Në Dibër më në fund rezultati i “primareve” u shkërmoq. Edhe pse Berisha këmbënguli që rezultatet e primareve do të respektohen, ndodhi anulimi i parë. Palët në garë rezistuan në akuzat e tyre për manipulim dhe tani në degën e “Foltores” në Dibër do të ketë sekondare, për të parë cili do të jetë kandidati.
Shkërmoqja e autoritetit të primareve nuk ka lidhje vetëm me mungesën e rregullave në garën që u bë. Brenda Foltores edhe mund të kishte rregull, edhe mund të kishte garë, edhe mund të kishte transparencë, por kjo nuk e zgjidhte problemin. Problemi brenda Foltores është se primaret ishin një mekanizëm për të forcuar ndarjen brenda PD, ku kandidati lindte i vdekur. Ai e kishte të sigurtë humbjen.
Por sikur të mos mjaftojë kjo krye arsyeja, edhe vet gara brenda Foltores kishte parregullsi, mungesë transparence dhe garë reale, pasi ishte një përpjekje për të imponuar njerëz besnikë të Sali Berishës. Duke qenë se deri në zgjedhje ka ende kohë dhe në shumë bashki të zgjedhurit e primareve janë njerëz që u ka mbetur mandati në dorë, Berisha do të detyrohet të ribëjë sekondaret, jo vetëm për të gjetur kandidatë realë, por mbi të gjitha për ta përdorur atë si një mekanizëm joshje për grupin tjetër të PD që refuzoi primaret.
Ndaj zhvillimi në Dibër do pasohet nga së paku 10 bashki të tjera, ku kandidatët e dalë nga primaret janë jo vetëm të paaftë, por dhe të pasigurtë nëse pranojnë të garojnë. I ndërgjegjshëm për këtë situate, Berisha do të bëjë sikur do të rihapë garën në disa nga këto bashki, me shpresë se do tërheqë në këtë garë palën tjetër, e cila ende nuk ka nxjerrë kandidatë në shumë bashki, duke e paraqitur këtë si një proces ribashkimi.
Është pak a shumë platforma e Mziut në drekën e para Vitit të Ri, ku i kërkoi Berishën të rishikojë rreth 15 kandidatë, për të cilët mund të rimarrë konsensusin e PD. Dhe Berisha duket se po detyrohet të delegjitimojë me dorën e vet primaret, që aq shumë i paraqiti si sukses të procesit të zgjedhjeve në PD. As 40 ditë nuk arriti t’i mbajë në frigorifer dhe ju kalbën. Dhe të vdekurit durojnë më shumë.