Jamarbër Malltezi

Opinion

Mero Baze: Rasti Malltezi, ku SPAK dhe GJKKO ka prodhuar më shumë politikë se sa drejtësi

8 Korrik, 07:01| Përditesimi: 8 Korrik, 07:17

  • Share

Vendimi i GJKKO për lirimin e Jamarbër Malltezit nga arresti shtëpiak, është një vendim i drejtë, që i jep fund arbitraritetit të arrestit paraprak, por që jep një mesazh të keq për standardet me të cilat trajtohen personat me ekspozim të lartë politik në Shqipëri. Me këtë vendim familja Berisha, bëhet rasti i parë kur të dy të akuzuarit mbesin të lirë falë betejës politike kundër SPAK dhe GJKKO, për një çështje që në fakt nuk duhej të ishin arrestuar paraprakisht.

Por lirimi i të dy personave të akuzuar, për një vepër penale e cila në fakt është një kapje shteti e pastër dhe që shpresojmë që do të gjykohet në themel me qetësi, ngre pikëpyetje për standardet që ka krijuar drejtësia e re me personat që akuzohen për korrupsion në Shqipëri dhe që për të dëshmuar “balancat” politike futen në burgje paraprakisht.

Edhe pse nuk kam asnjë dëshirë të mbroj Ilir Metën, pasi jam vetë pjesë e atyre që kanë ngritur dyshime serioze për korrupsionin e tij, arrestimi i tij paraprak për gati një vit dhe bërja publike e kazusit ndaj tij që lidhet me një kartë krediti të përdorur nga ish-gruaja e tij për shpenzime, është një rast spektakular dështimi jo vetëm për hetimet, por dhe për masën e arrestit paraprak për një njeri që ka qenë president, kryeministër dhe kryetar i parlamentit të Shqipërisë. Zotësia për të hetuar dhe dënuar Ilir Metën, nuk është ta arrestosh një here, ta mbash në qeli, ta çmendësh dhe pastaj të gjesh fakte rrugës për të.

E njëjta gjë dhe për Erion Veliaj. Ai ka kaluar gjashtë muaj në burg, pa asnjë akuzë që lidhet direkt me të për korrupsion, por nën dyshimet se biznesmenë që kanë ndihmuar për bamirësi një fondacion kulturor të lidhur me gruan e tij, mund të kenë përfituar leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që leja e ndërtimit është një e drejtë dhe jo një privilegj, përjashto rastet kur ajo është abuzive dhe në shkelje të ligjit.

Të arrestuar të tjerë paraprakisht për akuza për korrupsion si Ilir Beqja apo Arben Ahmetaj, janë ende në fazë hetimesh ndërkohë që urdhrat për arrestimin e tyre janë lëshuar një vit dhe dy vjet përpara.

Kjo është një praktikë e qartë represive e bërë për të krijuar idenë e një fushate ndëshkimi politik, ndërkohë që hetimet e SPAK kanë dëshmuar një mungesë të thellë kompetence duke mos kapur asgjë thelbësore në historitë e tyre të dyshuara si korruptive dhe duke përfunduar të gjitha në hetime pronash dhe udhëtimesh.

Paaftësia për të hetuar në këtë rast është mbuluar me masa represive dhe propagandë politike nga zyra e shtypit e SPAK, dhe për t’ua hedhur si ushqim turmave që të besojnë te drejtësia popullore. Drejtësia në vetvete nuk ka qëllim vuajtjen fizike në burg, por dënimin e krimit dhe korrupsionit sidomos në rastet e figurave politike me profil të lartë. Një ish-president apo ish-kryeministër e turpëron fakti që të shpallet fajtor për korrupsionin apo vrasje politike dhe jo ditët e burgut paraprakisht.

SPAK nuk mund të mbulojë dështimet e veta duke përdorur zyrën e shtypit si Gëbelsi komunikatat e Hitlerit, dhe duke shpikur histori për të lumturuar popullin që po dënon armiqtë. SPAK duhet të çojë në gjykatë prova që ndëshkojnë abuzuesit dhe jo fletrrufe për të kënaqur popullin.

Në këtë aspekt lirimi i Arbër Malltezit, është një vendim që duhej të ishte marrë me kohë, por jo me këtë kosto.

SPAK dhe GJKKO ka prodhuar në këtë rast më shumë politikë se sa drejtësi, duke e bërë familjen Berisha familjen e parë politike që po e fiton betejën me drejtësinë jo me avokat, por me lëvizje politike në rrugë.

Kjo krijon një precedent të keq për drejtësinë shqiptare e cila në përpjekje për t’u dukur e distancuar nga politika, në fakt po prodhon më shumë politikë dhe politizim të drejtësisë se kur akuzohej vërtet që kishte lidhje me politikën.

Bilanci i sotëm i drejtësisë së re, është katastrofik. Tani i bie që Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi që janë nën akuzë për kapje shteti dhe pastrim parash janë të lirë, kurse njerëz të zakonshëm që akuzohen për mosdeklarim të ardhurash apo akuza dhe më qesharake janë ende në burgje. Për më saktë thënë që njerëz me profil të lartë politik si Meta, Veliaj, Beqja apo Ahmetaj, tanimë duhet të konsiderohen të burgosur se nuk i kanë mbrojtur sa duhet politikisht partitë e tyre.

Dhe kjo është kostoja më e rëndë që SPAK me kërkesat e tij represive dhe GJKKO me noterizmin e tyre po i krijojnë Reformës në Drejtësi si një drejtësi e dështuar.

Tani e vetmja gjë e qartë është që nëse bën betejë politike, nëse e shan me nënë e babë Dumanin apo Irena Gjokën, gjykata dorëzohet dhe bën atë që duhet të bënte ditën e parë të seancës gjyqësore me Sali Berishën dhe dhëndrrin e vet në këtë rast, pasi ata po hetohen për një çështje që nuk kanë çfarë fshehin më, ndërkohë që ende sillen vërdallë për 21 Janarin dhe Gërdecin duke bërë sikur nuk e kanë mendjen që janë krime të pastra vrasjesh dhe korrupsioni madhor nga familja në pushtet.

Duke prodhuar më shumë politikë sesa drejtësi me vendimet e veta represive dhe paaftësinë për të hetuar thellë, SPAK dhe GJKKO në fakt po çojnë drejt dështimit pikërisht objektivin kryesor të Reformës në Drejtësi, që nuk është distanca formale nga politika, por të prodhuarit drejtësi dhe jo politikë./Tema

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?