çdo armik i saj, dhe i jep ndoshta pa të drejtë, më shumë pikë Edi Ramës, se sa i takojnë.
Albin Kurti është një delirant i sëmurë, që meqë ka arritur një herë të marrë 50 për qind të votave me një koalicion laraman, ku kishte brenda enveristë, djathtistë, myslimanë, ateistë, viktima të dhunës dhe dhunues, e gjithçka tjetër, i duket vetja lider para Edi Ramës, i cili e ka herën e tretë radhazi që votohet personalisht me mbi 50 për qind të votave të shqiptarëve, por nuk i jep leksione askujt për këtë.
Dhe të mendosh që tani, ai do të duhet të vijë në Shqipëri, jo më si kryeministër i Kosovës, por si përfaqësues i opozitës së humbur në Shqipëri, në vend të Ilir Metës, Sali Berishës, dhe Lulzim Bashës. Arriti ta identifikojë dhe Kosovën me të keqen në Shqipëri.
Analize me nje objektivitet te persosur... sa per Albinin ai mbahet si nje patriot 24 karat po dhe pjellat e tij jane 50% shqiptare ...por patriotizmi i tyre eshte fasade ... jane njerez qe e kane mercenarizmin ne gjak ... shkurt dhe sakte i ka pershkruar i madhi Fan Noli...
PërgjigjuShkrim per cmim Oscar. Faleminderit qe me penen tuaj po ndihmoni shqiptaret te ndajne te bardhen nga e zeza! Guximi juaj eshte i pacmuar! Zoti ju dhente shendet!
PërgjigjuNje analiza fantasike profesor. Me kete analize Jua ke cjarre masken te tere pseudoanalisteve servile e sahanlepires!