Presidenti Bajram Begaj

Mero Baze: Presidenti po kërkon përgjegjshmëri për viktimat e mikrokredive

2 Gusht, 12:43| Përditesimi: 2 Gusht, 12:44

  • Share

Presidenti i Republikës është përfshirë në një debat publik me guvernatorin e Bankës dhe Ministrinë e Drejtësisë, duke kërkuar të rregullohet kuadri i përgjegjësisë për institucionet mbikëqyrëse të tregut financiar dhe përmbaruesve, pas skandalit që shpërtheu me masakrën që është bërë me qytetarët nga shoqëritë borxhe mbledhëse, të licensuara si institucione mikrokredish, dhe bandat e përmbaruesve shqiptarë.

Zanafilla e problemit ka nisur nga viti 2015, kur në Shqipëri institucionet ndërkombëtare kanë pasur shqetësim lidhur me borxhin e keq në bankat e nivelit të dytë dhe kur, sipas praktikës së shumë vendeve perëndimore, ky borxh ju shit kompanive të licensuara për mbledhje borxhesh. Kështu formalisht bankat e nivelit të dytë e nxorën nga portofoli i tyre borxhin e keq, por ai ju përplas në fytyrë konsumatorëve pa përvojë dhe të pambrojtur shqiptarë.

Banka Kombëtare mori përsipër të krijojë një kuadër mbikëqyrës për shoqëritë e vjetra të mikrokredive që ishin në treg, duke lejuar ndërkohë të krijohen dhe shoqëri të reja, të cilat si kapital kishin borxhin e keq.

Kjo bëri që në treg të mbijetojnë shoqëri hiena, që u lidhën me bandën e përmbaruesve dhe shumëfishuan fitimet nga një anë, duke dhënë kredi me interes të lartë për të shlyer kreditë e vjetra dhe nga ana tjetër duke përdorur përmbaruesit për t’i falimentuar viktimat.

Këtu ka filluar të ngjizet skema skandaloze që na u shfaq tani si masakër mbi qytetarët.

Në vitin 2017, Ministria e Drejtësisë, drejtuar nga Gazment Bardhi, miratoi një vendim që praktikisht masakronte bankat e nivelit të dytë, pasi i detyronte ato të paguanin një tarifë shumë herë më të lartë për përmbaruesit paradhënie, një tjetër hallkë ligjore gjobëvënëse, një shërbim totalisht klientelist ndaj bandës së përmbaruesve privatë.

Ministria e Drejtësisë, e cila duhet të mbikëqyrte veprimtarinë e përmbaruesve privatë pas shumë ankesave nga qytetarët, ka bërë një kallëzim në vitin 2020, kur ishte ministre zonja Gjonaj, por që ka rënë në vesh të shurdhër. Asgjë më tej.

Sot që situata është e qartë se çfarë ka ndodhur, të gjithë aktorët politikë janë përfshirë në debat, secili për të dëshmuar përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e tij.

Presidenti i Republikës, duket qartë që po përpiqet të bëjq detyrën e tij duke treguar përgjegjshmëri lidhur me fatin e qytetarëve dhe qartazi ka pikëpamje të ndryshme me Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për çështjen kryesore, atë të mënyrës se si do të mbrohen viktimat e kësaj masakre. Është kjo arsyeja që ai i drejtohet Parlamentit, pasi ai kërkon akte ligjore që të mbrojnë qytetarët.

Parlamenti i konsumoi procedurat e debatit me guvernatorin, por kjo nuk e zgjidh problemin.

Skandali që ka ndodhur kërkon një veprim energjik ligjor, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga viktimat dhe për të vendosur rregulla të qarta për të ardhmen. 

Dështimi i institucioneve mbikqyrëse si mbi përmbaruesit, ashtu dhe mbi shoqëritë e mikrokredive, është evident. 

Drejtësia ka punën e saj me hetimin dhe zbardhjen e problemeve ligjore. 

Presidenti është duke i kërkuar Parlamentit dhe politikës shqiptare të veprojë për një kuadër ligjor të qartë dhe të përgjegjshëm për këtë skandal. Qeveria po ashtu duhet të bëhet nismëtare e këtij kuadri ligjor. 

Edhe pse në përmasa shumë më të vogla se piramidat e ‘97, skandali humbet besimin e qytetarit tek shteti dhe institucionet dhe duhet rikuperuar urgjent. 

Deri tani ka vepruar vetëm drejtësia dhe vetëgjyqësia. Në fakt duhet të veprojë Parlamenti dhe Qeveria, që të zgjidhë përfundimisht fatin e viktimave të kësaj skeme zhvatëse, në sytë e të gjithëve. /Tema/

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?