Sali Berisha dhe deputetët e PD-së

Opinion

Mero Baze: Pse PD është e vetmja opozitë që 'i kanë vjedhur' votat?

20 Maj, 19:15| Përditesimi: 20 Maj, 19:19

  • Share

Agron Shehaj, kur u pyet nëse iu vodhën votat, dha një përgjigje logjike dhe të vërtetë. Tha se fushata ishte e pabarabartë, por partisë së tij nuk i vodhi askush asnjë votë. Ndërkohë, nuk kemi dëgjuar as nga partitë e tjera të vogla – si Nisma “Shqipëria Bëhet” apo Lëvizja Bashkë – ndonjë ankesë për vjedhje votash. Partia e Tomës jo e jo, se është çështje burrnie…

Vetëm Sali Berisha është duke u ankuar se i kanë vjedhur votat.

Paradoksi është se gjatë gjithë fushatës, ai ishte jo vetëm garant i votës, por edhe kërcënues: kushdo që prekte një votë, do merrte “përgjigjen e merituar”.

Po si ka mundësi që këta “kriminelë elektoralë” hipotetikë paskan lënë pa prekur rreth 180 mijë votat e partive të vogla – që nuk kanë as komisionerë, as numërues, as strukturë – dhe paskan vjedhur pikërisht Sali Berishën, që i ka të gjitha: komisionerë, numërues, para, retorikë force?
Përgjigjja është e qartë për këdo që njeh procesin zgjedhor.

Ajo që thotë Agron Shehaj është e saktë. Fushata për partitë e vogla është e pabarabartë, sepse të mëdhenjtë kontrollojnë infrastrukturën zgjedhore. Qeveria ka gjithashtu një avantazh të lehtë për shkak të votës së administratës publike – që në pjesën më të madhe votojnë për pushtetin, përveç rasteve kur fryn era e ndryshimit.

Por procesi i numërimit nuk ka pasur asnjë problem serioz prej vitesh. Regjistrimi me kamera i votimit dhe numërimit e ka zhdukur rrezikun e vjedhjes së votës.

Nga ana tjetër: si ka mundësi që nuk janë “shitur” votuesit e rinj të partive të reja – pa histori politike – dhe paskan qenë të “shitur” pikërisht demokratët e Berishës, ata që janë gati të “vdesin për të”? Partitë e reja kanë marrë afro 180 mijë vota, dhe asnjëra nuk ankohet për vjedhje. Kurse demokratët e Berishës, që mbahen si më trima e më parimorë, na qenkan manipuluar?

Këto justifikime qesharake të Berishës rrëzohen edhe nga vetë votimet brenda listës së PD-së. Si ka mundësi që “populli demokrat” voton emra që Berisha nuk i do? Lista e

Tiranës është një shembull i qartë. Në listën e hapur të vetë Berishës, çdo demokrat ka zgjedhur fiks njerëzit që e dinë të gjithë se ai nuk i do. Dhe këta, sipas tij, i ka komanduar Rama?

Me logjikën e Berishës “kriminelët” zgjedhin të mos prekin votat e Endri Shabanit, Agron Shehajt apo Arlind Qorit, por përqendrohen të manipulojnë votat e Flamur Nokës, Edi Palokës dhe Albana Vokshit?

Sipas tij, votuesit e Shehajt, Qorit apo Lapajt – edhe pse votojnë për herë të parë për ta – nuk shiten. Por ata që kanë votuar për Berishën prej 34 vitesh, janë shitës të votës?

Dhe më keq akoma, edhe brenda listës së PD-së, “kriminelët” qenkan përqendruar të votojnë kundër Berishës, jo për kandidaturat e tij.

Ky absurd ndodh vetëm në një parti ku njerëzit i kanë thënë lamtumirë logjikës dhe përsërisin verbërisht çdo mendim që del nga një mendje e bllokuar si ajo e Sali Berishës.

Fatkeqësia e tij dhe fatmirësia e vendit është se ai nuk e ka më monopolin e opozitës. Nuk ka më vetëm një version se çfarë ndodhi në zgjedhje. Ai është thjesht një parti opozitare – më e vjetra, më e degraduara dhe më e pashpresa nga të gjitha.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?