Gledis Nano dhe Muhamet Rrumbullaku

Mero Baze: Policia jonë nuk ka tradhtuar Flamurin, por profesionin

8 Shtator 2022, 21:03| Përditesimi: 8 Shtator 2022, 21:05

  • Share

Ceremonia e emërimit të drejtorit të ri të policisë, është një rast për të dhënë mesazhe motivuese për ekipin e ri të policisë. Edhe pse drejtori i ri është polici më i vjetër mes tyre, gjithmonë ka vend për shpresë. Aq më tepër që për herë të parë dhe Sali Berisha duket i qetë nga emërimi dhe nuk ka bërë akuza, siç e ka zakon.

Por që të jepet një mesazh shprese, duhet të jemi të qartë për problemet që ka policia.

Ish- drejtori Gledis Nano, nuk pati rezultate. Do të mjaftonte shembulli i Ervis Martinajt, përfshirja e policisë në një rrjet të gjerë shërbimesh ndaj tij dhe mungesa e një përgjigje të qartë se çfarë ka ndodhur me të, që ai të largohej. Por legjenda urbane rreth largimit të tij, padyshim që ka prekur dhe raportet e tij të mira me diplomatët perëndimorë në Shqipëri, sidomos për shkak të detyrës së tij në sektorin e antiterrorit më parë.

Por Gledis Nano nuk ka dështuar se e kishte mirë me perëndimorët, aq më tepër me diplomatët perëndimorë në Tiranë. Atë e kishte favor. Ai ka dështuar si polic, jo si diplomat.

Nga ana tjetër, ajo që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u përpoq ta jepte si mesazh për drejtorin e ri të Policisë, që duhet t’i shërbente vetëm flamurit kuq e zi, nuk është ndonjë motiv për ta bërë policinë e suksesshme, pasi nuk na e kanë fajin flamujt e tjerë, por flamujt e krimit në Shqipëri.

Edhe Ilir Meta, edhe Sali Berisha “të vrasin” për flamurin kuq e zi, por s’kanë lënë të zezë pa i bërë atij flamuri dhe këtij vendi.

Është e rrezikshme të motivosh policinë me “detyra sovraniste”, ndërkohë që ende nuk ka bërë detyrat e saj profesionale. Gledis Nano nuk ka dështuar se nuk besonte tek flamuri, por se nuk ja doli dot si polic. Nëse këta pasuesit e tij, do ta gjejnë çelësin e suksesit tek flamuri (larg qoftë jo Flamur Noka), është e sigurtë që prapë do dështojnë. Dhe pas kësaj ç’faj ka flamuri kombëtar.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Polic: 09/09/2022 07:10

    Përderisa policisë do të vazhdojë t'i jepen misione të pashoqëruar me fatura financiare gjendja do të përkeqësohet edhe më tej. Urdhra të tillë pune (sepse thotë partia!!) nuk kanë arritur t'a nxjerrin policinë nga mentaliteti i vjetër për të mos thënë që gjendja është rënduar së tepërmi nga korrupsioni hierarkik dhe paaftësia profesionale. Fatkeqësisht edhe zotëria nuk i përket një brezi që mund të sillte një risi kështu që do të vazhdojë edhe këtë radhë i njëjti standard, do hiqen drejtorët e paaftë që ka caktuar Nano dhe do vihen të tjerë të paaftë që ka caktuar Rrumbullaku. Në lojë do futet edhe rryma e vjetër e Veliut dhe asnjë nuk ka për t'a pasur mendjen tek misioni dhe detyrat që ka policia me ligj dhe për flamur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?